Zërat
Arsim Canolli
Arsim
Canolli

Lidhja Demokratike e Kosovës, LVV-ja dhe PAN-i

Zërat August 28, 2017 - 12:43

Lidhja Demokratike është parti politike e Kosovës dhe duhet të bëjë politikë të përgjegjshme për ta mbrojtur e për ruajtur qenësinë unike të shtetit të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka themeluar shtetin e Kosovës përmes idesë së krijimit të variantit politik shqiptar që kulmon me Republikën e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran dhe duke refuzuar diktatin e dhunës së Serbisë.

Në aspektin psikologjik refuzimi politik dhe kërkesa për pavarësi, në kuadër të rezistencës paqësore, kanë hapur shtegun për refuzim ushtarak. Pa hapjen e shtegut politik paqësor nga LDK-ja, as projeksionet e rezistencës së grupeve ilegale, as projeksionet e rezistencës së UÇK-së nuk do të mundë të fitonin kundër aparatusin ideologjik, propagandistik e ushtarak të Serbisë.

Po ashtu, pa ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës nga LDK-ja Kosova nuk do ta fitonte përkrahjen për intervenim ndërkombëtar. Pra, pa këtë këmbëngulësi të LDK-së në refuzim politik, në variant politik shqiptar dhe ndërkombëtarizim të problemit të Kosovës nuk do të mundë të krijohej as Republika e Kosovës. Ideja revolucionare unioniste e propozuar nga marksistë-leninistët nuk ka pasur mundësi të fitojë as atëherë e nuk mund të fitojë as sot.

Nuk përjashtohen anët tjera të medaljes për krijimin e Republikës së pavarur të Kosovës. Por, është e rëndësishme të njihet pesha e LDK-së në këtë drejtim.

Se LDK-ja duhet të hyjë në konverzacion me veten për vlerat e saj dhe vlerat e qytetarëve të Kosovës kjo s’do mend. Ka kohë që LDK-ja po flirton me vlera tjetërfare nga vlerat e saj themelore.

Por, në rrethanat e sotme realpolitike LDK-ja duhet të vendosë sy te një qëllim dhe të ngulë këmbë për të: të vendosë për të ardhmen e Kosovës në Kuvend të Kosovës pa qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme të dalë nga 11 qershori, qoftë të formuar nga PAN-i, qoftë nga LVV-ja. Tani për tani LDK-ja duhet të bëjë politikë fort të mençur në legjislativ, jo në ekzekutiv. Sesi vendos t’i bëjë ndeshrashjet e marrëveshjet e veta, kjo është çështje e ritmit të politikës ditore.

Vizioni politik i LDK-së duhet të jetë vizioni i qenësisë së Kosovës. Nga jashtë LDK-ja duhet ta mbrojë Kosovën nga agresioni politik serb, ndërsa brenda saj nga ideologjia revolucionare e maskuar brenda politikës.

Qeverisja e përbashkët me LVV-në i bën dëm, por në rastin më të pafavorshëm duhet ta përkrahë LVV-në që të formojë Qeveri, por pa u bërë pjesë e saj. Sepse, nëse LVV-ja nuk merr pushtet sa më parë, ajo do të fillojë të bëjë gjueti shtrigash në gjithë shoqërinë shqiptare për ta arritur qëllimin ideologjik.

LVV-ja e ka dëshmuar se mëton ta bëjë këtë duke ndjekur, mes tjerash, makthet e Antonio Gramshit, ideologut të burgut, për përpjekjen e vazhdueshme për “kundërhegjemoni” brenda sferës publike. Ideologjia e tipit gramshian “kundër hegjemonisë” ka infiltruar edhe jetën kulturore, akademike e intelektuale në përgjithësi. Prandaj LVV-së duhet t’i jepet pushtet që të dështojë, sepse në politikë ajo ideologji do të dështojë, veç nëse shartohet substancialisht, gjë që paraqet një realitet tjetër.

Qeverisja e përbashkët me PAN-in nuk do të ishte produktive. Madje kjo as nuk duhet votuar si qeverisje. PDK-ja ka treguar se është parti pa ideologji, në sensin e ideologjisë që ka LVV, por edhe me vizion të dobësuar politik.

AAK-ja dhe Nisma po shfaqen si parti situacionaliste dhe si të tilla nuk kanë vizione politike. Pa dyshim se ato kanë peshë në realpolitikën e sotme, por nuk kanë frymë për maratonë të gjatë politike. Në fund të fundit, PAN-i si trini është pikërisht ashtu sikurse do të duhej të ishte që nga fillimi dhe si duket në të ardhmen këto parti do të garojnë për vend të tretë, jo për të parin. Tkurrja e tyre është duke ndodhur dhe është e natyrshme.  

Prandaj, LDK-ja duhet t’i kthehet vetes dhe të profilizohet. Por, ndërkohë të bëjë politikë kuvendare për Kosovën: pa ngarendje pas ministrive, projekteve dhe intencës së disa kontabilistëve të saj për të treguar zotësi në rregullimin e “mirëqenies sociale”. Në Kuvend të Kosovës LDK-ja duhet t’i kundërshtojë ndërskamcat e ardhshme të Serbisë dhe ta parandalojë me argumente shkeleshkonë e rastësishme të ndërmjetësve ndërkombëtarë. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK