Zërat
Chris Patten
Chris
Patten

Ç’politikë të jashtme ndjek perëndimi?

Zërat August 23, 2017 - 12:56

Në ditët tona Perëndimi mund të përshkruhet si dekadent. Kjo nuk do të thotë thjesht se ne jemi nën varësi të politikës së “bukës dhe dëfrimit” nga programet e mirëqenies shoqërore në Evropë (të cilat ne kemi vështirësi për t’i paguar) te Kampionati i Ligës së Futbollit në Shtetet e Bashkuara.

Kjo do të thotë se ne jemi gjithnjë e më ngurues që ta lejojmë vizionin tonë të lirive civile dhe të të drejtave të njeriut të ndikojnë mbi politikat tona të jashtme, duke pasur frikë nga kostot e mundshme komerciale.

Le ta marrim parasysh rastin e disidentit të Kinës dhe Nobelistit të Paqes Liu Xiaobo, i cili vdiq së fundmi ndërsa vuante një dënim 11-vjeçar me burg për shkak se pati bërë thirrje për demokraci në Kinë. Autoritetet e Kinës refuzuan kërkesën e Liu, të bërë vetëm pak javë para vdekjes, për të marrë trajtim mjekësor jashtë vendit për kancerin e tij agresiv, ndërkohë që bashkëshortja e tij vijon të qëndrojë në arrest shtëpiak.

Trajtimi i disidentëve si Liu nga Kina nuk është gjë tjetër veç barbari. Megjithatë udhëheqësit e Perëndimit kanë ofruar vetëm pak deklarata diplomatike të hartuara me tepër kujdes për ta kritikuar atë.

Unë thjesht mund ta marr me mend se sa janë udhëheqësit e Perëndimit që kanë diskutuar çështjen e Liu me homologët e tyre kinezë në bisedat me dyer të mbyllura. Mundësitë për këtë qartazi kanë qenë të shumta, duke përfshirë edhe takimin e kësaj vere të G-20-ës, kohë kur Liu qe në shtratin e vdekjes.

Por, duket pa gjasa që udhëheqësit e Perëndimit të jenë përballur me presidentin e Kinës Xi Jimping mbi këtë çështje. Në fund të fundit, kur Liu mori çmimin “Nobel” më 2010 dhe Kina e zemëruar u përpoq ta sulmonte Norvegjinë, Perëndimi nuk shprehu zemërim apo nuk tregoi solidaritet të vërtetë me një aleat të NATO-s.

Trajtimi i Hong Kongut nga Kina ka kaluar në mënyrë të ngjashme pa kundërshti nga udhëheqësit e Perëndimit. Kina duket se ka për synim t’i dhunojë detyrimet e veta, të ndërmarra në “deklaratën e përbashkët”, të nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar, për të ruajtur mënyrën e jetesës së qytetit dhe sundimin e ligjit deri në vitin 2047. Sakaq, ajo ka kërcënuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, autonominë e universiteteve dhe lirinë e shtypit. Megjithatë ka pasur shumë pak kritika për këtë në Perëndim, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.

Pse vendet e Perëndimit janë kaq ngurrues ta kritikojnë sjelljen e Kinës me zë më të lartë dhe në mënyrë më të vazhdueshme? Përgjigjja duket se është paraja.

Greqia, e cila me krenari pretendon se është djepi i demokracisë, ka udhëheqës që në përgjithësi u rritën duke kundërshtuar një qeveri autoritare ushtarakësh. Megjithatë qeveria e saj në vështirësi financiare së fundmi bllokoi Bashkimin Evropian nga tentativa për të kritikuar shkeljen e të drejtave të njeriut nga Kina në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për shkak se Kina ofron investime me rëndësi kritike, veçanërisht nga Kompania e Transportit Oqeanik të Kinës, e njohur si COSCO, e cila në gusht 2016 bleu një paketë mazhoritare në Portin e Pireut. Kryeministri grek Alexis Tsipras, i cili supozohet se është një i majtë radikal, i cili në nderim të Che Guevarës ia vuri emrin fëmijës së vet Ernesto, është bërë një karamelengrënës i Kinës.

Falimentimi moral i Perëndimit është në shfaqje edhe më pranë në shtëpi. BE-ja vijon të ngurrojë ta kritikojë sjelljen e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán, i cili me krenari mburret për besimin e tij te “demokracia joliberale” (një shprehi plot kundërshti kjo në vetvete). Nën udhëheqësinë e Orbán, shkeljet e konventave të të drejtave të njeriut në trajtimin e refugjatëve është shoqëruar nga një shtypje e shoqërisë civile, veçanërisht e organizatave që marrin para nga jashtë vendit.

Një objekt i njohur i këtij represioni është Universiteti i Evropës Qendrore, një bastion i debatit të hapur, mësimdhënies dhe kërkimit në Hungari, i cili është themeluar nga George Soros. Orbán ka shkuar aq larg sa ka rikthyer imazhet më të ndyra anti-semike të viteve 1930 të Hungarisë (një aleate e Gjermanisë Naziste) për ta demonizuar Sorosin. Megjithatë vetë Orbán ka kryer studimet në Universitetin e Oksfordit (ku unë jam kancelar) me një bursë të financuar nga Soros dhe ka studiuar atje nën mendimtarin e madh liberal Isaiah Berlin.

Edhe pse Hungaria e Orbán kundërshton detyrimet që ka si anëtar i BE-së, ajo vijon t’i marrë më shumë se 5.5 miliardë euro në vit nga BE-ja, ndërkohë që kontribuon aty me më pak se 1 miliard euro në vit. E pse shtetasit e Evropës duhet të paguajnë kaq shumë për një qeveri që tregon kaq pak respekt për ta dhe e krahason BE-në me Bashkimin Sovjetik? Në më të paktën BE-ja duhet t’i zbatojë kriteret e Traktatit të Lisbonës, të cilat e lejojnë atë t’i pezullojë disa të drejta të një vendi që thyen rregullat e saj dhe tregon neveri për standardet dhe vlerat e saj.

Sjella e Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në Poloni dhe qeverisë së saj, e cila tregon shumë pak shqetësime si për ligjin ashtu edhe për drejtësinë, ngre probleme të ngjashme. Qeveria po punon për ta ndryshuar kushtetutën në mënyrë që t’i shkatërrojë kontrollet dhe balancat demokratike. Ajo dukshëm dëshiron që gjykatësit ta bëjnë atë që politikanët kërkojnë që ata të bëjnë dhe nuk dëshiron që media të jetë në gjendje ta thotë këtë gjë. Unë guxoj të them se sundimtarët e Kinës nuk kanë vështirësi në të kuptuarin e sjelljes së PiS.

Turqia, natyrisht, nuk është vend anëtar i BE-së dhe as që ka gjasa të bëhet ndonjëherë nëse vijon në rrugën e represionit diktatorial të ndërmarrë nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, një tifoz jo i vogël i Vladimir Putinit të Rusisë. Por, nëse gjykojmë nga toleranca në rritje e BE-së për iliberalizmin, disa udhëheqës të BE-së mund të jenë të gatshëm të pranojnë marrëdhënie më të ngushta me Turqinë e Erdoğan.

Një dekadencë e tillë në politikën e jashtme kërcënon ta minojë pretendimin e BE-së si një bashkësi vlerash dhe jo thjesht si një bashkim doganor i glorifikuar. Siç e dimë ne, nga vitet 1920 dhe 1930, ndërsa dekadenca ushqen më shumë dekadencë, bota bëhet gjithnjë e më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Është koha për Evropën, në të cilën duhet të bashkohen Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump të mos jetë më president ta rigjejë kompasin tonë moral edhe një herë.  /The Time/ (Autori është ish-komisionar për politikë të jashtme BE)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK