Dimensioni futurist i lirisė

0

SHPËRNDARJE

01 August 2017 • 16:36

Vetëm pak kohë pas mbarimit të luftës në Kosovë, bashkë me një mjek anglez vizituam Llaushën e Drenicës, një nga fshatrat më të djegura në Kosovë. Për habi timen dhe të mjekut anglez, para çadrave ku ishin strehuar banorët, ndeshëm vetura të shtrenjta, të cilat filluan të importoheshin me të madhe, për t'i dhënë një dimension futurist lirisë së krijuar me sakrifica të mëdha. Ky dimension vazhdoi të rritet deri edhe në ditët tona. Dhe ishte e logjikshme që si i tillë do të merrte edhe haraçin e vet. Mbase për fat të keq edhe po vazhdon ta marrë këtë haraç me çmim të shtuar. 

Dihet se korriku dhe gushti janë muaj që sikur thërrasin mërgimtarët të vijnë e të shijojnë lirinë e vendlindjes, e cila gjatë luftës u bëri thirrje që t'i hapnin kuletat dhe mbase edhe zemrat për ta ndihmuar çlirimin e saj. Dhe ata e bënë këtë në mënyrën më të mirë, duke derdhur mjete në dy fonde dhe duke marrë pjesë drejtpërsëdrejti në çlirimin e vendit. Pra investuan para dhe gjak. Shumë nga ta sot i ke nëpër përmendore, po i ke edhe nëpër vendet udhëheqëse të shtetit të ri të Kosovës, madje në pozitat më të larta të tij.

Remitancat që vijnë nga ta vlerësohen në qindra miliona euro dhe si të tilla përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm të mbijetesës për popullatën e varfër në Kosovë. 

Shih për këtë, bëhet e zorshme të flasësh keq për ta, përkatësisht të ngrehësh shqetësime për sjelljet e tyre në vendlindje. Megjithatë më bëhet më e padrejtë të heshtësh dhe sjelljen e tyre ta fshehësh nën rrogozin që në këtë rast nënkupton lirinë e vendit në dimensionin e saj futurist. Dhe nuk mund të heshtësh kur rrugët e Kosovës së lirë shndërrohen në rrugë të vdekjes. Mbase alarmues ishte raporti i publikuar në gazetën "Zëri". Sipas këtij raporti në këto 15 vjetët e fundit kishte rreth 2000 aksidente me fatalitet, ku 2201 persona kishin humbur jetën, ndërsa të lënduar kishin mbetur rreth 100.000 persona. Në total, sipas këtij raporti, janë shkaktuar rreth 200.000 aksidente! Sigurisht që për gjithë këtë fajin nuk mund t'ua faturojmë mërgimtarëve, por që sjellja e tyre në komunikacion është shumë e egër, nuk mund ta mohojë askush. Dhe sigurisht që kjo sjellje e egër nuk ka kaluar dhe nuk kalon pa pasoja. Natyrisht që fajin për këtë para së gjithash duhet faturuar institucioneve tona, përkatësisht, në këtë rast Policisë së Kosovës, e cila, mbështetur në logjikën dominuese të shoqërisë sonë, mërgimtarët duhet trajtuar si specie të veçanta, të cilat vijnë dhe na e japin një infuzion të mirë për qarkullimin e parasë dhe të mallrave në vendin tonë. Mbase kjo logjikë ambalazhohet edhe me shumë motive tjera, tërësisht të paqëndrueshme dhe të panevojshme.  

Ndoshta e gjithë kjo duhet kundruar edhe nga këndi socio-kulturor, sepse respektimi i ligjit nuk nënkupton vetëm frikën nga ndëshkimi, por edhe shpërfaqjen e kulturës për të. Në këtë kuptim nuk mund të fshehim dëshpërimin që na shkakton sjellja e tyre, kjo edhe për faktin se tani kemi një gjeneratë të tretë që rritet dhe zhvillohet në diasporë, madje në vendet më të zhvilluara të Evropës, të cilat merren si sinonim të zhvillimit të kulturës dhe teknologjisë, sikundër edhe të zhvillimit ekonomik.

Ardhja e tyre në vendlindje jo vetëm që shkakton një kaos në komunikacion dhe si i tillë prodhon edhe viktima të shumta, por njëkohësisht shkakton edhe një zhurmë të papërballueshme, si prodhim të ekzaltimit të tyre në dimensionin futurist të lirisë që po e jetojmë. Ardhja e tyre, që përkon me aktivitetet rreth dasmave e synetive, nxjerr mbi sipërfaqe këngëtarët e muzikës tallava dhe zhurmën e madhe që të bën të dalësh në mal. Edhe në këtë rast Policia e Kosovës nuk kryen detyrën e vet. Gjatë gjithë natës si bombat kasetë të NATO-s pëlcasin mjetet piroteknike dhe nuk mund të fusësh gjumë në sy. Nuk po flasim tani për personat e moshuar dhe për fëmijët, të cilët edhe ashtu janë kategoritë më të papërfillshme në këtë shoqëri.

Dhe ndërsa ligji nuk është bërë pjesë e kulturës së tyre nga vendet prej nga ata vijnë, është krejt e natyrshme dhe në dobi të mërgimtarëve që ligji te ne të funksionojë dhe si i tillë të ngjallë frikën e ndëshkimit. Vetëm në këtë mënyrë mërgimtarët do të kuptonin se dimensioni futurist i lirisë është i dëmshëm për të gjithë ne e në veçanti për ta.