Zërat
Anita Kadriu
Anita
Kadriu

Pezullimi i kuadrove pezullon programet universitare

Zërat June 30, 2017 - 12:06

Padi nëpër gjykata, ankesa në Agjencinë Antikorrupsion, hetime nga Njësia e Krimeve Ekonomike për shkelje të ligjit gjatë pranimit të stafit akademik është ajo çka ka prodhuar Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Agjencia e Kosovës për Akreditim e dëshmoi këtë. Në emër të cilësisë dhe të shtetit tash edhe duhet të flasë se kur ndodhi kjo brenda dy vjetësh apo 10 vjetësh?  Të kërkojë përgjegjësi nga rektorët, prorektorët, dekanët e prodekanët për dështimin e programeve. 

Madje prodhoi edhe ikje të kuadrove nga Kosova që tash ligjërojnë nëpër universitetet me renome botërore, e në UP apo në kolegje private nuk u jepet mundësia të ligjërojnë ose shumë rrallë dhe atëherë dekurajohen e ikin prapë nga Kosova. Këta të rinj të edukuar jashtë vendit apo që nisën studimet i bënë në Prishtinë dhe me bursa nga fondacione të ndryshme ose nga vetë shteti ynë për krijimin e “trurit të ri” shkuan të studiojnë jashtë nuk mund të pranojnë telefonata që të falin ndonjë notë për hatër të rektorit apo të mikut të rektorit, të dekanit, të politikanit..., etj. Nuk mund të kalojnë studentë në provime se ata duhet ta regjistrojnë vitin e dytë që kolegji të ketë të hyra.

Nëse ky kuadër, që ka marrë gradën me meritë jashtë vendit, nuk i plotëson kriteret e mafisë akademike çdo ditë do të përballet me tentimin për ta njollosur njerëzisht dhe profesionalisht.     

Agjencia e Kosovës për Akreditim pezulloi 131 programe studimi për mungesë të stafit akademik. Kosova nuk është pa njerëz me thirrje doktorate, por shteti duhet të shohë pse këta kandidatë për staf akademik po enden gjykatave, pse njerëz pa thirrje u lejuan të ligjërojnë tash e sa vjet në programet që u është marrë akreditimi? Sa kuadro diplomuan nga profesorë të cilët vetë ishin pa diplomë përkatëse dhe ku janë ata tani, të punësuar në Qeveri apo janë bërë dhe këta profesorë? 

Nuk mund të ketë cilësi në arsim me pezullim programesh e njëkohësisht me pezullim të njerëzve të dijshëm. Nuk mund të vendoset cilësia pa u respektuar së pari ligji në atë institucion. Nuk mund të ligjërojnë profesorë me plagjiaturë apo me falsifikim dokumentesh - dijes. 

Por këta po munden. Dyshohet se vetë profesorët ua kanë shkruar temat e diplomës së magjistraturës dhe të doktoratës shefave të vet të politikës apo kësaj mafie akademike. 

Kosovës vërtet i mungon stafi akademik brenda institucioneve të arsimit të lartë, por jo jashtë tyre. Institucionet e kanë këtë problem se njerëzit që i udhëheqin rektorë e dekanë, këshilla drejtues kanë problem me njerëzit e dijshëm që thirrjen doktor shkence e kanë marrë me meritë e jo me anëtarësim në ndonjë parti, jo me përkrahje klanesh apo grupesh të interesit në dhe përreth UP-së si i vetmi institucion që lejohet të organizojë studime të doktoratës në UP.  

Dhe tani për mungesë stafi në UP u pezulluan 23 programe studimi prej tyre tri programe studimi doktorate kur ky institucion është universitet tash e 47 vjet.

A mund të zgjidhet mungesa e stafit akademik me nivel doktorate për afat të shkurtër për të vazhduar funksionimi i programeve kur tashmë po vërtetohet se 18 vjet pas luftës nuk u krijua staf akademik i rregullt?! Tek ne edhe mund të ndodhë kjo. Por sipas Rregullores së Përgjithshme Akademike dhe sipas Sistemit të Bolonjës, duhen tri vjet për t’u kryer studimet e doktoratës. Megjithëkëtë, të paktë janë njerëzit të cilët doktorojnë me tri vjet edhe jashtë vendit. Vazhdon edhe më gjatë studimi. Doktorata nuk është vetëm sa të futesh profesor siç po aplikohet këtu, mirëpo grada e doktoratës është aftësim i njeriut, avancimi i tij, gradimi i tij si rezultat i punës së tij akademike. Këtu ky parim nuk përfillet. Doktorojnë pa qenë fare i angazhuar në fakultet, pa shkuar në fakultet. Doktorantët në vendet perëndimore e kanë për obligim t’i ligjërojnë dy semestra së paku në universitet dhe krahas saj të absolvojnë me seminare hulumtuese.  

Por edhe diçka nuk u tha nga Agjencia e Akreditimit, se:

- Institucionet e arsimit të lartë kanë probleme edhe infrastrukturore, edhe laboratorike;

- Lejohet të krijohet hiperproduksion në disa drejtime si në universitetet publike, si në kolegjet private, si: shkenca politike, juridik, ekonomik, etj. E në anën tjetër në gjithë botën, kryesisht në fakultete të gazetarisë mbajnë mësim gazetarë me tituj gazetareskë e me përvojë, ndërsa te ne duhet të jetë doktor i drejtimeve të ndryshme;

 

- Ndërsa në programet e hapura si të reja ende pa u konsoliduar niveli i studimeve themelore u hapën ato master, madje edhe doktoratë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK