Zërat
Arsim Canolli
Arsim
Canolli

Dialogu me Serbinë

Zërat September 04, 2017 - 20:04

Po paralajmërohet se në dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, do të flitet edhe për kishat e manastiret serbe, në emër të dialogut për trashëgiminë kulturore. Pse? Për faktin se, fatkeqësisht, kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, të cilat mbrohen si trashëgimi kulturore e Kosovës, janë esencialisht të lidhura me mitin serb për Kosovën. Miti i Kosovës banon në kulturën serbe. Ky mit orienton politikën dhe diplomacinë e Serbisë. Serbia ka bërë propogandën e saj perfide për të bindur komunitetin ndërkombëtar se gjendja e kishave dhe manastireve serbe në Kosovë është në rrezik dhe duhet të jetë temë e rëndësishme në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. 

Me gjithë retorikën e dialogut për Kosovën, katarza e Serbisë nuk do të jetë demitizimi apo zgjimi nga makthi i saj për Kosovën. Serbia synon të krijojë një Atos në Kosovë. Në një anën, synon të krijojë një Atos të “izoluar” dhe “muzeor” për të cenuar sovranitetin dhe juridiksionin e Republikës së Kosovës, e në anën tjetër synon krijimin e një Atosi vibrant e dinamik për të kultivuar mitin serb. Sepse, në filozofinë e saj afatgjate të artikuluar nga akademikët dhe kisha e saj,  synimi i Serbisë është ruajtja e jetës monastike serbe në Kosovë, por brenda mureve të një “kishë-shteti”.  

Pra, Serbisë nuk i mjaftojnë ligjet sui generis, që dalin nga Plani i Ahtisarit ku garantohet ekzistenca, mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i këtyre kishave e manastireve dhe identiteti i tyre fetar. As ligjet mbi të drejtat dhe liritë fetare, as lëvizja e lirë, as lehtësirat në taksa e dogana. Ajo dëshiron të ruajë “zemrën” e “djepin” e saj brenda një “kishë-shteti” në Kosovë. Askund në botën moderne nuk etnizohet trashëgimia kulturore sikur në Kosovë. Por, as kjo nuk i mjafton Serbisë.

Në këtë dialog, Serbia ka dhënë shenja se dëshiron të bindë bashkësinë ndërkombëtare që Kosova të lëshoj pe dhe të ofrojë një status të veçantë ligjor për këto kisha e manastire. Kështu, synimi është të nxirret statusi i një “kishë-shteti” brenda shtetit të Kosovës, apo si thamë, një tip i Atosit brenda Kosovës. Në malin Atos është i vendosur një entitet ortodoks me gjenezë bizantine i cili ka një status special brenda shtetit grek dhe po ashtu edhe brenda BE-së. Si entitet me autonomi të plotë nuk mund të vizitohet pa leje speciale. Madje gratë nuk lejohen si vizitore fare.

Këto shenja të Serbisë lexohen edhe te veprimet e Kishës Ortodose Serbe në Kosovë, të cilën Kosova e ka njohur si entitet me seli në Beograd. Kisha Ortodokse Serbe denigron shtetin e Kosovës duke bojkotuar bashkëpunimin me të. Po ashtu, përmes disa “këshilltarëve” ndërkombëtarë për shtetin e  Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, për një kohë të gjatë së fundi ka propoguar idenë e një marrëveshjeje të re ndërkombëtare për statusin e saj apo një Ahtisari +, si te përfaqësitë ndërkombëtare ashtu edhe te krerët politikë. Kjo ide nuk çon askund tjetër pos te tipi i shtetit brenda shtetit, si në Atos.

Për politikanët ndërkombëtarë, ideja e ishullimit legjislativ brenda një “kishë-shteti” nuk është kocneptualisht e papranueshme përderisa garanton “paqen” mes Serbisë dhe Kosovës. Madje si ide është përndjellëse dhe ekzotike. Sepse, në një anë ekziston Atosi e në anën tjetër Vatikani. Ato akomodojnë entitete religjioze të krishtera si “kishë-shtete”. Megjithatë, situata në Kosovë nuk është e njëjtë me Atosin e Greqisë as me Vatikanin e Italisë, as nga natyra kulturore, as nga ajo historike e as nga ajo politike.

Kosova nuk duhet të pranojë argumente të tilla nga askush. Miqëve ndëkombëtarë duhet t’iu sqarohet dhe argumentohet realiteti ligjor,  konteksti kulturor dhe mundësitë realpolitike. Pa servilitet naiv, pa patetizëm nacionalist. Me fakte dhe argumente. Serbët kanë të drejtat dhe liritë e tyre si qytetarë të Kosovës ashtu sikurse përcaktohen ato në kushtetutë e ligje. Edhe kishat dhe manastiret serbe trajtohen si trashëgimi kulturore me mbrojtje të veçantë nga ligje specifike të Kosovës të cilat kanë dalur fije e për pe nga Plani i Ahtisarit. Sepse pyetja hipotetike shtrohet cili deputet shqiptar do ta votonte një “kishë-shtet” të Serbisë, një Atos serb në Kosovë?

Ekipi gjithëpërfshirës i dialogut me Serbinë, i paralajmëruar nga presidenti i Kosovës, nuk duhet të jetë ekip për sy e faqe. Ky ekip duhet të jetë një ekip profesionist që ka të qartë qëllimin e dialogut, bazën ligjore ekzistuese të Republikës së Kosovës në raport me trashëgiminë kulturore dhe të drejtat e serbëve dhe vijën e kuqe të dialogut. Si presidenti, si ekipi i dialogut të ardhshëm për trashëgimi kulturore, nëse veç nuk mund të evitohet dialogu për kisha e manastire serbe, duhet ta kenë parasysh se çfarëdo vendimi për krijimin e “kishë-shtetit” serb në Kosovë, mund të destabilizojë jo vetëm Kosovën por edhe rajonin.

Andaj, dialogu për trashëgiminë kulturore duhet të shndërrohet në dialog sqarues për të gjithë në mënyrë që të njihen ligjet ekzistuese dhe të pranohet argumenti mbi kontekstin ligjor ekzistues. Dialogu nuk duhet të përfundojë në marrëveshje politike për realizimin skenik të monologut mitik të Serbisë. Kosova gjithmonë duhet të ruhet nga agresioni i Serbisë. Carpent tua poma nepotes!

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK