Zërat
Enisa Serhati
Enisa
Serhati

Politika, arti i mbushjes së llogarive!

Zërat July 04, 2017 - 14:27

Themelimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit në 2006-ën dhe fillimi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë në Kosovë më pas në 2007-ën gati se krijoi njëfarë sigurie se i kemi rënë në fije modelit për luftimin e korrupsionit. Me gjithë debatet dhe vëmendjen e medies për deklarimin e pasurisë së politikanëve menduam se mos jemi në rrugë të duhur për ta ndaluar pasurimin e llogarive përmes keqpërdorimit të pozitave publike. Sot, 10 vjet më pas, është e qartë se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë nuk kontribuon në monitorimin e integritetit të tyre. Deklarimi i pasurisë është veç edhe një tjetër procedurë në procesin e legjitimimit të pazareve me pozita publike. Për politikanë e gjithë historia e deklarimit të pasurisë po shndërrohet në një lloj arti të mbushjes së llogarive. Art që manifestohet me një shou të shkurtër medial.  

Të metat e procesit të regjistrimit dhe raportimit të pasurisë së deklaruar janë të shumta dhe mbeten të pandryshuara vit pas viti. Edhe sivjet mangësitë në procesin e deklarimit të pasurisë janë: legjislacioni joadekuat dhe i paharmonizuar, deklarimi i parregullt i pasurisë nga zyrtarët publikë, pranimi dhe regjistrimi i deklarimeve nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pa i kontrolluar ato teknikisht, raportimi medial i papërqendruar, mosverifikimi i vërtetësisë së pasurisë së deklaruar në AKK dhe punë veç simbolike e Prokurorisë në gjykimin e dënimin e parregullsive. Pra, problemet fillojnë që nga korniza që e shtron modelin e deklarimit të pasurisë dhe vazhdojnë deri te pranimi medial e publik dhe puna e gjyqësorit. Fillimisht, legjislacioni në fuqi nuk është i harmonizuar dhe shoqërohet me ndryshime të shpeshta që e vështirësojnë njohjen e dokumenteve ligjore nga publiku. Ligjet janë të mangëta në autorizimin e AKK-së për ta verifikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve. Kështu, AKK-ja nuk kërkon origjinën e pasurisë së deklaruar e as nuk ka qasje në llogaritë bankare të zyrtarëve publikë. AKK-së i mungojnë edhe kompetencat për ta bërë kontrollimin e pasurisë që zyrtarët publikë kanë jashtë Kosovës. Rrjedhimisht, si në shumë sisteme të tjera në Kosovë, edhe llogaridhënia në sistemin antikorrupsion, e facilituar nga AKK-ja, e humb fillin.

Në ndërkohë, çdo vit pas publikimit të deklarimeve të pasurisë, është bërë e zakonshme nisja e një cikli kalkulimesh nga gazetarë e analistë për ta kuptuar se cilët politikanë kanë shitur shtëpitë, kush e ka partnerin më të pasur dhe cilëve u është rritur paga më së shumti. Një matematikë e tillë vazhdon ta krijojë një iluzion të vëzhgimit të transaksioneve të punonjësve publikë. Vëmendja kolektive në aprovimin e këtyre deklarimeve fillon e përfundon në perceptimin se korrupsionit i është vënë dikush pas. Në realitet ky model i monitorimit të pasurimit të politikanëve nuk krijon më shumë llogari nga ata dhe për aq kohë sa të zgjasë politikanët do të vazhdojnë të raportojnë pjesë të pasurisë bazuar vetëm në vullnetin e tyre. Deklarimi i pasurisë, megjithatë, ka gjithë potencialin që të krijojë llogaridhënie të mirëfilltë dhe jo vetëm burokraci. Në fakt, që ta evitojmë një situatë përplot pendime pas 10 vjetëve, ngjashëm me pendimet tona sot, reformimi rrënjësor i sistemit të deklarimit dhe verifikimit të pasurisë së deklaruar nga zyrtarët publikë duhet t’i përfshijë një sërë akterësh dhe të ndodhë sa më shpejtë. Një sistem i ri duhet ta evitoj transferimin e përgjegjësisë për llogaridhënie nga një institucion në tjetrin, duke i detyruar institucionet të punojnë bashkë.

Një sistem i reformuar fillimisht duhet ta aprovojë një ligj për verifikimin e pasurisë dhe hetimit të origjinës së pasurisë së dyshimtë dhe t’i harmonizojë dokumentet e shumta ligjore. Pjesë e ndryshimeve ligjore patjetër se duhet të jetë edhe një ligj që heton pasurimin e politikanëve nga viti 1999 dhe më herët, pasi që pasurinë nga kjo periudhë e pranojmë të pakontestuar. Agjencia kundër korrupsionit, në anën tjetër, duhet të fillojë reformim të brendshëm për t’i adresuar problemet si mungesën e kapaciteteve teknike ose riorganizimin e agjencisë drejt punës ekskluzive me deklarim të pasurisë. Në mes tjerash, opsion i hapur për të mbetet anulimi i plotë i njësisë së hetuesisë, ngaqë kompetencat dhe ekspertiza e kësaj njësie janë të limituara. Hetuesia do të mbetej kështu përgjegjësi e  policisë dhe prokurorisë, ndërsa AKK-ja do t’i shkrinte gjithë kapacitetet e saj në fushën e deklarimit të pasurisë. Në fund, me qëllim të ofrimit të një forme të unifikuar të monitorimit të deklarimit të pasurisë, kërkohet një bashkëpunim i ngushtë në mes AKK-së, policisë e prokurorisë. Përgjegjësia kryesore e këtij bashkëpunimi duhet të jetë verifikimi i pasurisë së deklaruar përmes kontrollit multilateral dhe të bazuar në të dhënat e të gjitha institucioneve. Ky bashkëpunim do të kërkonte të zgjerohej në vazhdimësi përmes doganës, bankave dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Një model i raportimit online për zyrtarët publikë, që krahason deklarimet e politikanëve me bazat e të dhënave nga këto institucione, do të mundë ta eliminonte raportimin e pavërtetë.

Derisa të mungojë një reformim i tillë, puna e AKK-së dhe deklarimi i pasurisë nga politikanët vazhdon të mbetet një burokraci me pak vlerë të shtuar në luftimin e korrupsionit dhe me shumë shou.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK