Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Kryeministri që kënaq egon e tij

Zërat September 16, 2017 - 12:13

Politika është art i së mundshmes e jo art i së dëshirueshmes. Ramush Haradinaj shfaqi shumë dëshirë për postin e të parit të ekzekutivit, por pa bërë llogari me mundësitë që ka për ta ushtruar si duhet këtë post. Mbase i ndodhur mes dëshirave të mëdha dhe mundësive fare të pakta do të na shpërfaqet si një personazh tragjikomik i politikës sonë, ku çdo gjë ka degraduar në shkallë të paimagjinueshme. 

Dhe nuk mund të jetë ndryshe, ndërsa vendi është shndërruar në një skenë të teatrit politik të absurdit. Tani si dhe sa do të qajmë mbetet të shihet nga përpjekjet për ta përmbushur egon e tij, motiv ky kryesor dhe i vetëm që e solli deri në këtë pozitë.

I ardhur formalisht nëpërmjet mënyrës legale, praktikisht asnjëherë nuk do të legjitimohet si i pari i Qeverisë së vendit. Kjo për faktin e thjeshtë se vullnetin e shumicës shqiptare e ka në opozitë dhe se Listën Serbe do ta ketë përherë si Kolonë të Pestë. Hisja e Listës Serbe dhe ajo e AKR-së në Qeveri shpërfaq një shkallë të tillë të krizës morale sa nuk ka si të mos e bart të drejtën në anën e opozitës (kundërshtarit), në këtë rast të lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila pritet të fuqizohet edhe më shumë dhe t'ia vështirësojë ecjen nëpër një rrugë përplot pengesa të pakapërcyeshme.  

Në anën tjetër, si ka mundësi të funksionojë një kabinet i tillë qeveritar kaq i madh dhe i komponuar kështu mbi bazën e pazareve më të pista politike, ku dora e sekserëve ishte më me ndikim se çdo gjë tjetër!? Po si mund të shtrojë ndikim mbi ta kryeministri i ri, ndërsa në këtë vend nuk ekziston fare institucioni i përgjegjësisë?

Përtej marrëveshjeve antikushtetuese në ndarjen e përgjegjësive brenda koalicionit qeverisës është iluzion i thjeshtë të besohet se me këta njerëz, të cilët janë aty t'u japin përgjegjësi grupeve të caktuara të interesit, të mundë të bëjë diçka më shumë sesa thellimin e krizës dhe rritjen e varfërisë, e cila për matës kryesor ka rritjen e shkallës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Përkundër dëshirës së madhe, si ka mundësi që kryeministri i ri, me një kabinet të tillë qeveritar, të mundë ta instalojë një vetëdije për interesin publik dhe në këtë mënyrë ta bëjë çkapjen e shtetit nga strukturat kriminale, të instaluara kudo nëpër institucionet tona? 

Shikuar nga ky aspekt, përpjekjet e tij dhe angazhimi i madh kinse për të shpërfaqur përgjegjësi të rolit që ka si kryeministër do të duket gjithnjë e më komik. Sharra e tij nuk do të funksionojë, sepse që përpara i është e ndalur në dy gozhda të forta. Do të vazhdojë të sillet si donkishot me problemin e Demarkacionit dhe me atë të Asociacionit. Sigurisht që do të qeshim tek e shohim si do t'i lëpijë ato që ka pështyrë (nga pafuqia për t'u ngjitur në Çakorr) dhe se si do të duket sikur po qeveris me një vend pa sovranitet të plotë, pa standarde të aplikueshme për të gjithë, madje në një vend ku ka në qarkullim dy lloje valutash, në një vend me pushtete të dyfishta.

Po çka mund të bëjë Ramushi me sistemin e drejtësisë, ku trafikohet e drejta? A ka mundësi Ramushi të vërë barazi në drejtësi, përkatësisht t'i zbresë të fortit nga mbiligji dhe t'i nxjerrë në rrafshin e drejtësisë ata që janë nën ligjin? Sigurisht që jo, sepse së pari duhet t'i zbresë nga ligji pikërisht këta që e sollën këtu ku është. E Ramushi e di se nuk priten degët nëpër të cilat je ngjitur, sepse rënia është fatale pastaj. Po, a ka mundësi Ramushi ta ndryshojë gjendjen në sistemin e arsimit, ku trafikohet me dijen? A mund t'ia dalë me sistemin shëndetësor, ku trafikohet shëndeti dhe ku qytetarët e tij nuk gëzojnë sigurime shëndetësore? A mund t'i sigurojë konsumatorët, përkatësisht qytetarët e këtij vendi, se do të ushqehen me bukë, qumësht dhe mish të cilësisë së duhur, sikundër edhe me ilaçe që nuk janë të falsifikuara? Sigurisht që jo. Prandaj e vetmja gjë që do të bëjë Ramush Haradinaj, përjashto përpjekjet për improvizime, do të jetë përmbushja e egos së tij për të qenë njeriu më i rëndësishëm i këtij vendi dhe asgjë më tepër.

Shumë do të kisha dëshiruar që të ndodhte krejt ndryshe nga kjo e shënuar më lart, por e vërteta, të cilës pakkush i beson në këtë vend, sepse është e ngulfatur nga gënjeshtra, do të dëshmojë se kryeministri aktual do të ikën nga kjo skenë politike e absurdit si një personazh tragjik, i cili edhe përbën modelin e natyrshëm në skenën e teatrit politik të absurdit.           

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK