Zërat

Valentina Abazi

Politikat sociale në të mirë të zhvillimit të shoqërisë

19 korrik 2017 • 11 : 13

Njohja e pushimit prindëror nga ana e burrave/baballarëve do të kishte qenë një kontribut drejt zhvillimit të politikave sociale në Kosovë. Ashtu siç ligjet u njohin të drejta të barabarta të dy prindërve, po të njëjtat ligje shohim të sjellin një dallim të pushimit të dhënë mes prindërve. Korniza e tanishme ligjore vërehet dukshëm të ketë diskriminim ndaj njohjes së të drejtave prindërore, duke u fokusuar në të drejtat e nënës pas lindjes së fëmijës.

Mirëpo, sa i përket çështjes se sa vihet në praktikë kujdesi dhe respektimi i të drejtave nga ajo që burrave u garantohen me ligj për marrjen e pushimit atëror dhe nëse do të ishin të gatshëm të marrin pushim më të gjatë mbetet ende pikëpyetje në shoqërinë tonë.

Sipas Ligjit aktual të Punës, nënave u lejohet të marrin pushimin e lehonisë prej dymbëdhjetë (12) muajve, pushim i cili sipas këtij ligji është i rregulluar që nëntë (9) muaj do të jenë pushim me pagesë. Ky pushim, i cili është i domosdoshëm për prindërit, nuk sqarohet mjaftueshëm që të ketë zbatim nga të dy prindërit, siç është shfrytëzimi i këtij pushimi me marrëveshje ndërmjet prindërve dhe ku babait e nënës i lejohet të vendosin së bashku se si dëshirojnë ta shfrytëzojnë pushimin.

Një praktikë e tillë, e cila deri më tani ka zbatim të dobët në Kosovë, do të kishe kontribuuar ndaj ndarjes së barabartë të përgjegjësisë prindërore, e cila do të kishe qenë edhe në pajtueshmëri me Ligjin për Familje në Republikën e Kosovës.

Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe për të kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në  kanalin e salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet duke u bazuar në editorial mund t’i gjeni në uebfaqen tonë.

Ligji për Familje në Republikën e Kosovës mbështetet në disa parime, të cilat do të ndihmonin në rregullimin e marrëdhënieve familjare, ndër to e cila edhe mbështet temën e pushimit të përbashkët prindëror është “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe përgjegjësia e të dy prindërve për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, ku fëmijë nënkupton personin nën moshën 18-vjeçare”. 

Një kujdes dhe përgjegjësi e marrë nga të dy prindërit ndaj fëmijëve të tyre sipas Ligjit për Familje duhet të jetë e barabartë, e një kujdes i tillë i përbashkët do të kontribuonte pozitivisht në rritjen e fëmijës. Në kohën të cilën supozohet të ketë pushim të përbashkët prindëror është periudhë kur fëmija ka më shumë nevojë për prezencën e të dy prindërve pranë, duke u mësuar me idenë e kujdesit nga të dy dhe jo vetëm të njërit prind. Megjithatë, gjendja e paraqitur në teori dallon sa i përket asaj në praktikë. Në Kosovë historia ka dëshmuar se gruaja, në këtë rast nëna, është ajo e cila duhet të ofrojë kujdes në familje e sidomos në rritjen e fëmijës. Kjo ide në shoqërinë tonë është ngjizur aq shumë, saqë tani tentativa e baballarëve të rinj që ta ndryshojnë atë praktikë nuk mirëpritet shumë lehtë nga shumica e gjerë. Në këtë kohë ne jemi dëshmitarë të një “lufte” kundër traditave të cilat nxisin diskriminimin gjinor.

Në ndryshimin e kësaj tradite, duke promovuar të drejtën e burrave për të marrë pushimin për kujdesin ndaj fëmijës, do t’i ndihmonte edhe fuqizimit të gruas në shoqëri dhe në treg të punës. Ky ndryshim nuk do ta shpinte më gruan të bëjë zgjedhjen mes karrierës dhe amësisë, por do të lejonte atë të mundë t’i bëjë të dyja dhe si e tillë ajo do të mundë t’i përshtatet politikave të vendit të punës, pasi që do ta ketë edhe ndihmën e burrit në rritjen dhe kujdesin e të posalindurit.

Përfundimisht prej kësaj praktike do të arrihej një balancë gjinore dhe prindërore varësisht prej kërkesave dhe dëshirave të dy prindërve. Si përfundim, nëse ligji do të njihte pushimin prindëror të përbashkët për rritjen e fëmijës dhe një gjë e tillë do të fillonte të praktikohej, kjo do t’i bënte edhe punëdhënësit shumë më korrektë me gratë. Në raste të caktuara në vendin tonë dihet që një prej vështirësive kryesore te gratë për t’u kyçur në treg të punës është pushimi i lehonisë, pasi që punëdhënësi heziton të punësojë një grua nga frika se ajo do të krijojë familje. Mirëpo, një frikë e tillë nuk do të ishte nëse të drejtën për pushim për përkujdesje ndaj fëmijëve do ta merrnin dhe do ta zbatonin të dy prindërit.

Pra, të praktikuarit e pushimit të përbashkët prindëror do ta bënte edhe babanë të jetë afër fëmijës për të kontribuuar me prezencën dhe me kujdesin njëjtë sikurse nëna, do ta fuqizonte rolin e gruas në shoqëri dhe më e rëndësishmja do të kontribuonte në zhdukjen e normave tradicionale sa i përket pozitës së gruas në shoqëri.
 

© zëri.info