Zërat
 Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Prof.
Dr.
Lisen
Bashkurti

Te gjithëve: Mos e zhgënjeni rininë

Zërat July 04, 2017 - 12:21

Thuajse një vit më parë pata shkruar në profilin tim në facebook se "Shqipëria pa rini është si familja pa fëmijë". Këtë shënim i'a pata drejtuar shtetit dhe politikës përpara zgjedhjeve politike.

I trazuar si prind, si gjysh, si qytetar dhe si diplomat e profesor i kahershëm për gjendjen ekonomike, sociale dhe psikologjike të rinisë i jam drejtuar shtetit dhe politikës të kthejë sytë nga rinia. Çdo pasuri burimore ka vlerë për Shqipërinë. Por mbi çdo pasuri burimore është popullsia dhe brenda saj është rinia.

Kambana e alarmit për rininë shqiptare ka rënë. Ajo po dëgjohet në Evropë dhe botë. Rinia jonë, pra fëmijët tanë, nipat e mbesat, studentët dhe kolegët e rinj jetojnë të dyzuar: me trup në Atdhe, me mendje nëpër botë. Sondazhi i fundit i Gallup tregoi që jemi në krye të vendeve me dëshirën më të lartë për t'u larguar në emigracion.

Këtyre kambanave për "ethet emigrantëve të rinisë shqiptare" duket se fushata elektorale iu përgjigj pozitivisht. Rinia u duk kudo. Rini në parti. Rini në premtime. Rini në lista deputetësh. Rini në manifestime. Rini në procesin zgjedhor. Kjo ishte premtuese....

Por fushata mbaroi. Rinia jeton. Fushata iku. Rinia mbeti. Premtimet u bënë. Rinia pret. Rinia votoi. Ëndrrat vijojnë. Çfarë do bëhet për rininë?!

Shpresoj se politika nuk do e zhgënjejë rininë. Uroj që gjithë aktorët politikë të vendit të mbajnë në strategjitë e tyre politike kauzën rinore; të adresojnë prioritetin rinor në çdo aspekt zhvillimor; të nxitin projekte dhe programe për rininë; të ngjallin shpresat dhe besimin se Shqipëria bëhet dhe bëhet për rininë dhe me rininë.

Mos e zhgënjeni rininë drejtues të shtetit, qeverisë dhe politikës shqiptare. Mbani premtimet që bëtë përpara saj. Kemi rininë më të shëndetshme fizikisht, më të pastër moralisht, më të lidhur atdhetarisht. Mos e lini të na braktisë!

Jemi popull i vogël, por i virtytshëm. Si i tillë rritim një rini të mrekullueshme. Por rininë e duam në familje, në shoqëri e në Atdhe. Nuk rritim rini për "eksport"...jo jo nuk rritim fëmijë për "tregjet e punës emigrative"...jo jo nuk duam te shterpëzojmë Atdheun tonë. Nuk duam ta kthejmë Shqipërinë nga parku i gumëzhitjes rinore në kopshtin e një azili pleqëror pa jete.

Mos e zhgënjeni rininë shtetare, qeveritarë e politikanë shqiptarë sepse do mbeteni në histori si vrastarët e ardhmërisë së Shqipërisë!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK