Zërat
Zgjim Hyseni
Zgjim
Hyseni

Filozofit polic

Zërat July 29, 2017 - 17:13

Blerim Latifi është njeriu që do t’i reagoj. Mbase nuk është qasja më e mirë të filloj kështu, me përmendjen e emrit qysh në krye të herës. Do të doja që krejt ‘gjakftohte’ shkrimin ta filloja duke marrë në shqyrtim gjërat që ka thënë. Por, ky është një rast kur njeriu që flet dhe sidomos pozicioni prej nga flet janë domethënëse për t’i shqyrtuar sepse kështu kuptohen vërtet gjërat që thotë.

Blerimi është profesor në Fakultetin e Filozofisë, dhe këshilltar i Kadri Veselit njëkohësisht. Më duhet t’i rezistoj tundimeve cinike për të mos e filluar shkrimin me një listë supozimesh mbi çfarë mund ta këshillojë një filozof Kadri Veselin. Lehtë mund t’i kujtonimin momentet e tij komike që na kujtojnë nevojën për mesim plotësues të ciklit të ulët. Në cilat raste shqipja kërkon shkronjën e madhe e në cilat të voglen. Kështu, mund ta qeshnim Kadri Veselin, por do t’i futeshim një rrugë të gabuar. Kjo rrugë na shpie drejt një përfundimi të pasaktë: që Kadri Veseli dhe Blerim Latifi nuk kanë gjuhë të përbashkët. 

Pyetja nuk është se ç’punë ka Kadri Veseli me filozofinë, por ç’filozof është Blerimi që i sherben Kadri Veselit. Le të fillojmë mbi raportet e filozofisë me politikën: si e aktualizon ai filozofinë? Ka filozofë që ngulmojnë për një lidhje të afërt të filozofisë ndaj praktikës politike e shoqërisë. Ata duan që ajo të jetë tërësisht në funksion të aspiratave të shoqërisë për një shoqëri të drejtë e të barabarartë. Meqë filozofia i detyrohet të vërtetës, edhe idetë duhet të kenë lidhje me masat për të ndërtuar kolektivitetin, thonë ata.

Blerim Latifi përballë këtij qëndrimi na del një gardian i dobët i status-quos, sherbëtor i asaj që pas zgjedhjeve të 11 qershorit lirisht mund ta quajmë ancien regime. Një gamë mendimtarësh tjerë të respektuar, filozofisë ia ruajnë një autonomi të caktuar, duke treguar më shumë kujdes që ajo mos të degradojë në instrument propagande për të përfunduar e mbyllur në ideologji zyrtare.

Për ta, filozofia e politika, teoria e praktika duhet të kenë përpjekje e pikëtakime, të japin e marrim nga njëra-tjetra, por pa saldime e lidhje të shkurtra ndërmjet vete. Do të fusnim disi këtu Blerimin, por për dreq e dimë që ky ndërkohë shërben, ndaj s’mund ta quajmë as filozof sallonesh.

Filozofia është dashuri për dijen, kjo dashuri manifestohet në përpjekje të ethshme për të kërkuar të vërtetën. Në zyren e Kadri Veselit nuk ka kurrfarë kushti për filozofinë, as Blerimin nuk është në kërkim të këtij kushti. Ç’reflektime mbi konceptet si qenia, boshi, tepria, kontradikta apo universalizmi mund t’i zgjohen atij teksa ndan zyrën me Kadriun?! Karshi kësaj Blerimi na del krejt i pa interesuar.

Çfarë mund të na thoshtë ai për raportin e filozofisë me disciplinat tjera? Grekët e vjetër, duke vlerësuar lart rëndësinë e saj e kishin quajtur ‘mbretëreshë e dijes’, porse Blerimi e ka zhytur atë në llumin e injorancës. Ka vetëm një përgjigje: Blerim Latifi e ka të korruptuar marrëdhënien me dijen, ndaj nuk është filozof por sofist; siç nuk është shefi i tij politikan sepse i ka të korruptuara marrëdhëniet me njerëzit. Korrupsioni është gjuha e tyre e përbashkët. Vetëm tani mund të merremi me gjërat që ka thënë ai për Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Në intervistën e dhënë për gazetën “Express”, Latifi ngre alarmin se shteti na qenka në rrezik. Po, shteti i kapur është në rrezik prej nesh, përkatësisht kapësit e shtetit, por jo shteti si i tillë, apo edhe shteti çfarë e dëshirojnë qytetarët, të cilët pikërisht për këtë gjë u shprehën në zgjedhjet e 11 qershorit. Me këtë konstatim, pa e pyetur kush, Blerim Latifi, vendoset vetë në anën e kapësve të shtetit dhe bashkëndjen me ta në rrezikun që u kanoset nga ndryshimet demokratike.

Jo Blerim, mbështetja e madhe për Lëvizjen që aq shumë të trishton do ta thellojë demokracinë dhe nuk do të përfundojë në klikë kriminale si PDK-ja. Të jesh i sigurtë për këtë. Ja sa indikative është kjo mënyrë e të shprehurit: “shteti i Kosovës është tepër i rëndësishëm për ta lënë në duart e tyre”. Në këtë deklaratë duhet ndaluar tek forma sepse gjuha e përdorur e flet Blerimin. ‘Duart’ janë shënjuesi i kontrollit e i përvetësimit; i kapjes e i hajnisë. Ai tregon mendësinë e tij anti-demokratike nëpërmjet përfytyrimit se shteti përherë është në dorë të dikujt dhe ai nuk bëka t'i lihet Lëvizjes tash. Shteti nuk mund të jetë i qeverisë e aq me pak ashtu në dorë të saj thjesht porsi një vegël, ashtu siç mendon Latifi. 

Në Internacionalen Socialiste ndodhet edhe PS-ja edhe LSI-ja e Shqipërisë, Edi Rama është nënkryetar i Internacionales Socialiste. Në këtë organizim aderojnë edhe socialistët e Francës, ata belgë, portugezë, finlandezë, CHP nga Turqia, social-demokratët zvicerranë etj.

Se çfarë radikalizmi sheh filozofi polic tek këto parti, veshtirë të thuhet. Më vështirë akoma të pajtoheshim pastaj mbi kuptimin e termit apo përdorimin linçues që ai përdor. Agjentët rusë mbase janë jo vetëm në veri të Kosovës por edhe në institucionet e Kosovës nën petkun e zyrtarëve të Listës Serbe. Por, Blerim Latifit nuk i pengon Rusia brenda shtëpisë, por ajo në mëhalla të largëta e të huaja.

Lëvizja VETËVENDOSJE! shumë moti, së paku që prej viti 2011 e ka paralajmëruar rrezikun prej Rusisë në Ballkan, por atëherë na thonin se po merremi vetëm me tema të mëdha (sic.). Mbi të gjitha, Putini mbështet në perëndim partitë ekstreme të djathta, e jo të majtit. Veçse tashmë u teprua me gjërat elementare që duhet t'i mësojë Blerimi… 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK