Zërat
Arsim Canolli
Arsim
Canolli

Partizanët e makthit serb, Kosova dhe UNESCO-ja

Zërat September 08, 2017 - 12:48

Mjeshtrit propagandistikë-serbë kanë terrorizuar gjithmonë publikun perëndimor me lajme të rreme për shqiptarët. Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX ata i thanë botës se shqiptarët kishin bishta.

Në epokën jugosllave ata portretizuan shqiptarët e Kosovës si nomadë fanatikë, primitivë dhe fetarë që jetojnë në zona malore të izoluara, të paaftë për të ndryshuar dhe për t'u mësuar me jetën e civilizuar. Në fund të viteve 1980 ata portretizuan shqiptarët e Kosovës edhe si përdhunues. Gjatë dhe pas luftës së vitit 1999 shqiptarët u portretizuan si terroristë islamikë dhe vrasës të krishterëve.

Që nga trazirat e vitit 2004, kur shumë manastire dhe kisha ortodokse në Kosovë u dëmtuan rëndë, mjeshtërit e propagandës së mitit në Beograd vazhdimisht kanë pikturuar shqiptarët e Kosovës e madje të gjithë shqiptarët si terroristë. Pas aplikimit të Kosovës në UNESCO, ata nxitojnë për t’i barazuar shqiptarët me ISIS-in.

Kjo propagandë e recituar përmendsh dhe e riprodhuar pandërprerë në mendësinë e fatosave partizanë të makthit serb, shamani dhe komandanti i fundit i së cilit ishte Sllobodan Millosheviqi, është krejtësisht patetike. Sepse kjo propagandë nuk ndihmon as serbët e nuk dëmton shqiptarët, nëse ky është qëllimi i saj.

Me këtë propagandë nuk mund të bindet UNESCO-ja që Kosovës t’ia refuzojë anëtarësimin e ardhshëm. Kjo propagandë nuk mund ta ndalë avancimin e Kosovës. Sepse avancimi i Kosovës është i pandalshëm. Mund të marrë kohë më shumë se duhet, por është i pandalshëm si proces.

Sa i përket kishave ortodokse dhe mbrojtjes së tyre, dihet se Kosova ka pranuar Planin e Ahtisaarit, i cili garanton të drejtat e komunitetit serb në Republikën e Kosovës. Në ligjet e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë njihet si pjesë e Kishës Ortodokse Serbe në Beograd. Kjo do të thotë se entiteti i quajtur “Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë” gëzon një mbrojtje të plotë ligjore dhe një maturi të plotë në menaxhimin e pronës së tyre, një status ligjor i cili është "sui generis" në botë.

Miliona euro dhe dollarë janë shpenzuar për restaurimin e plotë të manastireve dhe kishave ortodokse të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004. Fakti që shumë kisha dhe manastire u shkatërruan në këto trazira është krejt i dënueshëm dhe i tmerrshëm. Ky ka qenë një ndër aktet më të rënda kundër trashëgimisë kulturore që nga lufta e vitit 1999 kur qindra kisha katolike, xhami myslimane, kulla e shtëpi të vjetra shqiptare u shkatërruan nga serbët e forcat e tyre. Shkatërrimi dhe dëmtimi i trashëgimisë kulturore, kujtdo që t’i përket dhe kushdo që lidhet me to, duhet të dënohet. Megjithatë, asnjë hetim nuk është bërë dhe askush nuk është hetuar kurrë.

Por, pas vitit 2004 70% e kishave, e manastireve, e objekteve në komplekset kishtare të cilat kanë qenë të dëmtuara, janë restauruar në plotësi dhe autenticitet. Në vitet e fundit Kosova ka dedikuar fonde të veçanta për restaurimin e 30% të objekteve të dëmtuara, ashtu si janë identifikuar e studiuar nga Këshilli i Evropës (2012). Por ka evidenca të qarta se Kisha Ortodokse Serbe nuk i pranon ato fonde të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ndonëse janë marrë të gjitha masat financiare, ligjore dhe profesionale nga institucionet e trashëgimisë kulturore të Kosovës, që të mbrohen, ruhen dhe restaurohen objektet fetare, Kisha Ortodokse Serbe nuk i pranon fondet. Ky është sabotim total i institucioneve dhe shteti të Kosovës. 

Një aspekt tjetër që duhet thënë është se shqiptarët janë të mirënjohur për tolerancën dhe bashkëjetesën e tyre fetare me komunitete të ndryshme fetare. Shqiptarët kanë mbrojtur dhe kanë ruajtur manastiret dhe kishat mesjetare serbe në Kosovë për pesë shekuj gjatë sundimit osman. Shumë familje shqiptare në Kosovë u quajtën vojvodë të kishës. Sepse, shqiptarët janë të vetëdijshëm për të kaluarën e tyre të krishterë pavarësisht faktit se ata u konvertuan në islam masivisht gjatë periudhës së dy-tre shekujve më parë. Është gjithashtu në vlerën e tyre tradicionale etike për të mbrojtur, ruajtur dhe respektuar njerëzit e besimit tjetër dhe trashëgiminë e tyre fetare. Portretizimi i shqiptarëve si ISIS-i është vetëm edhe një valë tjetër e urrejtjes nga Beogradi.

Tani, kur Kosova ka aspirata për t'iu bashkuar UNESCO-s, familjes së paqes e diversitetit kulturor, këta “les maîtres de propaganda" kanë filluar t’i nxjerrin si “kundër-reklamë” imazhet e tmerrshme të vitit 2004 dhe i shkrumbojnë ato me të gjitha llojet e narrativeve të urrejtjes për shqiptarët. Një nga ata mjeshtër të gjuhës së urrejtjes është Boris Malagurski. Në një dokumentar, trejleri i të cilit po qarkullon në “propogandazemljen” serbe, duke kërkuar donacion nga të gjithë serbët, ai krahason shqiptarët me ISIS-in dhe përhap gjuhën e urrejtjes ndërmjet dy popujve dhe kulturave. Pos kësaj, duket se synimi është ta rrejë shikuesin në Perëndim, duke pretenduar se trashëgimia e krishterë në Kosovë është në rrezik.

Kosova ka siguruar një status të posaçëm ligjor për Kishën Ortodokse Serbe dhe për pronat e saj. Asnjë vend tjetër nuk jep më shumë autonomi subjekteve fetare brenda vendeve të tyre, përveç Greqisë dhe Italisë. Greqia ka dhënë status special për Malin Atos dhe Italia për Vatikanin. Por, Kosova nuk është as Greqi, as Itali. Një status i tillë i veçantë (Atos apo Vatikan) për Kishën Ortodokse Serbe do t’i rrezikonte të gjitha marrëdhëniet politike, kulturore dhe fetare në Kosovë dhe në rajon. Do të destabilizonte Kosovën dhe rajonin.

Por, nuk duhet të bëhet panik në lidhje me këto lloj tregimesh të urrejtjes. Kosova ka përvojë me propagandën e elitave akademike, kulturore dhe mediatike serbe. Elitat kosovare nuk duhet të bëjnë një luftë mimike të urrejtjes. Ata duhet t’i njohin, por t’i injorojnë mitpropagandat e mjeshtërve serbë. Ata duhet të punojnë shumë për të treguar faktet e vërteta të bashkëpunimit me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Ata duhet të tregojnë për progresin në politika e strategjia të trashëgimisë kulturore, për rritjen e buxhetit, për progresin në reformat institucionale, për ndërtimin e besimit me komunitetin serbe kështu me radhë për të gjitha faktet reale. Sepse gjithkush e di se kur Kosova të jetë anëtare e UNESCO-s, kishat dhe manastiret ortodokse serbe, njëjtë si e gjithë trashëgimia kulturore e Kosovës do të jenë më të dukshme në botë dhe më shumë vëmendje do të shtohet në mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre. E gjithë bota e dinë se Serbia ende nuk është zgjuar plotësisht nga gjendja mendore dhe “gjakësore” e Millosheviçit. Simahorët e tij kanë vazhduar filozofinë e tij politike në Serbi.

Marko Zhivkoviq, një antropolog serb, duke shkruar mbi mitopoetikën e popullit serb, ka dhënë një mendim qenësor për serbët si popull. Në librin e tij “Serbian Dreambook” thotë: “serbët karakterizohen si njerëz që ëndërrojnë Kosovën”. Ai po ashtu thotë se “gjithmonë serbët kanë pasur një tregim të viktimizimit të pafajshëm serb, një tregim të tejzmadhuar e megalomaniak” që “ka ndihmuar autoritetet serbe të legjitimojnë dhunë në Kroaci, Bosnjë dhe në fund edhe në Kosovë”. Mitopoetika e verbër ideologjike e Millosheviqit është ende gjallë në shtyllat politike dhe morale të shtetit serb sot. Këtë e shohim çdo ditë. Se kur e si do të çmpihen nga makthi i Kosovës dhe shpërlahen nga gjaku millosheviqian, mbetet të shihet.

Megjithatë, do të ishte interesante të dëgjonim se si do të pritet ky film agjitativ propagandistik e urrejtës i mjeshtërve mit-propagandues serbë nga zyrtarë të lartë të BE-së, ata me paga të larta, të cilët promovojnë ligjin, rendin dhe paqen në Kosovë.

A do të jenë të shqetësuar ata nga gjuha urrejtëse, ndarëse, e pasaktë dhe problematike e këtij dokumentari? Apo krejt çfarë u intereson është “paqja” për Kishën Ortodokse Serbe, duke e propozuar një Ahtisaari +, një Atos serb në Kosovë? Shpresoj fort se asnjë prej tyre nuk do t’ia mësyjë butonit “jep donacion” në faqen e Malagurskit. Sed quis custodiet ipsos custodies?

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK