Zërat
Lavdrim Lita
Lavdrim
Lita

Përfshirja e domosdoshme e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Zërat September 16, 2017 - 12:12

Kërkesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është akti  më madhor i bërë në vitet e fundit në skenën politike vendase.

Ideja për formimin e një  grupi uniteti për t’u bërë pjesë e procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e duhur për t’ia dhënë një fund të lumtur bisedimeve të zgjatura pa shkak.

Kuptohet vetiu që është e nevojshme të ketë një fazë vendimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sepse është në interes jo vetëm të të dyja vendeve, por edhe i faktorit ndërkombëtar, të cilët shpenzojnë shumë pak para dhe energji në një rajon që kërkon të anëtarësohet në BE.

Qëllimi fundor i dialogut, siç e mendoj unë, është njohja reciproke mes dy shteteve dhe fqinjësia e mirë, që është një projekt i madh për mbylljen e armiqësive dhe krijimin e fqinjësisë për gjeneratat e reja.

Për këtë arsye është e natyrshme kërkesa e presidentit Thaçi për përfshirje të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedime, pasi kjo do t’i jepte një aureolë më të madhe legjitimiteti të brendshëm dhe të jashtëm marrëveshjeve dypalëshe. Diplomacia funksionon më mirë kur BE-ja dhe SHBA-ja punojnë së bashku.

Në kushtet e sotme BE-ja e vetme nuk mund dhe nuk ka fuqinë që ta detyrojë Serbinë që t’i heqë pretendimet kushtetuese të Beogradit mbi Kosovën. Pa angazhimin e SHBA-së dialogu do të jetë një vajtje-ardhje në Bruksel për fotografi dhe shtrëngim duarsh.

SHBA-ja e ka mbështetur nismën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për fillimin e dialogut dypalësh dhe është e domosdoshme ta ketë një fjalë vendimtare në fazën përmbyllëse të dialogut mes dy vendeve. Qeveria e re e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka një bazë të gjerë përfaqësimi në popull dhe duhet ta propozojë një ndryshim në formatin e takimeve dhe temave.

Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e re e Ramush Haradinajt kanë mundësinë që ta vendosin Kosovën tutje drejt integrimeve euroatlantike dhe kjo mund të realizohet përmes  luftimit të  korrupsionit, rritjes ekonomike dhe bashkëpunimit me fqinjët. (Autori është gazetar nga Shqipëria, njohës i mirë i çështjeve politike në Kosovë dhe në Maqedoni. MA në Kolegjin e Evropës dhe në Naval Postgraduate School, SHBA).

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK