Zërat
Elton Ndreka
Elton
Ndreka

Sëmundja e tranzicionit

Zërat July 20, 2017 - 11:39

Në shkrimin e datës 13 prill, në gazetën “Mapo”, me titull “Shoqëria Laboratorike”, trajtohej çështja e një subjekti shoqëror që njihet me emrin shqiptar, por që i mungon subjektivitetit esencial, ku për hir të predikatit demokratik është degraduar në një shoqëri kavje.

Ky shkrim u komentua nga profesor L. Droboniku, i cili evidentonte problemin e kësaj shoqërie si problem i instancës si burimin e formave të një shteti. Mosmarrëveshja mes Dobronikut dhe argumentit të shkrimit nuk është e llojit ontologjik, por e llojit epistemik; pra, e mënyrës së ndërtimit të shoqërisë demokratike.

Shkrimi e gjurmon njeriun shqiptar si proces historik të shqiptarit, ndërsa profesori e organizon fytyrën e njeriut shqiptar si mungesë e funksionimit të institucioneve të shtetit shqiptar. Me fjalë të tjera, sipas profesorit, institucioni është i aftë t’ia mbivendosë shoqërisë një fytyrë qytetare dhe demokratike, atëherë dhe vetëm atëherë kur krerët e pushteteve nuk janë të interesuar për të kundërtën.

Ndërsa në shkrim thuhet se institucionalizimi demokratik është i pamundur pa shoqërinë që kalon nëpër etapa të tronditjes së subjektit të vet. Së pari, uroj që ky shkrim të shërbejë si nismë e një debati akademik dhe opinionesh për atë që tashmë unë e kam quajtur “tranzitori shqiptar”. Paqëndrueshmëria shoqërore, institucionale dhe politike e Shqipërisë “demokratike” na praqet nevojën urgjente për një debat të tillë.

Siç thuhet, ne nuk kemi qenë në krizë si shtetet përreth nesh dhe kjo është thënë si një mëritë qeveritare apo si një fakt i qëndrueshmërisë së shtetit.

Ajo që harrohet të thuhet është se kriza përreth nuk kishte rënë as në nivelin tonë ekonomik dhe shoqëror, dhe që rasti ynë tregon normalizimin e krizës sonë në shoqëri. Së dyti, argumenti përpiqet të ndërlidhet përmes tri akseve konceptuale, që ndodh çarja apo ngjizja e shtratit funksional të shoqërisë sonë.

1. Institucioni si i ardhur nga jashtë ose institucioni si produkt “natyral i yni”.

2. Vetëdija shoqërore dhe vetëdija e pushtetarit.

3. Së fundi, intelektuali si tranzitor (funksionar i pushtetit ose mendimtar i popullit) i formave që nuk i gjen dot në shoqërinë në të cilën jeton. Atëherë, le t’i rikthehemi debatit me një përgjigje të shkurtër për mikun tim Ledian Dobroniku.

Ju keni të drejtë kur thoni se problemi ynë nuk është metafizik, në kuptimin e një qëndrese historike, gati-gati “fiction”, apo e llojit përçarës subjekt-objekt. Edhe pse kjo etapë mungon ndër ne.

Sepse ne nuk e kemi kaluar asnjëherë modernen, e kanë nisur rilindësit, por nuk e kemi përvetësuar atë. Në fakt, jemi përqendruar tek ai lloj i metafizikës mistike (gjatë pushtimeve dhe gjatë komunizmit) dhe nuk i kemi shërbyer çarjes mu në brendësi të njeriut që kësisoj të kalonim te njeriu bashkëkohor, i cili i njeh mirë rreziqet e një çarjeje të tillë.

Në këtë kuptim, ju keni të drejtë, sepse është e pamundur rikthimi në bërjen e modernes. Megjithatë, kjo mungesë na shërben për ta kuptuar problemin tonë patologjik; duke mos qenë të çarë si perëndimoret, duke qenë se kemi pasur mungesë subjekti (sepse kemi pushtet më pak se trupi ynë fizik), nuk e kemi dhunuar aq shumë organizmin e trupit tonë artificial, por kemi dhunuar trupin tonë inert (dheun), kemi qenë një lloj guri i rëndë në tokë, pra një lloj objekti gjeologjik; për rrjedhojë nuk kemi “luajtur mëndsh” si gjermanët, francezët, italianët, të cilët menduan ta shkatërrojnë njeriun për hir të një ideje identiteti apo t’ia njohin njeriut një dinjitet (fytyrë).

Çështja e të qenit në laborator është çështje e mungesës së revolucionit në vete, është ashtu siç Migjeni shkruan “Të lindet një njeri që nëpër shekuj ndërgjegjen na e tradhton”. Në këtë kuptim, neve nuk na mungon imanenca institucionale, në fakt, referuar të pafilozofuarës së Hysamdenin Ferajt, ne nuk e kemi parë si të nevojshme as për kontraktim të institucionit, sepse

institucioni te ne është e llojit parapolitik dhe ajo çka na mungon është pikërisht kjo tradhti e prodhimit institucional. Edhe shtetet zogiste dhe enveriste nuk janë shtete që tradhtojnë ndërgjegjen tonë. Shteti enverist, shpërndau dije të pahasur në këtë vend, por përforcoi fuqishëm institucionin klanor përmes praktikës së dënimit kolektiv sipas biografisë së gjakut.

Ai zogist e përforcoi imazhin e një shoqërie mekaniciste kur u shfaq si tepër perëndimor edhe pse tallej nga konti Monteziano si lindor, për rrjedhojë shoqëria mbetej potencial për t’u analizuar në laborator. Kasta oligarkike qëndron aty sepse ka përballë masë njerëzore që është përmbajtësisht paramoderne dhe formalisht bashkëkohore. Nga ana tjetër, përpjekja e perëndimit për ta tejkaluar procesin metafizik të prodhimit të qytetarit të vet krijon zona si kampet e refugjatëve, ku ushtron gjithë parafytyrimin metafizik të njeriut të denjë dhe gjallesës së padenjë për t’u quajtur njeri. Kombet si Gjermania, Franca dhe Italia kanë kushtetuar një shtet ku shpirti gjendet i shkrirë në trup vetëm për qytetarët e vet; të ardhurit, refugjatët apo “shtetet” si Kosova janë projekte që vihen në realizim përmes teknikave, po në të njëjtin kuptim si Demijurgu apo Skulptori është subjekt i cili i jep formë gurit.

Veçse në këtë raste tekniku nuk e ka ndjeshmërinë e skulptorit, sepse forma që duhet t’i japë atij pothuajse njeriu nuk merr parasysh lëndën vendore që përmbajtësish është klanore (rasti shqiptar) dhe mundohet t’i bëjë një lloj persekutimi psikik që ta sjellë urgjentisht te forma.

Në këtë kuptim, oligarkia nuk ka si të zbatojë një formë e cila nuk përputhet me lëndën, sepse gjenden si tranzitor i formës dhe i përmbajtjes. Institucioni është vetëm një strukturë formale e rregullimit të shoqërisë që i duhet ose ta shtypë shoqërinë për t’ia dhënë përmbajtën e dëshiruar, ose i duhet të tradhtohet përmes hapësirave që lejon ligji dhe kultura vendëse, ose është formë e frymës shoqërore.

Për të mos e zgjatur, po themi vetëm se shkojmë në të njëjtin drejtim, por nga dy plane të ndryshme. Sigurisht që institucioni e formëson sjelljen e një shoqërie, nga ana tjetër është shoqëria që u jep frymë institucioneve. Pra, ka një raport forcash, ku institucioni luan rolin e konstantës dhe priret ta vendosë në shina forcën shoqërore së cilës i luhatet forca ndërmjet rregullatorëve përmbajtjesore dhe morale të shoqërisë dhe rregullatorit që i propozohet prej institucionit ligjor.

Këtu, po flasim përsëri për mekanicizëm; sepse është pikërisht po ai shqiptari që ka leje qëndrimi në shtetet perëndimore, i cili e respekton institucionin për aq sa e shikon e gjithë shoqërinë atje si kërcënim që mund ta padisë në institucion. Sigurisht që nuk është faji i popullit. Ju keni të drejtë kur thoni që ky argument është përdorur për ta justifikuar këtë gjendje që kemi, prej këtyre pushtetarëve që kemi. Në fakt, faji është intelektualit, sepse vetëm ai është në gjendje të ngacmojë mendimin dhe ta tronditë ndërgjegjen.

Ranciere thotë se populli, i cili nuk ka pasur liri, ka qenë gjithnjë i tradhtuar prej intelektualit. Kur Sokrati thoshte “njeriu gabon nga padituria” dhe Spinoza deklaronte shumë më vonë se “kur flasim për krim dhe ndëshkim kemi parasysh gjithnjë një subjekt etik dhe moral”, kishin parasysh njeriun, i cili duke mos ditur nuk mund as të dënohej, si për shembull nuk mund ta dënojmë tullën që i bie në kokë dikujt dhe mund ta vrasë, por nuk mund ta dënojmë as shoqërinë e Gjermanisë naziste që e la veten të vetëdijesohet prej udhëheqësisë naziste, e cila e përdori shumë mirë idealizmin gjerman.

Siç shqiptari nuk mund të akuzohet për lashtësinë e vet dhe për llojin e proceseve demokratike të panjohura për të, por as vetëm pushtetarët nuk mund të akuzohen se nuk e kanë tradhtuar plotësisht këtë padituri të shoqërisë, sepse jetojnë mes një dijeje të provuar nga shoqëria dhe një oferte pushteti. 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK