Zërat
Mentor Ejupi
Mentor
Ejupi

Letër katunit t´bab´s

Zërat July 19, 2017 - 11:02

( kushtuar Mentor Sefer Ilaz Ejupit )

Gryka e sokakut sot po pret burra e gra, miq e shokë, artistë e valltarë, të njohur e të pa njohur.

Gryka e sokakut e katunit t´bab´s sot i ka laternet e fikura,

Gryka e sokakut e katunit t´bab´s sot asht e zhytur në pelegrinën e heshtjes.

Heshtja e ka mbulue katunin, dëgjohen vetëm afshëmet e mllefit e të dhimbjes, dëgjohen të rrahurat e zemrave edhe ashtu të plagosura e të troshitura në grimca dhimbjesh, lulet në llagemin e sokakut kanë ulur kokën poshtë, sot as pusi i Balit Met nuk paska ma ujë edhe Llapi qenka shterrur e po pret të derdhen lotët e të njohurëve dhe të panjohurve.

Heshtja e ka kaplua katunin e bab´s....

Dje të dëgjova e sot nuk të shof ma, pluhuri i grykës ka me na e zanë frymën, ka me na e zanë pritën me krushqit e dasmës sate, ku janë nisur këta njerëz që po të bartin në krah, ku janë nisur k´ta burra me fytyra të mërzitura, ku po të dërgojnë vellezërit..............ah sa pise ish kjo jetë.

Sot, kur k´ta burra po të bartin ty, në tatëpjetën e Besianës, në varret e Sekiraqëve, ku në grykën e sokakut , kur dikur vraponim ne, po dëgjohen vetëm hapat e burrave duke vrapuar në asfaltin gri, hapat e tyre po gjëmojnë me mijra kilometra larg, shumë larg.

Të qoftë dheu i lehtë shoku i mirë, nuk të erdha as në varrim, por të kamë shumë afër , do të kemë gjithmonë në zemër, në mendje e shpirtë.

Lamtumir vllaqko, na prit në fundë të grykës së sokakut, aty ku jemi nisur të gjithë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK