Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Populli i lumtur i Labit

Zërat August 17, 2017 - 11:58

Labinot Tahiri është vetëm njëri nga këngëtarët e muzikës tallava tek ne. Tani, duke fituar me vota të lira postin e deputetit, është bërë përfaqësuesi më tipik i shoqërisë sonë tallava. Labi po dëshmon se ne jemi ai, ai është ne.

Kështu, me besimin e madh se është njëri nga përfaqësuesit më legjitim të kësaj shoqërie, të gjithëve nga ka vënë në zablludë (lajthitje), siç do të thoshte Sinan Hasani, një ish-lider shqiptar i YU-së. Burime të informuara mirë dëshmojnë se krejt kjo farsë politike rreth konstituimit të institucioneve të reja është meritë e Labit.

Labi në lajthitje e ka vënë gjithë koalicionin PAN, e në veçanti kandidatin për kryeministër Ramush Haradinajn. Në kontekst të kësaj Labin duhet kundruar jo si individ, por si fenomen të shoqërisë sonë. Dhe ndryshe as që mund të kundrohet, ndërsa gjithë këto vite të pasluftës investimi më i madh është bërë në kultivimin e injorancës dhe mediokritetit.

Tani të tillët kanë kapur edhe institucionet shtetërore dhe nëpërmjet tyre kanë rrënuar të gjitha vlerat. Tani dija ambalazhohet me një diplomë të trafikuar, ndërsa padija me një post të lartë deri në atë të kryediplomatit, siç është rasti me Emanuel Demajn.  

Në këtë mënyrë është krijuar një klimë e tillë në vend që të jesh i ditur është handikap, madje handikap i madh. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, ndërsa menjëherë pas lufte instaluam pushtetin e gënjeshtrës dhe të mashtrimit, i cili nuk mund të mbahet pa ushtarët injorantë dhe mediokër, ndërsa dija në parim mbështetet në të vërtetën.

Në këtë mënyrë logjikën e të vepruarit tallava e shtrimë në të gjitha sferat e jetës. Madje erdhëm deri në kohën që për ilustrim më së miri mund të na shërbejnë vargjet e famshme të Nolit: "O Halim që nuk din shkrim e lexim, bëhesh ministër për arsim!"

Dhe vërtet a nuk është turp për një shoqëri, e cila pas shumë sakrificave të mëdha dhe pas një përkrahjeje të jashtëzakonshme ndërkombëtare ka arritur të ndërtojë një shtet të ri, që në institucionin më të lartë të tij të ketë tipa si Labi?! Për më keq, tipi i tillë të ketë edhe guximin që të vërë në lajthitje një popull të tërë! Po meqë turpi dhe habia ka kohë që nuk banojnë këtu, jemi të dënuar të përballemi edhe me marrëzi të tilla ordinere.

Kujt i duhet një Qeveri dhe një kryeministër që bëhet nga koka e Labit, e Astrit Haraqisë, e Ukë Rugovës e të tjerëve si këta?! Sigurisht që kjo i duhet një klase politike që të vetmen logjikë rezonimi dhe veprimi e ka brenda kornizave tallava, madje konform votës së lirë, e cila në shkallë të madhe vazhdon të jetë e papërgjegjshme, përkatësisht votë tallava.

Dhe ky do të jetë fati ynë, shpresa e vetme e të cilit mund të mbështetet vetëm në numrin e rritur, përkatësisht të atyre mbi pesëdhjetë mijë votuesve, që në shenjë proteste votën e tyre e bënë të pavlefshme. Dhe nuk ka shpëtim tjetër përderisa me votën tonë nuk i bëjmë të pavlefshëm injorantët dhe mediokrit.

Shqetësim tjetër i madh për ne mbetet kriminalizimi i shoqërisë në një anë dhe në anën tjetër apatia e atyre që më së shumti i duhen këtij vendi. Kështu fare pak e rëndësishme është kur dhe si e bëjmë Qeverinë për popullin e lumtur të Labit, e rëndësishme është kur dhe si do ta mposhtim këtë ushtri të madhe të injorancës, për të cilën gjë nuk janë të gatshëm të na ndihmojnë edhe një herë ndërkombëtarët.  

    

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK