Zërat
 Mentor Nazarko

Mentor
Nazarko

Kur dritën duhet ta japë dikush që nuk e ka…

Zërat September 12, 2017 - 19:30

20-vjetori i ‘Opinion’-it, grumbulloi bashkë politikanë të të gjitha niveleve, viseve, gazetarë dhe opinionistë… individë të spikatur nga fusha të tjera, pra dhe nga moda, spektakli, etj. Dhe ishte një rast për takime mes tyre në publik, ashtu si dhe për një lloj bilanci të kësaj ecje krah për krah të mendimit me veprimin politik.

Me një fjalë, aktiviteti me pompozitetin e vet, angazhimin hapësinor (sheshi ‘Nënë Tereza’ ishte i tëri në dispozicion të tij) dhe maratonën televizive, është një rast jo vetëm për bilancin e Opinion-it, i cili ka arritur të mbijetojë e të rritet pse e ka rishpikur veten sipas modelit nënë, por dhe shkathtësive të vetë Blendit.

Ja vlen ta shohësh si një rast për bilancin e bashkëjetesës së politikës dhe politikanëve me njerëzit e mediave, me të ashtuquajturit opinionbërës. Frymëzimin për këtë bilanc ta jep afërsia fizike e njerëzve të këtyre dy kategorive, jo thjesht në sheshin «Nënë Tereza», për festën e Blendit, jo thjesht në emisionin e Blendit ku ndërtohen kundërvënie të vërteta apo të simuluara mes tyre sipas sinusoidës së audiencës që ai e sheh me vëmendje.

Afërinë e gjen dhe në tavolina pas emisioneve, apo në raste të tjera. Nuk ka asnjë diskutim që kjo afëri në çdo vend tjetër perëndimor do të ishte e qortueshme, por në vendet tona të vogla është e pamundur të shmanget, ndaj edhe është normalizuar. Kësisoj atë nuk mund ta paragjykosh.

Megjithatë, ajo çfarë mund të paragjykosh është raporti ideor mes tyre, ose raporti i këshillimit publik ose jopublik që ekziston midis këtyre dy kategorive të veprimtarëve të mendjes dhe aktivitetit publik. Cila është cilësia e prurjes ideore të të parëve, dhe çfarë lloj kontributi është ky për të dytët?

Ky raport shtrihet në më shumë sesa 20 vjet të emisionit të Blendit, i cili është shndërruar megjithatë realisht në njëlloj dritare të domosdoshme për politikën, ku duhet të dalësh nëse do të ekzistosh.

Në fakt nëse don të gjykosh për bilancin e këtij raporti gati simbiotik, mjafton të gjykosh cilësinë e zhvillimit tonë gjatë këtyre viteve të pluralizmit. Nëse ky zhvillim është me ritme të ulëta, ku ka patur prapaktheu si ajo e vitit 1997, me siguri se në këtë cilësi ka pasur ndikim dhe opinionbërja. Dikush me të drejtë do të thotë: po ju? Shikoni veten para se t’u jepni mend të tjerëve.

Po, është plotësisht e vërtetë! Pa modesti, në këtë profesion, në këtë zeje që është krejt individuale, shikoni llojin e artikujve, Dita Informacion, ABC, Konica.al sot, protagonistët e tyre, bashkëudhëtuesit tanë, i kanë dhënë mendimit publik në përgjithësi; shikoni regjistrin tematik aq të gjerë; shikoni thirrjet aq shumë të ndjeshme për të mos prishur pyjet, tokën bujqësore; për të shndërruar Alpet shqiptare në cak turizmi që në 1993-ën; shikoni forumet intelektuale të përhershme; luftën kundër sekteve të rrezikshme fetare dhe jo fetare; luftën pa kompromis kundër piramidave; shkrimet për korridoret rrugore, për reformat kushtetuese, për negociatat me Serbinë; për marrëveshjen e Ohrit; për rëndësinë e bujqësisë; për bashkimin ekonomik kombëtar; për kufirin detar me Greqinë, etj, etj, kauza sociale, politike dhe kombëtare.

Taborri ku ne kemi dashur të bëjmë pjesë, ndonëse i vogël ka ofruar dritë në viset shqiptare, anipse ajo ka qenë e zbehtë për të verbuarit politikë nga ethet e pushtetit. Në kohën kur ne bënim këto beteja, disa të tjerë që rrinë afër në tavolinat e pushtetit në dritë dhe në errësirë, thjesht dhe vetëm kanë bërë sofizma inteligjente të veprimit taktik të politikës dhe politikanëve, kanë ricikluar thashetheme pallati, në shërbim të njërës apo tjetrës palë, pa e vrarë mendjen për interesin kombëtar.

Nuk po merrem me lobimin normal në favor të njërit apo tjetrit biznes: në kushtet kur biznesi nuk ka fuqi vetë të afirmohet si grup interesi, media që i përfaqëson do të shndërrohet normalisht në ndërlidhëse midis politikës dhe tij.

E kam fjalën për vizionin apo mungesën e tij, ofruar nga njerëz me ndikim dhe pushtet në media. Fatkeqësisht politika nuk e ka marrë dot këtë ndihmë nga të ashtuquajturit njerëz të opinionit, nuk e ka parë dritën që i nevojitej në këtë binom të pandashëm të një shoqërie të lirë.

Ajo e ka përdorur median dhe njerëzit e medias në funksion të lojërave të pallatit, por nuk ka kuptuar më mirë proceset në të cilat duhet të ecte veprimi shoqëror dhe shtetëror.

Ndoshta pse vetë ata që duhet të ndriçonin për to, kanë qenë të pandriçuar, pse u ka munguar kompetenca në lëmi të ndryshme, ndonëse kanë dëftyer shkathtësi nga stilistika, psikanaliza, apo thashethemet e pallatit të interpretuara si lojë pushteti, si keqbërje të demokracisë, etj, etj, thjeshtëzime të paditurisë.

Më keq se kaq, politika ka pasur analista suflerë, ose siç do t’i quante dikush tjetër, këshilltarë pashallëqesh, të cilëve u mungonte tehu i refleksioneve të thelluara për vizione largvajtëse politike.

Kjo më sipër ishte thjesht një përpjekje për të kuptuar llojin e bashkëjetesës së këtij binomi, më saktë për ta shpjeguar atë. Ndonëse nuk besoj se media, opinionbërësit kanë patur ndikim kryesor në cilësinë e politikës në këto 25 vjet pluralizëm.

Me këtë, unë nuk aludoj në emisionin e Blendit, por për një trend më të gjithështrirë sesa në Shqipëri, pasi që e njëjta mund të thuhet edhe për Kosovën e Maqedoninë.

Analiza është shumë më e gjerë se çfarë të frymëzojnë pamjet e lumturisë që përshkuan mbrëmjen ku defiluan së bashku, politikanët, njerëzit e medias, të biznesit, sportit dhe ata të spektaklit. Ndoshta këto përfundime rreth një pjese të bashkëjetesës ndihmojnë për të nxitur një debat dhe përfytyrime më të plota rreth të tërës.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK