Zërat
Lavdim Hamidi
Lavdim
Hamidi

Politikë sekserësh

Zërat August 11, 2017 - 11:22

Ende pa mbaruar lufta për pushtetin qendror në Kosovë, sapo ka filluar një luftë e re mes politikanëve për pushtetin lokal.

Si zakonisht në Kosovë beteja zgjedhore nis së paku dy muaj para kohe, ku drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale braktisin detyrat institucionale, për të cilat kanë marrë besimin e qytetarëve dhe marrin detyra partiake.

Ata duhet të akuzojnë me fakte ose pa to kundërshtarët politikë, me një qëllim të vetëm: Të fitojnë më shumë vota në zgjedhje.

Kjo edhe po ndodh me drejtues të shumë ministrive dhe komunave, të cilët dalin pothuajse çdo ditë në konferenca partiake për t’i akuzuar rivalët e tyre politikë, ndonëse “dorën në zemër” shpeshherë po ia huqin cakut dhe po dalin joseriozë para opinionit.

***

Rasti më i rëndë i kësaj fushate parazgjedhore më duket i ministres së Drejtësisë në detyrë, Dhurata Hoxha, e cila në konferencat partiake dhe në statuset e saj në “Facebook” flet për padrejtësitë e sistemit të drejtësisë në vend.
Është e çuditshme se si ministrja e Drejtësisë së një shteti akuzon drejtuesit e opozitës që këto të fundit duhet të përgjigjen për arsyet e vetëvrasjes së Astrit Deharit dhe vëllait të tij, Arbënorit!

Nëse një ministre e Drejtësisë e di të vërtetën e këtyre vetëvrasjeve, besoj se e di edhe vendin e saktë se ku duhet të drejtohet dhe jo ta kontaminojë edhe më shumë ambientin politik me deklarata të tilla paradoksale për dy raste të rënda që i kanë shqetësuar më së shumti qytetarët në vend.

Ajo po ashtu ankohet se nuk e kupton sesi kryetari Shpend Ahmeti asnjëherë nuk dha llogari për vdekjen e dy fëmijëve në një gropë në Prishtinë.
Nuk besoj se dikush, qoftë edhe Shpendi, vullnetarisht jep përgjegjësi për raste të tilla të rënda, por institucionet e drejtësisë, në krye të të cilëve qëndroni ju ministre, duhet t’i kërkojnë atij llogari ligjore nëse kanë fakte se vdekja e fëmijëve ka ndodhur për shkak të neglizhencës direkte të kreut të Komunës. Përndryshe, s’keni pse ankoheni.

***

Për mbushjen e institucioneve me militantë partiakë nga partitë në pushtet më e zëshmja gjatë këtyre viteve të fundit ka qenë partia opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”.

Por, me akuzat e opozitës në Prishtinë (PDK) se gjatë mandatit të Shpend Ahmetit në krye të Komunës më të madhe në vend janë punësuar qindra militantë të “Vetëvendosjes” dikush nga kjo parti duhet të japë përgjigje.
Heshtja është pranim i këtyre akuzave nga Shpend Ahmeti karshi tendencës politike të PDK-së që të dëshmojë se nuk janë vetëm ata që kanë punësuar militantë partiakë e familjarë në institucione, por është edhe lëvizja “Vetëvendosje”, e cila qeveris me vetëm një komunë në vend dhe ka bërë veprime të ngjashme.
Shpend Ahmeti do të duhej po ashtu të japë përgjigje edhe për shpërblimin me tenderë të disa kompanive, siç është rasti i kompanisë “Rexha”, e cila i ka humbur të gjitha afatet për t’i përfunduar punimet me tenderin milionësh për rregullimin e platesë mbi “Kurriz” në Prishtinë.
Por, ja që ai ende s’ka dhënë përgjigje konkrete, i bindur se edhe një mandat do ta fitojë Prishtinën “me duar në xhepa”, siç ishte shprehur paraardhësi i tij në Komunë, Isa Mustafa.

***

Krahas këtyre luftërave politike për nivelin lokal Kosova as dy muaj pas zgjedhjeve nuk po arrin t’i formojë institucionet qendrore.
Koalicioni PAN, të cilit i takon ekskluziviteti në zgjedhjen e kryeparlamentarit, po vazhdon t’i bojkotojë seancat zgjedhore kinse për shkak të moskoordinimit me kryesuesin e seancës konstituive Adem Mikullovcin, ndonëse e vërteta e këtyre “fizkulturave” është mungesa e numrave të nevojshëm në Kuvend dhe tendenca për t’i kontrabanduar disa deputetë  nga partitë tjera me ndihmën e sekserëve, njëjtë siç vepruan me vajzën e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Teutën.

Një koalicion që do t’i kishte numrat e nevojshëm në Kuvend do të shkonte në seancë edhe në ditë vikendi po që se do të ftohej nga kryesuesi i seancës konstituive vetëm që t’i arrijë qëllimet e veta politike. Por, ja që ata nuk shkuan as në seancën e së enjtes.

Koalicioni PAN do t’i bojkotojë seancat për zgjedhjen e kryeparlamentarit në vazhdimësi nëse nuk arrijnë t’ia “rrëmbejnë” koalicionit LAA deputetët e AKR-së, lideri i së cilës, Behgjet Pacolli, nuk arriti të rezistojë më shumë se dy muaj dhe tashmë

ka dhënë sinjale se mund t’i bashkohet koalicionit më të madh që ka dalë në zgjedhjet e fundit për t’i siguruar numrat në Kuvend.

Gjitha këto zhvillime politike po prodhohen nga këta politikanë të çoroditur, të cilët janë përgjegjës për drejtësinë në vend dhe ankohen për padrejtësi, nga ata që kanë kritikuar për punësimet e militantëve dhe që veprojnë në të njëjtën mënyrë, nga “zaptuesit” e institucioneve që po akuzojnë për zaptim të Kuvendit. Natyrisht se kjo situatë s’ka ku të shpjerë tjetërkund, përpos në derë të “sekserëve”, madje duke ua besuar edhe rolin kryesor në formimin e institucioneve! 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK