Zërat
Urtak Hamiti
Urtak
Hamiti

Rugovizmi, UÇK-ja, 'Vija e kuqe'

Zërat June 28, 2017 - 13:35

“Public Relations” apo “relacionet me publikun” është një lloj eufemizmi për termin propagandë, që pas Luftës së Parë Botërore u vlerësua si term me konotacion negativ nga ekspertët amerikanë të marketingut.

Termin e ka shpikur dhe përdorur suksesshëm, në fushata propaganduese të korporatave ekonomike dhe institucioneve shtetërore, Eduard Berne, që llogaritet si pionier i PR-së moderne të lindur në SHBA (Berne ishte nip i Sigmund Frojdit). Në librin e tij “Propaganda” (1928), Berne thekson se “manipulimi inteligjent dhe i vetëdijshëm me sjelljet dhe opinionet masave është element i rëndësishëm i shoqërive demokratike dhe propaganda e centralizuar dhe e orkestruar është alternativë e kaosit të ideve”.

Komunikimi politik, si nënfushë e Komunikimit dhe Shkencave Politike, shqyrton përhapjen e informatave dhe ndikimin e tyre në politikëbërje si dhe raportin propaganda-mediet-qytetarët, qoftë përmes masmedias, qoftë në komunikim ndërpersonal. Komunikimi politik është përdorimi strategjik i të gjitha mjeteve te komunikimit, verbale dhe joverbale, për ta ndikuar opinion publik, besimet, vlerat e presupozuara kulturore dhe veprimet për çështje të ndryshme politike. Rrjedhimisht, zgjedhjet dhe fushata zgjedhore janë objekt i studimit i kësaj nënfushe të Komunikimit Masiv.

Pasi zgjedhjet parlamentare 2017 u shpallën shpejt dhe në Kosovën e shqetësuar në aspektin e sigurisë publike, socio-ekonomikisht të varfëruar dhe politikisht të polarizuar qe dy vjet, partitë politike nuk patën mundësi të krijojnë programe qeverisëse si ofertë, por u pozicionuan në sloganet propaganduese të përgjithësuara. “Bashkë, të vendosur”, “Fillimi i ri”, “Vija e vetme e kuqe”, janë slogane propaganduese publike që projektojnë gjithçka, por asgjë të specifikuar.

Pjesa tjetër e fushatës PR-ja kishte për qëllim mobilizimin e anëtarësisë dhe përkrahësve brenda partive politike. Partitë politike, disa më pak disa më shumë, mungesën e programeve konkurruese ia atribuuan fushatës së shkurtër parazgjedhore, ndonëse në dy vitet e fundit qëndrimet tyre rreth çështjeve kyçe politike në Kosovë dhe rreth Kosovës ishin të njohura për opinionin publik. 

Për ta mobilizuar anëtarësinë dhe përkrahësit e tyre Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja), Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja), Lëvizja “Vetëvendosje” (VV-ja) përdorën metoda shumë të ngjashme në aspektin e mjeteve propaganduese klasike, spotet televizive, reklamat, afishet, karvanët shëtitës në disa qytete brenda ditës (whistletop tours), transmetimet e paguara, aktivitete derë më derë dhe ato moderne si platformat sociale të internetit, portalet. Për ta sensibilizuar anëtarësinë dhe përkrahësit e tyre partitë politike në Kosovë vendosën të kthehen kah e kaluara për ta rikrijuar identitetin politik dhe ofertën zgjedhore.

Nostalgjia për një kohë tjetër ishte tema kryesore mobilizuese. 

LDK-ja përdori si argument forcën që ka treguar në krijimin dhe mbajtjen e institucioneve të Kosovës në vitet e ’90-a të shekullit të kaluar dhe në pragmatizmin e treguar për t’i përkrahur institucionet e Kosovës së pasluftës në shekullin XX. LDK-ja përdori autoritetin e themeluesit dhe prijësit të saj dhe Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova, si shenjë orientuese dhe filozofinë e veprimit politik të Rugovës si vlerë origjinale. Në aspektin e simboleve në plan të parë vendosi shenjat e Rugovës, flamurin e Dardanisë, himnin e Kosovës “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”. Porosia e projektuar mund të definohet si “pa ne nuk do të kishte dhe nuk mund të ketë institucione, ne i lidhim brezat në Kosovë”. 

PDK-ja përdori ndjeshmërinë e shqiptarëve për rezistencë të organizuar, të armatosur kundër pushtuesve serbë, duke u shprehur edhe në mënyrë eksplicite se ajo u takon vetëm partive që janë themeluar nga udhëheqësit e UÇK-së. Si simbole në plan të parë ishin theksimi i kryengritjes së UÇK-së, 1997-1999 (veprimtaria e hapur), me të gjitha atributet saj, militarizmin dhe sakrificën. PDK-ja, së bashku me AAK-në dhe Nismën, potencoi aftësinë e organizimit të rezistencës së armatosur si argument për ta demonstruar aftësinë për të organizuar dhe mbajtur institucionet e Kosovës. Porosia e projektuar mund të definohet si “pa ne nuk do të kishte liri në Kosovë, ne e kemi mbrojtur popullin shqiptar, që pa neve nuk ka mbrojtje e as ushtri të Kosovës”. 

VV-ja përdori historikun jo të gjatë të ekzistimit si parti politike dhe atë të veprimit intensiv në Kosovë kundër politikës së Serbisë kundër Kosovës dhe disa institucioneve ndërkombëtare në Kosovë. VV-ja në plan të parë vendosi flamurin kombëtar të shqiptarëve dhe retorikën përjashtuese ndaj partive të tjera politike në Kosovë dhe eksponentëve të tyre.

VV-ja përdori termin “Republika” pa përcaktorin “e Kosovës” për të apeluar në kujtesën e kërkesave të vitit 1981 dhe më vonë për “Kosovën Republikë”, si dhe në komunikim të brendshëm termin “Lëvizja”, që është përdorur nga Lëvizja Popullore e Kosovës, LPK-ja, ndoshta të apelojë te ato elemente të LPK-së në Kosovë dhe diasporë. VV-ja i mbeti besnike retorikës kundër politikës zyrtare të Serbisë ndaj Kosovës dhe kundër korrupsionit në Kosovë. Porosia e projektuar mund të definohet si “Pa ne nuk ka rezistencë ndaj Beogradit të sotëm, ne do ta luftojmë korrupsionin edhe nëse askush tjetër nuk ka vullnet ta bëjë këtë veprim”. 

Fushatat zgjedhore të tri forcave kryesore politike shqiptare në Kosovë ishin shumë te ngjashme si në planin e porosive politike, si në strategjinë e komunikimit të tyre. Propaganda, apo PR-ja, është bërë për partinë dhe liderin e saj; të gjithë udhëheqësit e partive politike kryesore shqiptare në Kosovë synojnë postet më të larta në legjislativ dhe ekzekutiv (me përjashtim të kryetarit të LDK-së).

Në paraqitjet e produksionit propagandues, videoklipet propaganduese, uebprezantimet, fletushkat apo fliers, gjuha e përdorur nuk ishte agresive. E kundërta ka ndodhur në tubime me anëtarësinë dhe përkrahësit, ku udhëheqësit e partive garuese kanë sulmuar oponentët politikë, e posaçërisht në debatet parazgjedhore televizive ku eksponentët e partive politike, në veçanti "aderimet dhe prurjet", kanë shfaqur gjuhë të drejtpërdrejtë agresive dhe përjashtuese. 

Nëse mund të përmblidhet krejt modeli i fushatës propaganduese në zgjedhjet parlamentare 2017 atëherë kemi të bëjmë me një përpjekje për protagonizëm politik të udhëheqësve dhe vetë partive politike, duke përdorur fakte të bazuara apo krejt fiktive rreth ecjes historike të Kosovës nga okupimi, aparthejdi, gjenocidi drejt lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit, për ta mbështetur ofertën zgjedhore në plan praktik si dhe një përpjekje për mobilizim duke kërkuar famën e dikurshme dhe vlerat dalluese të dikurshme. Histori, mit, nostalgji.

Shkrimtari Howard Ursuliak në veprën e tij “Nostalgia del Objeto-A sadness without the objekt” (Një pikëllim pa objekt 1998) e ka definuar nostalgjinë si “çdo formë të narrativit ideologjik, apo mitit, ku e kaluara e kërkuar ka ekzistuar vetëm brenda narrativit, prandaj kërkesa për ta reprodukuar tani, sot, për të projektuar të ardhmen, ka pamje utopike dhe gjenerohet nga dëshira  e madhe, jo nga konteksti i rrethanave dhe e tanishmja racionale". 

 Pra, tri partitë kryesore në Kosovë, duke kërkuar vota për të ardhmen janë fokusuar në të kaluarën duke apeluar vetëdijshëm dhe me qëllim në të kaluarën emocionale të votuesve të tyre. Apel nostalgjik për vlerat që dikur kanë qenë dominuese me qëllim t’i dominojnë përkrahësit e tyre të dikurshëm, jo edhe për të ndikuar te oponentët politikë.

Si rezultat, sot përkrahja politike në përqindje është e përpjesëtuar gati njësoj, nuk ka parti politike në Kosovë që mund të thotë se është autoriteti numër një apo përfaqëson shumicën e shqiptarëve, posaçërisht kur merret parasysh se pjesëmarrja në zgjedhje llogaritet pak mbi 41%, ndërsa numri i votave të pavlefshme mbi 7%.

Përfaqësimi i tri partive kryesore politike në Kosovë (jo koalicioneve parazgjedhore), në Kuvend do të jetë i përafërt, konsensusi nacional për çështje të rëndësishme (raporti me SHBA-në dhe BE-në, raporti me vendet fqinje të Kosovës, sundimi i ligjit, ecja ekonomike dhe investimet strategjike, avancimi i FSK-së, sigurimi shëndetësor, reforma e arsimit, reforma zgjedhore, edhe më i largët se para zgjedhjeve. Ky është rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe i fushatës propaganduese të aplikuar kësaj radhe. 

Përvoja historike e krijimit dhe veprimit të institucioneve të Kosovës tregon se asnjë qeveri nuk e ka kryer mandatin deri në fund, koalicionet qeverisëse janë krijuar pas matjes së forcave në zgjedhje vetëm për të pajtuar pastaj të gjitha partitë politike pa dallim dhe asnjë qeveri nuk është krijuar pa intervenimin e të deleguarve ndërkombëtarë në Kosovë (Lexo SHBA-së).   

Vështirë që mund të ndryshojë diçka na fazën post-zgjedhore dhe negociatat për krijimin e institucioneve, sepse nuk kanë ndryshuar as akterët e as partitë politike.

Tehet do të zbuten, vijat e kuqe do të zhduken, sepse rezultati final nuk i ka dhënë askujt përparësi dhe e definon patjetër bashkëpunimin e të gjithëve qoftë për një shumicë të thjeshtë, e posaçërisht kur nevojiten 2/3 e votave në Kuvend. Zhvillimet post-zgjedhore do ta definojnë edhe temën e fushatës propaganduese të zgjedhjeve të radhës. (Autori është ligjërues i lëndës Komunikimi masiv, në Universitetin “Kadri Zeka”, Gjilan)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK