Zërat

Mentor Nazarko

Topi është në dorën e Presidentit

24 gusht 2017 • 21 : 04

Edhe seanca e sotme kaloi pa kurrfarë rezultati për t’i dhënë jetë institucioneve të reja të Kosovës.

Në të vërtetë, e tërë kjo që po ndodh është një situatë tipike kosovare që tregon papjekurinë e klasës politike, mungesën e përvojës dhe vetëdijës kushtetuese si dhe makiavelizmin e skajshëm.

Gjithë kjo përzierje e këtyre faktorëve po përfton këtë situatë të paprecedentë.

Kushtetuta e Kosovës është sikurse të gjitha kushtetutat e republikave të tjera parlamentare. Menjëherë pas zgjedhjeve, një partie të shumicës relativre ose absolute i jepet mandati për të themeluar qeverinë dhe institucionet e tjera.

Institucioni i vetëm që ka fuqinë për t’iu dhënë jetë institucioneve të tjera është Presidenti i Republikës.

Në vend që të kemi këtë hap kushtetues, që ndodh kudo në republikat fqinje parlamentare, sot po procedohet nga e kundërta, po provohet të themelohet Kuvendi dhe të arrihet konsensus për zgjedhjen e kryekuvendarit nga koalicioni i shumicës relative, që në këtë rast është PAN-i.

Vetëm tani po kuptohet që nuk ka një shumicë, anipse ky ëshë një fakt që arrihet të kuptohet me common sense, me inteligjencë të zakonshme.

Nga pikëpamja kushtetuese, nëse ka shumicë ose jo, mund të konstatohet vetëm nga Presidenti i Republikës i cili është i vetmi institucion legjitim për aq kohë sa nuk ka Kuvend.

Në kushte të tilla, ai do të duhej ose t’i jepte një ultimatum atij koalicioni që ka shumicën, ose në të kundërtën t’i jepte rastin një mandatari të dytë.

Kosova nuk po shkon drejt një zgjidhje institucionale sipas Kushtetutës së vet, por provon të adoptojë një lloj zgjidhje ad hoc.

Ajo çka është edhe më e çuditshme është mungesa e çfarëdo veprimi nga ana e partive opozitare, të cilat po taktizojnë. Afrimi i zgjedhjeve lokale, më 22 tetor, po bën që të gjithë të merren me llogaritë dhe taktizimet zgjedhore, ndërkohë që po rritet hendeku midis LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Në këto kushte është mirë që palët t’i drejtohen Kushtetutës dhe Presidenti të marrë fuqinë në dorë dhe të zgjidhë krizën. Ai është arbitri dhe institucioni që ka legjimitetin e plotë në këtë periudhë…(Konica.al)

© zëri.info