Zërat
Agim Kasapolli
Agim
Kasapolli

Vjet arrë, sivjet lajthi!

Zërat July 23, 2017 - 17:14

Pse sporti kosovar çdo vit është duke shkuar në dekadencë, në vend të avancimit në cilësi ajo shkon çdo vit nga një hap prapa.

Pra, për situatën e sportit në Kosovë vlen ajo e popullit “Vjet arrë, sivjet lajthi”.

Shkaktarë janë postet e uzurpuara me mandate të pakufizuara nga njerëzit e padijshëm të këtij lëmi, pastaj politizimi i skajshëm, si dhe zhvatja e mjeteve nga udhëheqësit, të cilët sillen sikur sporti dhe armata e sportistëve ekzistojnë për ta, e jo e kundërta.

A ju kujtohen lojërat verore evropiane që u zhvilluan në Baku, delegacioni zyrtar i Kosovës ishte më i madhi në këtë ngjarje sportive dhe “arsyetimi” i harxhimit të parave të taksapaguesve kosovarë nga i ashtuquajturi KOK ishte: “Kjo është’ pjesëmarrja e parë historike e Kosovës në garat ndërkombëtare “dhe ky karrem u gëlltit heshtazi, por nuk u mbyll me kaq.

Edhe në L.O., në Rio, u përsërit fjala “historike”, ku oreksi i këtyre zhvatësve e dyfishoi delegacionin, i cili numëronte 74 veta, udhëtuan prapë me para të taksave të popullit. Po kush ishte në delegacion? Duke filluar prej kryetarit të shtetit me t'birin e deri të ministri i Bujqësisë. (me përjashtim të dy vetave) 72 të tjerë asnjëherë gjatë okupimit nuk kanë kontribuar në pavarësimin e sportit tonë nga okupatori serb! Bile pati të tillë që ishin në anën e armikut, por në këtë delegacion pati më së shumti njerëz që gjatë okupimit të sportit tonë silleshin “fetah”, që do të thotë: as me ne e as me ata.

Të tillët janë sot aktivë gati në të gjitha federatat tona sportive, sepse u testuan dhe u dëshmuan të dëgjueshëm dhe tani janë krejtësisht në shërbim të pushtetarëve që kontrollojnë dhe dirigjojnë në sportin e vendit. Si mund të arsyetohet sjellja e udhëheqësve te i ashtuquajturi KOK-u, të cilët nuk e panë të rrugës të raportojnë për mjetet e harxhuara, siç është praktikë në çdo vend të globit, i cili pretendon të quhet shtet. Sot e asaj dite nuk dihen emrat e shumicës së atyre që u sorollatën në këto ekskursione të udhëtimeve familjare, fisnore, klanore dhe partiake.

Tani edhe shumica e federatave po praktikojnë me yrnekun identik të KOK-ut dhe janë të vetëdijshëm (me përjashtime të rralla) se në garat ndërkombëtare, që udhëtojnë për ta prezantuar shtetin, kryesisht ekipet  përbëhen prej familjarëve, dashnorëve, ortakëve e klaneve, dhe ka ndodhur që këta zaptues të posteve përkundër rezultateve evidente të sportistëve, të cilët ishte dashur ta prezantojnë Kosovën në garat ndërkombëtare, i eliminojnë dhe në vendin e tyre përcaktohen për sportistet që janë të preferuarit e klaneve, që quhen bordet e federatave.

Rast eklatant i padrejtësive është ai ndaj klubit të notit “Step-Prishtina”, ku notarët më të mirë, që i përkasin kësaj skuadre dhe që kanë rezultate më të mira në vend, ngelin në shtëpi. Apo ndodh që nëpër federata kryetari është ai i cili prezantohet nëpër medie si trajner, si selektor, si kryetar i këshillit profesional, i njëjti është edhe menaxher, e sidomos postin e arkëtarit e ushtron me qejf të madh?!.

Kjo qe 7 vjet ndodh në Federatën e Basketbollit, ku “pretendenti intelektual”, i quajtur herë Eroll e herë Erolld, së bashku me ortakët dhe pajdashat tjerë që janë produkt i rrjeteve sociale, që konsiderojnë se bota ka filluar me ta dhe gjuha angleze duhet të jetë i vetmi komunikim dhe kusht për të qenë pjesë e klanit të tyre, e harrojnë se me veprimet e tyre pa vetëdije këta tipa i takojnë gjeneratës së narcisoidëve!! Këta ia dolën ta shkatërrojnë në tërësi basketbollin kosovar.

Për 7 vjet kanë defiluar me qindra lojtarë dhe trajnerë të huaj, duke u paguar me para të majme të taksave dhe sot liga e Kosovës praktikisht ka ngelur me vetëm një ekip, me Prishtinën, e cila funksionon krejtësisht në baza partiake. Se pafytyrësia e këtyre zaptuesve të posteve shkon aq larg sa që pa pikë turpi ka ndodhur që në ndeshjet ndërkombëtare sportive i kanë lutur zyrtarët e ekipeve të huaja që disfata mos të jetë me rezultat katastrofik, sepse para se të fillojnë duelet e dinin se do të koriten duke pësuar humbje me rezultate që e komprometon shtetin e Kosovës. (Përjashtim bën xhudoja) fajtori i kësaj gjendjeje është edhe shteti, përkatësisht Ministria e Sportit, e cila prej themelimit të saj e deri më sot ndan mjete të taksapaguesve pa kurrfarë kriteri dhe pa arsyetimin e parave të harxhuara.

Që nga viti 2008, kur u shpall Pavarësia, Departamenti i Sportit ende punon me rregulloret e UNMIK-ut, (edhe pse Ligji për Sport është aprovuar në Kuvend), Ligji i Kosovës nuk zbatohet sepse nuk u konvenon grupeve të interesit që janë të punësuar në këtë Departament, të cilët më tepër pengojnë sesa e ndihmojnë zhvillimin e këtij lëmi, bile ka vende pune të sajuara si zëvendësdrejtor i Departamentit që nuk parashihet me ligj.

Monitorimi i kuvendeve zgjedhore në federata, i cili bëhet nga ky departament, që është e vetmja punë që e bëjnë më së miri, dëshmon se ky institucion ekziston vetëm sa për t’u siguruar vende pune militantëve partiakë dhe të njëjtit janë të akomoduar edhe në vende tjera të punës, sepse shumica e të punësuarve në këtë departament i kanë edhe nga një e më shumë vende pune dhe më tepër se një dekadë të gjitha “sugjerimet për parregullsitë “në kuvendet zgjedhore nga ana e vëzhguesve të departamentit ndaj punës në federata, ku në kuvendet e fundit zgjedhore pati parregullsi deri në konflikte fizike, flet se zyrtarët e Departamentit janë pjesë e këtyre pisllëqeve dhe vetëm kamuflojnë se gjoja janë të pakënaqur me punën e federatave. Ata të gjithë se bashku e kanë një qellim, ta ruajnë rahatinë secili aty ku e ka zaptuar postin dhe me dekada janë njerëzit e njëjtë qe e dinë se në të gjitha federatat ka paralelizma dhe parregullsi, mirëpo nuk reagojnë dhe e ruajnë kolltukun.

Të vetmin ndryshim, ku unanimisht të gjitha federatat e kanë zbatuar me pëlqimin e heshtur të Departamentit të Sportit, është mandati i kryetarit të Federatave, i cili ishte 4+4 dhe u ndryshua me rregulloren e Bajram Begut dhe u bë me mandat të pakufizuar! Pas këtij ndryshimi të këtij neni, në të gjitha federatat është garantuar rahatia se ndryshime s'do të ketë! Në prag të Kuvendit zgjedhor të të ashtuquajturit KOK, i cili u mbajt në nëntorin e vitit të kaluar, i cili na doli i kurdisur në një shkrim timin, thashë: Nëse edhe pas 20 vjetëve nuk do të pësojë ndryshimi rrënjësor dhe nëse këto klane të njëjta do të zgjidhen prapë, atëherë sporti kosovar do t’i përjetojë ditët më të errëta në historinë e vet.

Dhe jo vetëm që u rizgjodhën të njëjtit njerëz në krye me Besim Hasanin kryetar, por ky i ashtuquajturi KOK tani u politizua skajshmërish, ku për nënkryetar të parë emëroi   ministrin në detyrë të Bujqësisë, Memli Krasniqin, ndërsa këshilltari i tij, Shasivar Haxhiu, prej nënkryetarit në mandatin e kaluar e katapultuan në sekretar gjeneral në këtë mandat!

Në këtë përbërje të këtij bordi ka edhe të afërm të eprorëve të lartë policorë, zyrtarë qeverie, por më së paku janë ata që ishte dashur të jenë aty! Është për t’u habitur se si këta i kanë ujdisur bazat deleguese, duke i përfaqësuar sportet inekzistente dhe duke vendosur në krye të këtyre federatave fëmijët e vetë, baxhanakët, kunatat, ortakët thanë shkurt, njerëzit e klaneve të veta. Po si po e arrijnë këtë?

Shumë lehtë. Duke shpërqendruar vëmendjen e opinionit sportdashës nga disfatat katastrofike në arenën ndërkombëtare, e sidomos në sportet kolektive dhe në vend të punesë dhe analizave profesionale, dhe në vend të përmirësimit të gjendjes ekzistuese, ata “festojnë për suksese”. Organizojnë kanagjegje të njëpasnjëshme, ju kujtohet dy herë KOK-u festoi me rastin e pranimit të Kosovës në KON.

Dhe hoteli “Emerald” ishte përplot me njerëz të ftuar, ku pati individë që nuk dinin për çfarë bëhet fjalë, por me rëndësi ishte se mish e pije pati me bollëk, nuk mungoi as muzika e synetive! Pastaj pasuan gjatë vitit edhe disa kanagjegje tjera koti, ku në këto maskarada u ndanë mirënjohje për macen e kuçe, më duket vetëm pastruesja e hotelit “Emerald” ngeli pa mirënjohje.

Prandaj efekti dhe kuptimi i këtyre kanagjegjeve ishte pa kurrfarë vlere. Mirëpo këto ahengje të begatshme u organizuan edhe për një qëllim tjetër, kjo u bë për t’i “mbyllur letrat e harxhimeve” të atyre udhëtimeve që i patën pushtetarët me familjarët e tyre, ministrat e këshilltarët me sekretarët e ministrive e shumë emra tjerë anonimë të sportit, që u sorollaten plot një muaj nëpër RIO. Si mund të shpjegohet se në këtë asociacion joqeveritar, siç ishte dashur të jetë KOK-u, në këto kanagjegje që u përngjanin synetive, fjalën kryesore vazhdimisht e  patën qeveritarët, duke filluar prej kryeministrit në detyrë, Mustafa, i cili duke ia ndarë Majlindës shpërblimin monetar të taksave të popullit, bën marketing politik për vete e jo për Majlinden, që është e vetmja vlerë e këtij shteti. (Shpërblimet monetare të kryeministrit në largim bëhen në kabinet)

Mirëpo ju kuptoj, ju mashtruan ata që me medaljet e tyre kërkojnë mbulesë për sallamaditjet që i bëjnë nëpër botë kot si koti!? Qëllimi i vetëm i këtyre zaptuesve të posteve në KOK, ku shumica janë pjesë e pushtetit, por edhe ata qe nuk janë, si rasti i ashtuquajtur kryetari i KOK-ut, Hasani, ku puna e tij e vetme primare, sidomos në dy mandatet e fundit, është vardisja e gërditshme ndaj pushtetarëve, të cilët disa i ka në formacion të bordit dhe ata së bashku me ju e dinë se ky person është në konflikt me ligjet e vendit, mirëpo kjo jo që nuk u pengon, por me kurdisje të Kuvendit për herë të pestë u është dhuruar posti i kryetarit!?

Kjo metodë e njerëzve të këtij shërbimi, që quhet “SHIK”, e ka një qëllim, që çdo gjë të jetë nën kontroll të plotë, pra edhe sporti. Për kontroll të rreptë “rastësisht” tani e tutje do të jetë nënkryetari i parë i zgjedhur në Kuvendin e fundit, Memli Krasniqi, i cili u katapultua me bazën deleguese “kryetar nderi” i Federatës së Xhudos dhe “si kontribuues” në postin e ministrit të Sportit! Tash shtrohet pyetja, po KOK-u a është pjesë e Qeverisë? Apo shërbimeve të dreqit të mallkuar? Apo asociacion joqeveritar. Këtë do ta kuptojmë në momentin kur ky shtet do të fillojë të funksionojë dhe kur në këtë lëmi vijnë ata që do t’i luftojnë të gjitha të ligat e periudhës së pasluftës.

Atëherë do të kuptohet se për shumicën e këtyre “funksionarëve sportivë “këto poste kanë qenë detyrë që përmes sportit së pari të sigurohet vota, por aty do të zbulohet edhe mënyra dhe rruga më e lehtë e pastrimit enorm të parave të pista dhe fëlliqësirave dhe hajnive marramendëse që kanë ndodhur dhe ende po ndodhin në sportin e vendit tonë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK