Zërat
Mentor Nazarko
Mentor
Nazarko

Hakmarrje apo triumf i Pacollit?

Zërat September 06, 2017 - 19:26

Në një bisedë televizive që do transmetohet në darkën e datës 5 shtator, drejtuesi i njohur i emisionit Rubikon, në KTV, Adriatik Kelmendi i tha Behgjet Pacollit: “prej tash fillon hakmarrja jote: erdhën në shtëpinë tënde, pranuan kushtet e tua, dhe dhanë dikasteret që ti dëshiroje!

Termi hakmarrje nuk është real. Hakmarrja nënkupton vepra të këqija, shkatërrim të tjetrit, armikut politik, armikut jetësor dhe ky nuk është rasti. Por në një kuptim, prej dje Behgjet Pacolli është njeriu kyç i Kosovës. Ata që e kishin anatemuar për vite me radhë, nga krahu i luftës u detyruan të heshtnin. I dhanë atij një pjesë të madhe të pushtetit. Disa prej atyre që kishin qeverisur me të, por ia kishin lidhur duart, duke mbajtur gjysma premtimesh, duke i dhënë ministri për afat të shkurtër, ata që e bënë president, por e larguan, sot e garantuan se do të ishte kandidati i tyre për president. Ky është një veprim realist i tyre, ndonëse i motivuar nga situata e veçantë ku ndodhen. Duhet të ketë patur arsye të mëdha për këtë lëshim, arsye që do të zbulohen tani ose më vonë, por kjo nuk ka rëndësi në politikë.

Kosova arriti të shmangte një krizë që po përsëritej dhe që nuk zgjidhej as me zgjedhje të parakohshme, sepse nuk do të prodhohej asgjë e ndryshme. Një parti mund të rritej, por në kushtet e peshës së partive të tjera, askush nuk mund të bënte qeveri i vetëm. Distanca mes palëve është e madhe. Dhe kriza që do zgjatej pikërisht kur Perëndimi pret që Kosova të bëjë mirë, sepse Serbia po bën mirë, kur pritet një fazë e re në bisedimet shqiptaro-serbe, do ishte shkatërrimtare.

Sot, PDK, AAK, Nisma, partitë e blokut të luftës, hoqën dorë nga taktika e rekrutimit të veçantë të deputetëve dhe bënë koalicion me partinë e tij. Kësisoj, Pacolli zgjidhi krizën kosovare dhe i dha fund situatës të vështirë në të cilën gjendej i mandatuari i tyre për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili çdo ditë që kalonte ndiente se si rrëshqiste mundësia e tij e fundit për t’u bërë numri një i qeverisë së Kosovës. Haradinaj që mbahet për njeri fjale, pranoi kompetencën ekonomike dhe diplomatike të Pacollit dhe ofroi besën e tij për bashkëpunim politik.

Ajo çka ndodhi dje është diçka e pazakontë për politikën kosovare, por jo për politikën botërore, apo atë rajonale. Mesiç është bërë president duke ardhur nga një parti e vogël. Ilir Meta me 4 deputetë, ka marrë 4 ministra, duke u bërë sot presidenti i Shqipërisë.
Ata që habiten me këtë që ndodhi, janë duke u fokusuar tek partia e Behgjet Pacollit dhe jo tek aftësitë e tij për të qeverisur, aftësitë e tij ekzekutive. Sepse prej tash e tutje, në diskutim janë pikërisht aftësitë e tij ekzekutive. Behgjet Pacolli ka dëftyer aftësi të mëdha diplomatike me lobimin e tij ndërkombëtar. Ai ka ofruar platforma të gatshme për zgjidhjen e çështjes së Kompleksit ‘Trepça’, për veriun e Kosovës, për platforma agroushqimore që modernizojnë bujqësinë, për bashkimin ekonomik me Shqipërinë. Tani ai ka rastin të tregojë se ai mund të bëjë shumë prej çfarë ka premtuar. Ndoshta jo të gjitha, por ama shumëçka.

Behgjet Pacolli ka thënë më parë se nuk hyn në qeveri nëse nuk do të kishte timonin. Sot ai praktikisht e ka një pjesë të timonit. Behgjet Pacolli gjendet në vijën kufitare midis suksesit dhe dështimit të madh. Nëse do dështojë, ai nuk ka alibi. Nëse do ketë sukses, ai do të hyjë në historinë e Kosovës. Mundësitë ekzistojnë, nëse ai do ta nxjerrë nga ngulfatja qeverisjen e Kosovës, duke e shkëputur nga modeli parazitar i qeverisjes minimaliste pa kurrfarë përparimi. Dhe sprovë tjetër dramatike do të jetë edhe loja mes partnerëve qeverisës. Një koalicion i ndërtuar vështirësisht me pjesëmarrjen e pesë partive, asnjëra prej të cilave nuk ka një epërsi të dukshme dhe të gjitha bashkë nuk krijojnë shumicë bindëse, e bën të gjasshme lojën e pandershme të ndërkëmbëzave.

Gjithë skeptikët mendojnë se kjo qeveri nuk do ta ketë jetën e gjatë, për shkak të numrave të ngushtë. E vërteta është se faktori ndërkombëtar ka interesin më të madh për të ruajtur këtë qeveri, për shkak të koniukturës së bisedimeve me Serbinë që do të çojë në heqjen e vetos serbe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Me gjasë ky ndryshim serb do të imponojë shumë kushte për Kosovën, por në këtë skenar, Serbia do të fitonte mbështetje të madhe perëndimore duke iu shkëputur ndikimit rus. E në këtë skenar, Kosova duhet të ketë një qeverisje të besueshme dhe me mandat të plotë.

Pacolli vjen në këtë detyrë pasi është përpjekur më kot dhe shumë gjatë të bashkojë të pabashkueshmit: LDK-në dhe VV-në. Pasi nuk mundi në një sfidë që i mori shumë energji, por që ia rriti kredencialet personale, pasi mori lëvdatat e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, apo dhe të numrit dy të saj, Abdulla Hoti, që e quajti hero të gjallë të historisë moderne të Kosovës, Pacollit i lindi e drejta të thoshte mjaft. Me pak fjalë ai tha: nuk kam këtë karrierë të gjatë, këto suksese në biznes, për të ndenjur dhe pritur derisa të bëheni bashkë, duke qenë ushtari juaj. Dhe bëri lojë të mëvetshme politike.
Jemi pra në situatën kur të gjithë gjatë këtij muaji e kanë lavdëruar Behgjet Pacollin, sepse i duhej. Ramush Haradinaj, që ka gjithashtu sfidën e jetës së vet, i besoi dikasteret më të rëndësishme të ekonomisë dhe diplomacinë, sepse don të lidhë suksesin e tij me atë të Pacollit. Pacolli ndërkaq nuk ndryshoi brenda ditës. Sot ai nuk pritet të provohet për aftësitë partiake, por për aftësitë qeverisëse. Jemi në situatën e investimit maksimal të besimit tek Pacolli. Besim nga brenda, por dhe nga jashtë. Nuk ka mundësi që çfarë po ndodh në Kosovë, të jetë jashtë vëmendjes ndërkombëtare. E për pasojë ky moment është moment i triumfit të Pacollit. Ai duroi, por fitoi. Konsideratat morale ngjajnë teatër në politikën e Kosovës, ku të gjithë janë me të gjithë kundër të gjithëve.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK