Zërat
Kastriot Shabiu
Kastriot
Shabiu

A kemi politika lokale për aktivizimin e grave në tregun e punës?

Zërat July 13, 2017 - 12:16

Aktivizimi i grave në tregun e punës mbetet njëra nga sfidat më të mëdha në Kosovën e pasluftës.

Si njëra nga parimet themelore për demokratizimin e shoqërisë, barazia gjinore në aspektin e punësimit është adresuar me një intensitet të lartë përgjatë 17 vjetëve, por fatkeqësisht duke mos dhënë rezultate të dëshiruara. Problemi kryesor qëndron në përfshirjen e vogël të grave në tregun e punës dhe mungesën e politikave lokale për mbështetjen e tyre.

Statistikat e fundit flasin për shkallën e lartë të papunësisë që varion rreth 30-35% tek të dyja gjinitë. Mirëpo, akoma më shqetësues është numri i vogël i grave të punësuara. Në nivel vendi, 12% të grave janë në marrëdhënie pune, ndërsa  vetëm 13% janë sipërmarrëse të bizneseve. Në anën tjetër, 82.6% të grave nuk kërkojnë punë dhe nuk janë të interesuara të futen në marrëdhënie pune për arsye të ndryshme. Këto shifra alarmante të mospërfshirjes së grave në tregun e punës në masë të madhe janë tregues të qartë të mentalitetit patriarkal si pengesë kryesore e përfshirjes së grave në struktura të tjera sociale jashtë familjes.

Faktori tjetër i shkaktimit të kësaj situate në shoqërinë kosovare është edhe mospërfaqësimi i duhur politik i grave në nivelin lokal dhe në atë qendror që t’i adresojnë këto çështje. Në vitin 2005 është hartuar ligji i parë për barazi gjinore në Kosovë dhe në vitin 2015 është bërë një avancim sa i përket këtij ligji. Mirëpo, problemi qëndron si në të gjitha ligjet dhe programet e tjera, që shumica prej tyre mbesin në rrafshin deklarativ e promovues dhe vështirë se gjejnë zbatueshmërinë e tyre.  

Politikat gjinore ose planet e veprimit për arritje të barazisë gjinore në sektorin privat për punësim të grave janë pak apo aspak të pranishme. Nga të dhënat e një hulumtimi del se rreth 44.2% e të anketuarve/ave mohojnë të kenë diçka të tillë në organizatat apo në kompanitë e tyre. Këto të dhëna na shërbejnë për ta kuptuar më mirë logjikën se si një pjesë e madhe e sektorit privat vepron, duke u munduar t’i lënë punëtorët në errësirë informative në lidhje me të drejtat e tyre bazike. Sa i përket nivelit komunal, në fillim të vitit 2017 Komiteti për Zhvillim Ekonomik dhe Komiteti për Barazi Gjinore në Kuvendin e Gjilanit kanë miratuar Strategjinë për gratë ndërmarrëse në rajonin e Anamoravës, për periudhën 2017-2021.

Përmes kësaj strategjie do të synohet të bëhet përmirësimi i gjendjes ekzistuese të grave në shoqëri, me fokus të veçantë në përkrahjen e grave në themelimin e bizneseve të reja si dhe për të krijuar ura bashkëpunimi mes grave në mënyrë që të kenë rol aktiv në zhvillimin e politikave të reja, qoftë në nivelin lokal, regjional apo në nivel kombëtar.

Përveç miratimit të strategjisë për zhvillimin e grave ndërmarrëse, mund të thuhet se Komuna e Gjilanit ka shënuar regres sa i përket kësaj problematike, ndonëse ekziston një komunitet për barazi gjinore i cili mban takime të rregullta me gratë. Themelimi i këtij komuniteti ishte një nevojë kryesore dhe të gjitha hapësirat praktike që shmangen nga Komuna kryhen nga ky komunitet. Funksioni kryesor i komunitetit është informimi për të drejtat e grave, por në të njëjtën kohë shërben edhe si një hapësirë për aktivizimin e grave, por duke mos pasur ndonjë mbështetje më të madhe ai nuk arrin t’i adresojë shumicën e çështjeve. Në prag të zgjedhjeve lokale vërehet neglizhenca dhe puna se sa është bërë në aktivizim të grave në treg të punës.

Përveç kësaj, nuk kemi një parti politike e cila në diskursin e tyre ta ketë një qëndrim më të vendosur në lidhje me aktivizimin e grave dhe qasjen e tyre në tregun e punës. Adresimi i aktivizimit të grave në treg të punës si një çështje kap një spektër më të gjerë të nevojave dhe problemeve që duhet adresuar. Në nivel komunal kemi të bëjmë më identifikimin e potencialit të grave si fuqi punëtore që do të ndihmonte edhe zhvillimin ekonomik.

Problemi i tanishëm i gjithë strategjive dhe politikave është në mospërputhje me kërkesat e nivelit lokal. Moshulumtimi i drejtë i nevojave dhe potenciali që ekziston në teren bën që gratë mos të jenë pjesë e tregut të punës. Nuk mund të konsiderohet që politikat për punësim në Prizren mund të jete të njëjtë në Gjilan. Kjo për shkak që në Prizren punësimi duhet të jetë i orientuar drejt shërbimeve dhe turizmit, kurse në Gjilan drejt bujqësisë.

Avancimi i grave në tregun e punës përmes politikave dhe aktivizimit qytetar nuk është një gjë e cila duhet të kryhet për hir të shtrëngesave nga jashtë, por një nismë e cila duhet të burojë nga vetëdija qytetare.

Një qasje e tillë, duke bërë ndryshime sistematike fillimisht në edukimin e brezave të rinj, do ishte hapi i parë në ngritjen e emancipimit të grave dhe shoqërisë në tërësi për rëndësinë e përfshirjes së grave në tregun e punës.  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK