Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Jo qeveri evropiane, po qeveri virane!

Zërat July 14, 2017 - 16:26

Të gjithë e kemi ditur se zgjedhjet e parakohshme nuk do të prodhojnë zgjidhje, mbase jo për dy problemet më të mëdha me të cilat përballet shteti ynë i ri jo vetëm në nivelin e afirmimit dhe të pranimit ndërkombëtar, por edhe në konsolidimin dhe forcimin e tij, problemet me Demarkacionin dhe me Asociacionin.

Zgjedhjet jo vetëm që nuk prodhuan zgjidhje, por prodhuan krizë edhe më të madhe. Komandantët e luftës, të rreshtuar në një kolonë, me kryekomandantin Ramush Haradinaj, fituan aq pak vota sa gati e kanë të pamundur të formojnë një qeveri, e cila si synim primar do të kishte refuzimin, e në rastin më të keq mbrojtjen nga Gjykata Speciale.

Pak vullnet qytetar u delegua edhe te partia më e vjetër, përkatësisht te LDK-ja, e cila u ndëshkua shkaku që pranoi të ishte një patericë e PDK-së. Të fituara dolën vetëm Lista Serbe dhe Lëvizja “Vetëvendosje”, dy subjekte këto që nuk e njohin shtetin e Kosovës, përkatësisht pavarësinë e saj; e para e konsideron si pjesë të Serbisë, ndërsa e dyta si pjesë të Shqipërisë.

Shih për këtë janë dy subjektet e vetme që nuk njohin simbolet e shtetit të ri! Për më keq janë këto dy subjekte politike që tashmë realisht kanë në dorë fatin e bërjes së qeverisë së re, ndërsa LDK-ja tashmë është një patericë e thyer, së cilës i duhet një rehabilitim i domosdoshëm nga goditjet që mori prej PDK-së dhe LVV-së.

Ekziston bindja, duke u bazuar në logjikën trafikuese që dominon organizimin e jetës në Kosovë, se Haradinaj, edhe në këtë konstelacion forcash, mund t'i bëjë numrat sa për ta formuar një qeveri, e cila më së shumti mund të ishte në shërbim të egos së tij e asgjë më tepër. Pra mund të kemi një qeveri sa për të thënë, por një qeveri që do të mundë t’i zgjidhte problemet e panumërta me të cilat ballafaqohet qytetari ynë sot, jo.

Madje mund të themi lirshëm se do të kemi një qeveri, e cila do ta bëjë edhe më të largët ëndrrën për liberalizim vizash. Këtë mbase e kanë të qartë edhe qytetarët, të cilët në numër jo të vogël po ia mësyjnë Serbisë për t'u bërë banorë të saj, në mënyrë që të fitojnë të drejtën në pasaportën serbe, e cila do t'u mundësonte ikjen nga kjo kënetishtë. Qytetarët tanë këtë po e bëjnë me një kosto jashtëzakonisht të lartë, madje larg medieve dhe syrit të verbër të institucioneve tona!

Nëse vlerësuam se kishim një votë dëshpërimi, e cila u konvertua në votë ndëshkimi pikërisht për këta që mëtojnë të bëjnë qeverinë, atëherë del se kjo mund të jetë një qeveri që përfaqëson vullnetin e pakicës, por jo të shumicës që njeh dhe shpreh lojalitetin ndaj shtetit të Kosovës.

Ndërsa takimet ndërmjet liderëve politikë kanë kuptimin e shërbimit të medieve dhe të portaleve, duke qenë të veshura me konspiracion dhe intriga nga më të ndryshmet, nga qendra e Evropës, përkatësisht nga Brukseli, komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, dërgon mesazhin e tij për formimin e një qeverie pro evropiane.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe Ana Brnabiq deklarohet se për të nuk është fare me rëndësi kush bëhet kryeministër në Kosovë Haradinaj a Kurti, e bindur se kjo çështje i takon Listës Serbe, e cila edhe ka obligim për realizimin e politikave të Serbisë në Kosovë.      

Duke u bazuar në numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme, mbi pesëdhjetë mijë sosh, qytetarët e Kosovës nuk mund të presin ditë më të mira, përkundrazi do të detyrohen të gjejnë dhe të thyejnë shtigje për të ikur nga këtu.

Dhe ndërsa ishim të sigurt se zgjedhjet e parakohshme nuk do të prodhonin zgjidhje, tash jemi të bindur se këto zgjedhje veç sa krijuan një mundësi të re për organizimin e zgjedhjeve jo të parakohshme, por të jashtëzakonshme.

Dhe sigurisht që më e dobishme është të mendojmë më shumë në këtë sesa të harxhojmë energji sesi Haradinaj do t'i bëjë numrat. Kosovarët vërtet kanë nevojë për një qeveri evropiane e jo për një qeveri virane.      

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK