Zërat
Adnan Rrustemi
Adnan
Rrustemi

Padurueshmëria nga rinumërimet e pafundme

Zërat July 07, 2017 - 00:09

Çdo ditë e më tepër shpallja dhe certifikimi i rezultateve përfundimtare po merr një rëndësi të veçantë si faza e fundit e ciklit zgjedhor, por edhe një padurueshmëri publike ndaj vonimit të tyre po rritet me të drejtë. Përmbyllja e procesit zgjedhor, ngelët po aq sfidues, sa edhe vetë organizimi i zgjedhjeve.

Si defekt i pariparueshëm deri më tani, shpallja dhe certifikimi i rezultateve po shfaqet si proces po aq sa, apo edhe më i gjatë sesa vetë organizimi i zgjedhjeve. Ky fakt paraqet prioretizim të padrejtë të fazave të ciklit zgjedhor, duke i dhënë më shumë rëndësi përpunimit dhe tabulimit të rezultateve kundrejt organizimit të zgjedhjeve të lira e të drejta, sikurse shpreh edhe paaftësinë organizative të KQZ-së, por edhe të institucioneve tjera si PZAP dhe Gjykata Supreme.

Shpallja e rezultateve sado aspekt i rëndësishëm që është, do të duhej të përfundonte shumë shpejt dhe si një aktivitet krejtësisht teknik të shënonte përmbylljen e ciklit zgjedhor. Ndërkaq, preokupim i vërtetë duhet të ishte dalja votuesve në zgjedhje, edukimi dhe informimi i votuesve, pamundësia e mërgatës për të marrë pjesë, pastrimi i listës së votuesve, trajnimi i komisionerëve, numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme, votimi me asistencë etj. Por, përderisa kemi një ngecje të pashembullt në publikimin e rezultateve, çfarë mund të bëhet për këto segmente shumë më komplekse.

Dy palë zgjedhjet e fundit të përgjithshme si të parakohshme janë organizuar brenda tridhjetë ditëve, shpallja dhe certifikimi i rezultateve ka zgjatur më tepër se një muaj, respektivisht po i afrohet tridhjetë ditëshit. Po aq ditë sa për t’i organizuar zgjedhjet, vetëm për t’i shpallur rezultatet.

Sado e justifikueshme që mund të jetë vonesa e shpalljes së rezultateve, pritja e tyre është bërë e padurueshme dhe mosbesuese në thelb. Ky proces i ngadalshëm, domosdoshmërish duhet të ndryshojë në të ardhmen. Një rast si ky, do të duhej të ishte momenti më i përshtatshëm për të analizuar shkaqet e kësaj vonese dhe për të reflektuar për gjetjen e solucioneve që e përmirësojnë seriozisht këtë aspekt, duke siguruar rezultate të sakta, të besueshme dhe transparente, sikurse edhe të shpejta.

Numërimi dhe shpallja e rezultateve në Kosovë zhvillohet në dy nivele, të cilat paraqesin dy anët ekstreme të njëra-tjetrës. Gjersa numërimi në vendvotim (ku votohet numërohet) shpreh thelbin më decentralizues të procesit zgjedhor, tabulimi dhe përpunimi i tërësishëm i tyre në QNR është dimensioni tjetër komplet centralist. Në fakt, ky konceptim i numërimit dhe shpalljes së rezultateve, përveçse po dëshmohet joefikas është edhe paradoksal në vetvete. Nëse çdo formular, i secilit vendvotim duhet të përpunohet edhe njëherë nga KQZ-ja në nivel të QNR-së, si dhe gjithnjë rinumërimi përfshinë diku nga 20-40% të kutive, atëherë çfarë kuptimi ka numërimi i votave në vendvotime.

Përkundër faktit që sistemi aktual me lista të hapura dhe numërimi i dyfishtë në vendvotime për subjektet politike dhe për kandidatët është sfidues, KQZ-ja do të duhej të merrte masat e nevojshme që i lejohen me ligjin për zgjedhjet dhe të garantojë numërim dhe plotësim të saktë të formularëve. Vonimi i rezultateve nuk po shkaktohet nga fakti se ekzistojnë listat e hapura, por nga rinumërimi i mbi 500 kutive të votimit, respektivisht të vendvotimeve, për të cilat nuk janë plotësuar në mënyrë të saktë formularët.

Nisur nga këto, ne duhet të fokusohemi në gjetjen e mekanizmave ligjorë dhe të qëndrueshëm për të garantuar shpallje të shpejtë dhe integritet të procedurave të certifikimit të rezultateve, përmes përshtatjes së praktikave dhe të standardeve më të mira që do të mundësonin proces të sigurt, të saktë, të besueshëm dhe të shpejtë të numërimit të fletëvotimeve. Njëra ndër mënyrat më të mira, por jo e vetmja për përmbushjen e këtyre objektivave do të ishte numërimi i fletëvotimeve në qendra komunale të numërimit të votave, fuqizimi i trajnimeve dhe përdorimi i ekipit të veçantë të numërimit në vendvotime. Numërimi i përqendruar në qendra komunale do të mundësonte që brenda njëzetekatër orëve pas ditës së zgjedhjeve të kishim rezultate të sakta dhe përfundimtare në nivel të komunave si për subjektet politike, ashtu edhe për kandidatët e tyre, gjersa certifikimi i rezultateve përfundimtare nga na e KQZ-së do të mund të bëhej brenda një jave apo më së tepërmi dhjetë ditëve pas përfundimit të zgjedhjeve.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK