Zërat
Nina Werkhäuser
Nina
Werkhäuser

G20, mosmarrëveshje të paraprogramuara

Zërat July 08, 2017 - 14:30

Kush ia njeh shprehjet e fytyrës Merkelit, e kupton menjëherë: ky takim i G20-s është edhe për të, që është e kalitur në samite të panumërta ndërkombëtare, një sfidë e madhe. Pozicionet janë shumë larg njëri-tjetrit, sidomos ato për ndryshimin e klimës dhe politikën tregtare. SHBA-ja po heq dorë prej tyre dhe konsensusi i 20 vendeve kryesore të industrializuara dhe atyre me rritje të fortë ekonomike ka marrë fund.

Merkeli shpresonte se Samiti i Hamburgut do të jetë kurorëzimi i lavdishëm i presidencës gjermane të G20-ës. Tani delegacioni gjerman po hedh hapa të vegjël: Merkeli po zhvillon paraprak bisedime për ta gjetur një emërues të përbashkët edhe në qoftë se ky po bëhet gjithnjë e më i vogël.

Samit kompromisesh

Unanimiteti në radhët e G20-s i takon historisë, qëkurse Shtetet e Bashkuara dolën nga Konventa e Klimës e Parisit dhe mbrojnë një politikë tregtare restriktive. Këto janë çështjet kyçe të grupit G20, që i nënshkruan dokumentet e veta në fund gjithmonë me unanimitet. Pra, çfarë do të bëjë Merkeli që ta arrijë një kompromis në fund?

Në mbrëmje kancelarja bisedoi rreth një orë me presidentin Donald Trump, i cili sapo kishte ardhur prej një vizite shtetërore në Varshavë, ku polakët e kishin pritur me hare. Në takimin në hotelin “Nobël” të Hamburgut “Atlantik” ata diskutuan asgjë më pak se për shpëtimin e samitit, që ky mos të përfundojë me mosmarrëveshje. Ata folën edhe për pika të nxehta të politikës së jashtme, si testet me raketa të Koresë së Veriut, situata në Lindjen e Mesme dhe konflikti në Ukrainën lindore. Në fund, që të dy nuk thanë asgjë lidhur me rezultatet.

19:1 për mbrojtjen e klimës

E rëndësishme është që të mos i fshehim dallimet, kishte thënë Merkeli para samitit. Ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, ka theksuar para takimit me forcë që në Hamburg nuk duhet të bëjmë sikur jemi të gjithë miq vetëm e vetëm që të arrihet një deklaratë, e cila më pas do të rezultonte si “e shpëlarë”.

Të gjitha vendet janë pro Marrëveshjes së Parisit për klimën, me përjashtim të SHBA-së. Ky proces është “i pakthyeshëm”, thuhet në draftin e parë të komunikatës përfundimtare. Pra, marrëveshja nuk do të rinegociohet edhe një herë. Dokumenti përfundimtar, pra, mund ta regjistrojë si fakt tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja e klimës dhe ta hartojë gjithashtu një angazhim shumë të përgjithshëm për mbrojtjen e klimës, me të cilën mund të jetë dakord edhe Donald Trumpi. Një manifest i tillë përçarjeje do të ishte i pari në historinë e G20-s.

Bashkëpunimi me negociatorët amerikanë është konstruktiv, thuhet në sallat e takimit. Qëllimi është për ta arritur një “situatë win-win”, tha Merkel pas mbërritjes në Hamburg, ku dje në mëngjes (07.07) filloi samiti.

Një takim shumë i ngarkuar

Problematik pritet të jetë gjatë samitit edhe takimi i parë personal mes Trumpit dhe presidentit rus Putin, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve kanë arritur një kulm të ri. Rusia po shfaq një “sjellje destabilizuese”, kritikoi Trump në Varshavë dhe ua shiti polakëve, për t'u mbrojtur prej fqinjit të fuqishëm, raketa amerikane të tipit “Patriot”. Pyetjes nëse ajo do të ndërmjetësojë ndërmjet Putinit dhe Trumpit, kancelarja Merkel iu përgjigj me “Jo”. Ajo tha se do vetëm që të kontribuojë për zgjidhjen e problemeve dhe të tilla në këtë samit ka sa të duash. (DW)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK