Zërat
Rasim Alija
Rasim
Alija

Reformat që s’i pamë!

Zërat August 01, 2017 - 16:32

Përtej debateve numerologjike të krijimit të Qeverisë dhe të skenarëve të mundshëm. Përtej vijave të kuqe, debateve moralizuese dhe shitblerjes së deputetëve. Përtej trinomit të çështjeve të mëdha; Demarkacionit, Asociacionit të Komunave Serbe dhe Gjykatës Speciale, Qeveria e ardhshme duhet të mendojë seriozisht për katër prioritete që duhet adresuar.

Për më shumë, për adresimin e këtyre katër prioriteteve nuk janë pengesë as miqtë ndërkombëtarë, as Serbia, as Banka Botërore e mbi të gjitha nuk ka as implikime buxhetore. Krejt çka duhet është vullneti politik dhe qeverisja e vërtetë (e mirëfilltë)

1.      Reforma zgjedhore

Pas procesit zgjedhor të 11 qershorit dhe pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 22 tetor, Qeverisë, Kuvendit dhe organizatave të shoqërisë civile do t’u duhet të fillojnë një maratonë diskutimesh rreth reformës zgjedhore. Në ndërkohë, deri atëherë KQZ-ja mund të përmirësojë punën e saj drejt menaxhimit të zgjedhjeve për zgjedhjet lokale.

Ta ndryshojë qasjen në informimin e publikut, duke e rritur cilësinë në strategjinë e këtij informimi, duke përfshirë njoftimet me afatet dhe procedurat e votimit nga diaspora dhe votimit me kusht. Të bëjë fushatë vetëdijesuese rreth mënyrës së mbushjes së fletëvotimit, për të zvogëluar mundësinë e fletëvotimeve të pavlefshme.

Të përjashtojë komisionarët e partive politike gjatë zgjedhjeve lokale, të cilët kanë qenë përgjegjës për kutitë e votimit që kanë shkuar në rinumërim, si dhe të ofrojë trajnime thelbësore për komisionarët e partive politike, por kësaj radhe jo sa për sy e faqe. T’i kthehemi sërish reformës zgjedhore pas procesit zgjedhor të vitit 2010.

I cilësuar si vjedhje industriale e votës pati filluar debati dhe propozimet për një reformë tjetër të sistemit zgjedhor, madje partitë politike u patën takuar disa herë në nivel liderësh duke dhënë propozimet e tyre konkrete sesi do të duhej të ndryshohej dhe çka do të duhej të përfshinte reforma zgjedhore.

Një përpjekje gjysmake pati gjatë viteve pasuese,  edhe ato ndryshime që u bënë më shumë i ngjajnë një deforme zgjedhore. Partive politike duket qartazi që u ka munguar vullneti politik i kombinuar me kalkulime interesash, të cilat ua kanë mundësuar qëndrimin në skenën politike me formulën e tanishme të sistemit elektoral.

Reforma zgjedhore duhet të përfshijë së pari bërjen e Ligjit për Partitë Politike, duke vazhduar më tutje në rishikimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike dhe Mekanizmat e Kontrollit dhe zbatimit të këtij ligji. Forumi, reforma, i udhëhequr nga instituti D4D që nga viti 2010 ka nxjerrë një sërë punimesh dhe rekomandimesh për sistemin zgjedhor, për strukturën e KQZ-së, për listën e votuesve, disa nga të cilat janë përfshirë në ligjin ekzistues.

Herët ose vonë çështjet si ndarja e Kosovës në zona zgjedhore, madhësia e zonave zgjedhore, përcaktimi për sistem proporcional apo mazhoritar, ulja e pragut në 3%, dhe vendime të tjera që duhet të merren si rezultat i reformës do të jenë pjesë e pandashme e diskutimeve për reformën zgjedhore.

2.      “Krasitja” e administratës publike

Organizimi qeveritar i tanishëm ka 19 ministri, 2 ministra pa portofol dhe diku rreth 50 zëvendësministra. Shto këtu numrin e këshilltarëve dhe asistentëve, shefave të kabineteve, zyrtarëve të lartë dhe një listë të gjatë emërtimesh të pozicioneve prej më të çuditshmeve, Kosova del të jetë shteti me Qeverinë më të madhe në Evropë, madje disa medie e kishin krahasuar me qeverinë kineze, sa i përket numrit të ministrive. Por pse ky numër kaq i madh i ministrive?

Qeverisjet në vazhdimësi e kanë përdorur buxhetin e shtetit në favor të rehatimit dhe shpërblimit të njerëzve të afërt të partive, të cilat kanë qenë pjesë e qeverisjeve, duke krijuar kështu ciklin e klintelizmit. Derisa shtimi i ministrive dhe i pozitave të zyrtarëve të lartë është bërë si nevojë e ndarjes së hises së pushtetit ndërmjet marrëveshjeve me partitë tjera si pjesë e qeverisjes, nivelet tjera të administratës publike janë mbushur me militantë të partive politike, duke krijuar një administratë të tejmbushur, të padobishme, parazitare dhe dërrmuese për buxhetin e shtetit. Kjo mendësi dhe organizim i tanishëm duhet të ndryshojë.

Një “krasitje” në të gjitha nivelet është nevojë urgjente. Ministri të caktuara duhet të shuhen, fare lehtë mund të riorganizohen në nivele departamentesh në kuadër të ministrive tjera. Ndërsa edhe brenda shumicës së ministrive mund të bëhen riorganizime, shuarje të departamenteve ose bashkim me departamente të tjera.

Ky riorganizim do të krijonte një administratë më efikase, profesionale dhe më të paktë në numër, e cila do të lehtësonte buxhetin e shtetit, e njëkohësisht do t’ua pamundësonte partive politike pazaret me ndarjen e posteve të ministrave e zëvendësministrave dhe do ta shpëtonte administratën shtetërore nga mbushja me militantë partiakë. Për krasitje të tilla duhet vullnet politik e ky vullnet politik vështirë që do të ndryshojë momentalisht, duke e ditur se shkurtime të tilla në administratë çojnë në humbje të elektoratit për partitë politike.

3.      Jo shtet i burrave

Në një shtet burrash si Kosova të depërtosh profesionalisht si grua është sfidë në vete. Në 37 komuna sa ka Kosova, vetëm një komunë udhëhiqet nga një grua, ajo e Gjakovës, ndërsa vetëm dy gra janë kryesuese të kuvendeve komunale, në Gjilan dhe në Lipjan. Nuk duhet shumë mund të kuptohet se pavarësisht angazhimit të organizatave joqeveritare në mbështetjen dhe në promovimin e përfaqësimit të gruas në politikë dhe në institucione, shifrat janë të zymta.

Në fushatën e partive politike në zgjedhjet e 12 qershorit asnjë parti politike nuk ka pasur të emëruar një grua si zyrtare të fushatës zgjedhore dhe asnjë parti politike nuk ka zëdhënëse grua në strukturën e tyre organizative, pavarësisht faktit se shumica e liderëve  të partive politike kanë targetuar/prioritizuar gratë në deklaratat e tyre.

Në një hulumtim të realizuar nga D4D-ja rezulton se 82,6 për qind e grave në Kosovë nuk janë aktive në tregun e punës, ndërsa  51,8 për qind  e  grave të anketuara janë shprehur se arsyeja kryesore përse nuk kërkojnë punë janë obligimet për kujdes ndaj fëmijëve dhe të moshuarve dhe 30,1 për qind mundësitë më të vogla për punësim në krahasim me burrat.

Kjo është çfarë kanë bërë qeverisjet në Kosovë për përmirësimin e ambientit dhe në krijimin e kushteve të favorshme për aktivizimin e grave në tregun e punës, shifrën prej 82,6 për qind të grave që nuk janë aktive në tregun e punës. Për më tepër mjafton të shohësh rregullimin urban të qyteteve dhe e kupton që janë qytete burrash.

Për një grua shtatzënë është gati e frikshme të ecet trotuareve të qytetit, është mision në vete të mundë ta shfrytëzojë trafikun urban dhe mbi të gjitha ekziston rreziku i përhershëm i diskriminimit në vendin e punës si pasojë e pushimit të gjatë të lehonisë. Shteti i burrave që në kryeqytet të tijin i ka vetëm dy monumente që identifikojnë gruan, shtatoren e Nënë Terezës dhe memorialin Heroinat, në qeverisjen e ardhshme duhet ta ketë prioritet adresimin konkret të zbatimit dhe përmirësimit të ligjeve dhe politikave që prekin të drejtat e grave, ofrimit dhe krijimit të kushteve të favorshme për përfshirjen e grave në tregun e punës, si dhe përfaqësimin e barabartë në nivel lokal dhe qendror.

Për ta bërë këtë fillimisht mos e shihni gruan vetëm si kuotë gjinore, filloni duke e trajtuar si të barabartë.

4.      Dialogun që s’e pamë kurrë

Prej marsit të vitit 2011 qeveritë në Kosovë kanë bërë dialog të llojllojshëm, herë teknik e herë politik, madje ka pasur edhe dialog historik me Serbinë, por asnjëherë nuk e kemi parë dialogun tjetër - atë me serbët e Kosovës. Ish-kryeministri Thaçi, tash president i vendit, në vitin 2010 i pati dhuruar një traktor një serbi në komunën e Lipjanit.

Pak ditë pas kësaj dhurate mediet patën raportuar se traktori i dhuruar nga kryeministri i atëhershëm ishte shitur nga pronari i ri, fermeri serb nga Lipjani. Kjo ngjarje a kamotshme tregon dy gjëra, qasjen e vazhdueshme të institucioneve karshi serbëve të Kosovës dhe faktorin ekonomik si parakusht për dialog me serbët si qytetarë të Republikës.

Derisa në Bruksel bisedohet për përmirësimin e marrëdhënieve reciproke mes dy shteteve, që do finalizohej me njohjen e Kosovës nga Serbia, qytetarët serbë të Kosovës janë të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit. Shumë afër kryeqytetit, Graçanica komunë me shumicë serbe, është pothuajse e shkëputur nga çdolloj organizimi institucional e kulturorq ë e zhvillon shumica, në këtë rast shqiptarët dhe komunitetet tjera. Të rinjtë serbë të Graçanicës nuk edukohen në institucionet arsimore të Kosovës. Universiteti i Prishtinës ende nuk ka asnjë program në të cilin ligjërohet në gjuhën serbe, ndërsa të mos flasim për literaturë universitare në gjuhën serbe, sepse mungon edhe ajo në gjuhën shqipe.

Si pikë e katërt e prioriteteve që duhet ta ketë në agjendë qeverisja e ardhshme është qasja e orientuar drejt integrimit në jetën e institucionale, arsimore e kulturore të serbëve të Kosovës. Kjo mund të bëhet duke krijuar kushte për edukim në Universitetin e Prishtinës, duke ju ofruar programe në gjuhën serbe, duke hapur teatrin dhe institucionet kulturore për serbët e Kosovës, duke ndarë subvencione për serbët fermerë, duke i integruar serbët e zakonshëm, qytetarë të Republikës së Kosovës në jetën e çdoditshme që ndodh në vend. Në të kundërtën, vajzat e pagëzuara me emrin Pavarësia më 2008-n do ta kenë të njëjtin problem të trashëguar në vitin 2030, kur ato do të jenë 22-vjeçare.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK