Zërat
Mentor Nazarko
Mentor
Nazarko

Ku gabon Berisha për marrëveshjen Rama-Basha?

Zërat September 17, 2017 - 19:17

Në përpjekje për të treguar koherencën e vet në gjykimet për zhvillimet politike, z.Berisha dha një intervistë që mund të cilësohet si një nga më të rëndësishmet që është dhënë ndonjëherë.

Ajo, mbi të gjitha, tregon për vëmendjen e tij konstante rreth zhvillimeve politike dhe sensin e tij ende aktiv.

Gjatë intervistës, ai bëri një shpalim të zhvendosur në kohë, si rropatje për të dhënë një pamje të së tërës.

Në parantezë duhet përkujtuar fakti se Berisha ishte i vetëdijshëm se në momentin e pikërishëm kjo intervistë nuk do të ishte me zarar për Bashën, siç do të ishte, fjala bjen, po të ishte dhënë më herët.

Janë disa pjesë të intervistës të Berishës që u trajtuan zhdërvjelltësisht nga Fevziu si njohës i mirë i tij, por ka edhe disa të tjera që i kanë shpëtuar vëmendjes së komentatorëve.

Një ndër to është edhe gjykimi i tij rreth rolit të Bashës në marrëveshjen me Ramën. Për një njeri si Berisha, koherenca dhe inkoherenca është një kriter i rëndësishëm për t’u gjykuar, jo në pikëpamje të moshës, por për të parë nëse është një gjykim i lirë, prodhim i mendjes së një politikani me një përvojë të jashtëzakonshme politike.

Duke e rivizituar intervistën e Berishës në tërësinë e saj, ndeshim edhe në një nga inkoherencat më spektakolare.

Duke shtjelluar marrëveshjen Rama-Basha, Berisha e cilësoi atë si një ‘fitore të madhe të Bashës’. Sipas tij, sondazhet dhanë kumtin se Basha dhe PD kishin një rezultat të lartë, ose 36 për qind.

Inkoherenca fillon pikërisht këtu: sipas Berishës, çadra ishte një fitore e madhe jo thjesht në frontin ndërkombëtar, por edhe në atë të brendshëm në kuptimin e kuotave të larta.

Gjithnjë sipas rezonimit të tij, premtimet e Ramës se do të bashkëqeveriste me Bashën si dhe agresiviteti retorik i LSI-së që po sillej si opozitë, sollën humbjen e PD-së.

Disonanca nuk ka sesi të jetë më e qartë kur i njëjti nënvizon se dalja nga çadra solli një valë entuziazmi tek militantët e PD-së për mundësinë, fare të prekshme, të rikthimit në pushtet.

Ajo çka nuk lidhet dot këtu është se si u bë që ky ekzaltim i votuesve demokratë u shkërmoq nga vetëm disa deklarime të Ramës, apo nga një ngritje e tonit opozitar nga LSI-ja.

Në vijimin e saj intervista qendërzohet edhe në çështje të tjera si ajo për Gramoz Ruçin, hapësirën ekonomike rajonale, por edhe përfshirjen e Listes Serbe në qeverinë e re të Kosovës, të kryesuar nga Ramush Haradinaj.

Derisa është evident fakti që Berisha me maninë e tij për t’u marrë me biografinë e të tjerëve, njeh më mirë se kushdo tjetër Ruçin, pyetja që rrjedh natyrshëm është se pse nuk e ndëshkoi atë gjatë mandateve sa kishte frerët e qeverisë në duar.

Dhe një moment i shënueshëm i inkoherencës së Berishës ishte pikërisht komenti i tij për rolin e subjektit serb brenda qeverisë së Kosovës.

Ai ka të drejtë kur e quan normale praninë e saj në qeverinë e re, për aq sa ata përfaqësojnë një pjesë të popullatës së Kosovës, në këtë rast pakicën serbe.

Ai thotë se ata do të duhet të veprojnë në kundërshtim me urdhëresat e Beogradit, por të përfillin interesat e popullit të Kosovës.

Një gjë e tillë është qartësisht e pamundur, gjë të cilën e di fare mirë Berisha, kur dihet se Lista Serbe është e varur krejtësisht nga qeveria në Beograd.

Ajo çka nuk zë në gojë ai është fakti se faktori shqiptar në rajon paraqitet më i fragmentuar dhe më i përçarë se kurrë më parë, ndryshe nga ai serb që u qendërzua në një subjekt të vetëm.

Është vetë Berisha që nuk mund të citohet si shembull i njësimit të faktorit politik shqiptar jashtë Shqipërisë: nuk mund t’i ikin mbamendjes momentet kur ai dikur përkrahte Demaçin kundër Rugovës, PDSH-në kundër PPD-së apo edhe favorizonte Haradinajn.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK