Zërat
Besnik Berisha
Besnik
Berisha

Mos u frikësoni nga LVV-ja!

Zërat August 15, 2017 - 20:50

Për herë të katërt këtë të hënë dështoi konstotuimi i Kuvendit të Kosovës. Faji sërish po bie mbi lëvizjen “Vetëvendosje”. Pavarësisht se i kujt në të vërtetë është faji, ajo që dihet është se Kosova është në prag të një krize politike. Kjo është e qartë. Madje nëse mbetet vetëm në nivel krize edhe si e tillë mund të tejkalojë, mund të lavdërohemi se ditëm dhe ia dolëm. Për me keq situata është rrugës për të dalë jashtë kontrolli.

Dhe kjo mund të ndodhë në qoftë se vazhdojmë të dëgjojmë në baza ditore akuza e kundërakuza të partive politike dhe atë pikërisht pas rezultateve të dala nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme të mbajtura në qershor. Akuzat nëse nuk hetohen nga ata që janë të thirrur për ta bërë këtë punë mund të përfundojnë me qërimin e hesapeve personale në rrugë. Mos ta bëjë zoti ta shohim ndonjë vrasje apo tentim për diçka të tillë!

Ta dëgjosh lëvizjen “Vetëvendosje” duke kritikuar nuk është se edhe mund të çuditet dikush. Pikërisht për shkak të këtyre kritikave, nga përvoja dhe nga njohuria ime kritika me vend, lëvizja “Vetëvendosje” sot qëndron si partia më e votuar. Shkurtpamësit mund ta cilësojnë si të dytën, duke e marrë për bazë koalicion e disa partive politike që mezi ia dolën të marrin vota sa për të dalë të parat në listë e për ta pasur të drejtën që të tentojnë në krijimin e Qeverisë.

E dimë që lëvizja “Vetëvendosje” gjithmonë ka shprehur haptazi pakënaqësinë e saj ndaj keqqeverisjes së dy partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së, të cilat përgjatë gjithë kohës sa kanë qeverisur me vendin nuk i kanë ofruar popullit asgjë përpos vuajtjes dhe kokëdhembjes.

Pa marrë parasysh kërcënimet e panumërta të këtyre dy partive ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes”, këta ta fundit asnjëherë nuk reshtën së informuari popullin dhe duke i nxjerrë në dritë fytyrat e politikanëve të korruptuar të subjekteve të mëdha politike. Dhe, duke mos e pasur fuqinë politike në Parlament, ata gjithmonë gjetën rrugë tjera.

Ata kërkuan ndihmën e popullit përmes organizimit të protestave. Kjo ngase LVV-ja ka besuar dhe beson që qeveria nuk e kontrollon popullin, porse populli duhet ta kontrollojë qeverinë, gjë e cila deri më tani nuk ka ngjarë.

Kjo ngase njerëzit që deri më tani e kanë qeverisur popullin e dalë nga lufta gjithmonë menduan se po ai popull duhet kontrolluar, madje edhe me dhunë. Kjo u dëshmua më së miri derisa në protesta të ndryshme kundër keqqeverisjes ata u shpërndanë e madje edhe me bombola uji, gaz lotsjellës e plumba plastikë. Jo vetëm kaq, ata përdorën edhe shkopinjtë e hekurt që më shumë ngjasonin në policinë e regjimit serb sesa në policinë e një vendi që lufton për të mirën e vendit të vet.

Dorën në zemër, më së paku kjo Polici duhet krijuar ngase urdhrat për të vepruar atyre ua kanë dhënë përfaqësuesit politikë të dy partive politike, LDK-së dhe PDK-së, të cilët tashmë së fundi po i frikësohen lëvizjes “Vetëvendosje”.

Madje po këta politikëbërës dyshohet se kanë gisht në vetëvrasjen e Astrit Deharit, aktivist i devotshëm i Lëvizjes, që mbahej në burg nën akuza politike. Zyrtarisht vdekja e tij është cilësuar si vetëvrasje, por në këtë version nuk kanë besuar asnjëherë familjarët e tij, e madje as aktivistët e “Vetëvendosjes”, që në baza ditore kërkojnë drejtësi për rastin e tij.

Pikërisht akuzat e kundërakuzat nga LVV-ja që e kritikon PDK-në për vrasjen e tij dhe akuzat e PDK-së në anën tjetër që e akuzojnë LVV-në për shtytjen në vetëvrasjen e Deharit kanë bërë që akuzat dhe kritikat politike të jenë më të zëshme. Në këtë mes nuk kanë munguar as kërcënimet me jetë, nuk janë kursyer as të sharat me nënë, as ato për të kaluarat e familjarëve. E situata vjen e bëhet edhe më keq tashmë kur Kosova është në prag të krizës politike si rezultat i mosvotimit të deritashëm të kreut të Parlamentit, veprim i cili do t’i hapte rrugës votimit të koalicionit.

Por, duket se zëri i PDK-së ndaj LVV-së është rritur së fundi pikërisht për shkak të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen pas disa muajsh. Rezultatet e bindshme në favor të LVV-së në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ku LVV-ja ka dalë fituese në disa komuna, ka ndikuar që partitë e tjera të mëdha, PDK-ja dhe LDK-ja, të mos ndihen komode. Pikërisht për këtë arsye dhe nga frika pasi Shpend Ahmeti e ka paralajmëruar rikandidimin për kryetar të Prishtinës, ka bërë që Dega e PDK-së në Prishtinë t’i publikojë kinse dokumentet ku bëhen me dije parregullsitë gjatë qeverisjes së deritashme të Shpend Ahmetit.

Fundja, zgjedhja e Shpend Ahmetit si kryetar të Prishtinës dëshmon qartë se LVV-ja mori mbështetjen e popullit, duke mposhtur Isa Mustafen, njeriun që mendoi se e kishte Prishtinën në pëllëmbë të dorës. Se Shpend Ahmeti e qeverisi Prishtinën në mënyrën më të mirë dëshmon fakti se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014 “Vetëvendosje” ishte e treta në renditje, me mbi 99 mijë vota, derisa duke parë se LVV-ja po i mban premtimet, në zgjedhjet e fundit kjo Lëvizje e dyfishoi numrin e votave. Duke e parë këtë sukses të LVV-së, partive të tjera në vend u ka hyrë frika. Thjesht po frikësohen dhe këtë e dëshmuan edhe të hënën me mospjesëmarrjen në seancën për konstituim të legjislativit.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK