Zërat
Anatole Kaletsky
Anatole
Kaletsky

Është koha e një revolucioni makroekonomik

Zërat August 24, 2017 - 13:07

Qëkur kriza financiare botërore nisi një dekadë më parë nuk ka pasur mungesë idesh të vlefshme për t’i përmirësuar kushtet ekonomike dhe për ta lehtësuar pakënaqësinë e publikut. Pyetja e vërtetë është se pse kaq shumë pak prej këtyre ideve janë zbatuar deri tani?

Muaji tjetër do ta shënojë dhjetëvjetorin e krizës financiare botërore, e cila nisi më 9 gusht 2009, kur “Banque National de Paris” njoftoi se vlera e shumë prej fondeve të saj, të cilat supozohej se mbanin bondet më të sigurta të mundshme të kolateralizuara amerikane, kishte avulluar. Nga ajo ditë vendimtare bota e zhvilluar kapitaliste ka përjetuar periudhën më të gjatë të stanjacionit ekonomik që nga dekada që filloi me kolapsin e Uoll Stritit më 1929 dhe përfundoi me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhjetë vjet më vonë.

Pak javë më parë, në konferencën “Rencontres Économiques” në Eks-o-Provans mua më pyetën nëse kishte pasur ndonjë gjë që mund të bëhej për ta shmangur “dekadën e humbur” me nënperformancë ekonomike që nga kjo krizë. Në një seancë të titulluar “A kemi mbetur ne pa politika ekonomike?”, bashkëpanelistët e mi treguan se në fakt përgjigjja është jo. Ata ofruan shumë shembuj të politikave që mund të kishin përmirësuar rritjen e prodhimit, punësimin, stabilitetin financiar dhe shpërndarjen e të ardhurave.

Kjo më mundësoi mua ta trajtoj pyetjen që unë e gjej më interesante: Duke parë bollëkun e ideve të vlefshme, pse ne kemi kaq pak politika të zbatuara nga ato që mund të kishin përmirësuar kushtet ekonomike dhe do të kishin pakësuar pakënaqësinë e publikut që nga shpërthimi i krizës?

Pengesa e parë ka qenë ideologjia e fundamentalizmit të tregut. Që nga fillimi i viteve 1980 politika është dominuar nga dogma se tregjet kanë gjithmonë të drejtë dhe ndërhyrjet e qeverisë në ekonomi janë pothuajse gjithmonë të gabuara. Kjo doktrinë u fuqizua me kundërrevolucionin monetarist kundër ekonomiksin Kejnesianist, që rezultoi nga krizat inflacionare të viteve 1970. Kjo është çfarë frymëzoi revolucionet politike Thatcher-Reagan, të cilat nga ana e tyre ndihmuan në ushqimin e 25 vjetëve bumi ekonomik, që filloi në vitin 1982.

Por fundamentalizmi i tregut frymëzoi gjithashtu gabime të rrezikshme intelektuale: atë që tregjet financiare janë gjithmonë racionale dhe efikase; që bankat qendrore duhet thjesht të shenjestrojnë inflacionin dhe të mos e shqetësojnë veten me stabilitetin financiar dhe papunësinë; që roli i vetëm i politikës buxhetore është që të ketë buxhete të balancuara dhe jo që të stabilizojë rritjen ekonomike. Edhe pse këto gabime logjike e hodhën në erë ekonomiksin e fundamentalizmit të tregut pas vitit 2007, politika fundamentaliste e tregut mbijetoi, duke parandaluar zbatimin e politikave të duhura kundër krizës.

Kjo nuk duhet të vijë si surprizë. Fundamentalizmi i tregut nuk qe thjesht një modë intelektuale. Interesa të fuqishëm politikë motivuan revolucionin e të menduarit ekonomik të viteve 1970. Ajo që supozohej se qe provë shkencore se ndërhyrja e qeverisë në ekonomi qe pothuajse gjithmonë kundërprodhuese legjitimoi një zhvendosje të stërmadhe në shpërndarjen e pasurisë nga punëtorët industrialë te pronarët dhe menaxherët e kapitalit financiar si dhe të pushtetit, nga punëtorët e organizuar tek interesat e biznesit. Ekonomisti polak Michal Kalecki, një bashkëshpikës i ekonomiksit Kejnesianist (dhe një kushëri i largët i imi) e parashikoi këtë përmbysje politikisht të motivuar në ideologji me një saktësi të pabesueshme në vitin 1943:

“Supozimi se një qeveri mund të mbajë punësim të plotë në një ekonomi kapitaliste nëse di sesi mund ta bëjë, është një supozim i gabuar. Nën një regjim të punësimit të plotë dhe të përhershëm ‘thesi’ do të pushojë së funksionuari si një masë disiplinuese, duke shtyrë qeveritë të shpenzojnë para zgjedhjeve. Punëtorët pas kësaj mund të dalin jashtë kontrolli dhe kapitenët e industrisë do të jenë të prirë ‘t’ua japin atyre një mësim’. Një bllok i fuqishëm ka gjasa do të krijohet mes bizneseve të mëdha dhe interesave të rentës dhe ata ka gjasa do të jenë në gjendje të gjejnë më shumë sesa një ekonomist që të deklarojë se situata është qartazi e pashëndetshme”.

Ekonomisti që deklaroi se politikat e qeverisë për të mbajtur punësim të plotë qenë “qartazi të pashëndetshme” qe Milton Friedman. Dhe revolucioni i fundamentalizmit të tregut që ai ndihmoi për ta udhëhequr kundër ekonomiksit Kejnesianist vijoi për 30 vjet. Por, njësoj siç u diskreditua Kejnesianizmi nga krizat inflacionare të viteve 1970, fundamentalizmi i tregut u rrënua nga kontradiktat e veta të brendshme në krizën deflacionare të vitit 2007.

Një kontradiktë specifike e fundamentalizmit të tregut sugjeron një arsye tjetër për stanjacionin në të ardhura dhe ngritjen e kohëve të fundit të populizmit. Ekonomistët besojnë se politikat që rrisin të ardhurat kombëtare, të tilla si tregu i lirë dhe derregullimi, janë gjithmonë në përfitim të shoqërisë, pavarësisht sesi shpërndahen këto të ardhura më të larta. Ky besim është bazuar në një parim të quajtur “Optimaliteti Pareto”, i cili supozon se njerëzit që fitojnë të ardhura më të larta mund t’i kompensojnë gjithmonë humbësit. Për rrjedhojë, çdo politikë që rrit të ardhurat e agreguara mund të jetë e mirë për shoqërinë, për shkak se mund t’i bëjë disa njerëz më të pasur pa lënë asnjë tjetër më të varfër.

Por çfarë ndodh nëse kompensimi i supozuar nga teoria e ekonomistëve nuk ndodh në praktikë? Çfarë ndodh nëse politikat e fundamentalizmit të tregut, të cilat në mënyrë specifike ndalojnë rishpërndarje të të ardhurave apo subvencionimet rajonale, industriale dhe të arsimit që mund të kompensojnë ata që vuajnë nga tregtia e lirë dhe nga “fleksibiliteti: i tregut të punës? Në këtë rast, optimaliteti Pareto nuk është fare optimal nga pikëpamja shoqërore. Në vend të kësaj, politikat që intensifikojnë konkurrencën, qoftë në tregti, në tregjet e punës apo në prodhimin vendës mund të jenë shkatërrimtare në terma shoqërorë dhe shpërthyese në terma politikë.

Kjo nxjerr në pah një arsye tjetër për dështimin e politikës ekonomike që nga viti 2007. Ideologjia dominuese e mosndërhyrjes së qeverisë në mënyrë natyrore e intensifikon rezistencën ndaj ndryshimit mes humbësve nga globalizimi dhe teknologjia dhe krijon probleme të stërmëdha në zbatimin e reformave ekonomike. Për të pasur sukses, politikat monetare, fiskale dhe strukturore duhet të zbatohen së bashku, me një rend logjik dhe që përforcojnë njëra-tjetrën. Por nëse fundamentalizmi i tregut bllokon politikat ekspansioniste makroekonomike dhe parandalon rishpërndarjen e taksimit apo shpenzimeve publike, rezistenca populiste ndaj tregtisë, derregullimit të tregut të punës dhe reformave në pensione është e destinuar të intensifikohet. Anasjelltas, nëse kundërshtimi populist i bën reformat strukturore të pamundura, kjo nxit rezistencën konservatore ndaj makroekonomiksit ekspansionist.

Supozo, nga ana tjetër, që ekonomiksi “progresiv” i punësimit të plotë dhe rishpërndarjes mund të kombinohet me ekonomiksin “konservator” të tregut të lirë dhe liberalizimit të tregut të punës. Pas kësaj, si politikat makroekonomike, ashtu edhe ato strukturore mund të jenë më të lehta për t’u justifikuar politikisht dhe me shumë më tepër shanse për të pasur sukses.

A mund të presim që kjo do të ndodhë në Evropë? Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, e mbështeti fushatën e tij elektorale në një sintezë të reformave në tregun e punës të “krahut të djathtë” me lehtësim të kushteve fiskale e monetare të “krahut të majtë” dhe idetë e tij po marrin mbështetje në Gjermani dhe mes politikëbërësve të Bashkimit Evropian. Nëse “Macronekonomiksi”, tentativa për të kombinuar politika strukturore konservatore me makroekonomiksin progresiv ia del ta zëvendësojë fundamentalizmin e tregut që dështoi në vitin 2007, dekada e humbur e stanjacionit ekonomik mundet që shpejt të marrë fund, së paku për Evropën.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK