Zërat
Miodrag Soric
Miodrag
Soric

SHBA - Kore e Veriut: Vringëllimi i rrezikshëm i shpatave

Zërat August 11, 2017 - 14:00

Donald Trump kërcënon Korenë e Veriut me “zjarr, zemërim dhe fuqi”, si bota nuk e ka parë ndonjëherë. Pse nuk duhet që bota t'i shohë këto fjalë të këtij presidenti, si shumë të tjera, si fjalë boshe? Si njoftime të reja të një politikani të vetëdashuruar, por që në fund pasohen nga veprat? Përgjigjja: Sepse kjo luftë verbale në fund mund të shkallëzohet deri në një përplasje ushtarake, me pasoja fatale për miliona njerëz. Ky nuk do të ishte konflikti i parë që fillon me gjeste kërcënuese, por që del nga kontrolli në një moment të caktuar e kalon në një luftë shkatërruese.

Kryekomandanti i ushtrisë më të fuqishme të botës

Presidenti amerikan është kryekomandanti i ushtrisë më të fuqishme të botës. Pikërisht për këtë fakt ai duhet t'i zgjedhë me shumë kujdes fjalët dhe kërcënimet e këtij lloji t'i bëjë vetëm atëherë kur është edhe i gatshëm të godasë me mjete ushtarake, por kujdesi, përllogaritja, racionaliteti dhe vetëpërmbajtja nuk janë tipare karakteristike të këtij presidenti. Për fat të keq! Sepse ai nuk e ruan gjakftohtësinë. Përkundrazi, është njeri gjaknxehtë dhe bën politikë nisur nga emocionet, është impulsiv, nuk ka durim, e për këtë arsye është i rrezikshëm. Pikërisht për këto arsye, kështu tha presidenti Obama, i papërshtatshëm për të qenë kryekomandanti i forcave të armatosura amerikane.

Por votuesi amerikan vendosi ndryshe. Çdo shpresë që Donald Trumpin do ta formësojë posti, që do të veprojë e formulojë me kujdes ndërkohë është shuar. Fjalët e Trumpit drejtuar qeverisë koreanoveriore e vërtetojnë edhe një herë këtë.

Me kërcënimin e presidentit vihet në lojë besueshmëria e vendit. Nëse Uashingtoni do të lëshonte pe, gjë që do të ishte e arsyeshme, këtë do ta shënonin në regjistër kandidatë të tjerë dhe kundërshtarë të Amerikës. Nëse u jepej rasti, ata do ta ndiqnin shembullin e Koresë së Veriut dhe po ashtu do t'i hakërroheshin SHBA-së. Për pasojë kjo nënkupton që tani Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta ulin kokën e të tregonin dobësi para një regjimi kriminal si ai i Koresë së Veriut. E megjithatë nuk duhet që zhvillimet e tanishme të përfundojnë në një luftë, që do ta çonte të gjithë vendin në katastrofë.

Ky konflikt mund të çtensionohet vetëm nëse të dyja palët tërhiqen. Ose nëse një ndërmjetësues i ndershëm ndihmon që situata të mos shpërthejë. Të dyja mungojnë tani. As SHBA-ja dhe as Koreja e Veriut nuk duan të lëshojnë pe. Ndërmjetësues të mundshëm si Kina apo Rusia bëjnë lojën e tyre. Vërtet që Pekini dhe Rusia janë kundër që armët atomike të jenë në duart e një regjimi si ai i Kimit, por ato kanë më shumë frikë nga zgjerimi i influencës amerikane, nëse ky diktator bie. Kështu gjendja e status-quo-së me një regjim stalinist është në interesin e tyre.

Kush i bën llogaritë gabim në fund?

Por duket qartë që Trump nuk do ta pranojë këtë. Ai kërkon çarmatimin e Koresë së Veriut, por këtë, për momentin, mund ta bëjë vetëm me dhunë. Lidershipi koreanoverior nga ana tjetër bën llogari se Trump në fund nuk do të jetë i gatshëm për luftë dhe e zhvillon më tej armatimin. Ky regjim beson se vetëm me zotërimin e armëve atomike mund ta garantojë mbijetesën në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Një gjendje e rrezikshme e një qorrsokak, ku në fund të dyja palët mund t'i bëjnë llogaritë gabim. Trump është i zhgënjyer, sepse programi i tij qeverisës vërtet që nuk po ecën përpara, partia e tij po e lë në baltë dhe përkrahësit e tij prej kohësh janë të zhgënjyer.

...E nuk do të ishte lufta e parë që shpërthen jashtë vendit për ta tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme. (DW)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK