Zërat

Ndriçim Kulla

Ungjilli i shqiptarizmës moderne

22 qershor 2017 • 14 : 12

“Neo-shqiptarizma nuk fillon më 1928 (atëherë kur u shkruajt formula e saj e parë), por bashkë me lëvizjen e Rilindjes kombëtare. Me krijimin e shtetit të pavarur u bë vetëm gjysma e punës. Me caktimin e kufijve politikë u ndryshua forma e çështjeve, metodat e punimit, u shtuan mjetet, u zhdukën disa pengesa, por qëllimi i fundmë, ai i formimit të një ndërgjegjeje kombëtare, mbetet gjithmonë po aty”. Kështu shprehej në prag të 25-vjetorit të pavarësisë, njëri nga ithtarët e mëdhenj të Neo-shqiptarizmës, Tajar Zavalani.

Kjo lëvizje mendore ish shpallur që në fillim të përpjekjes së saj si një urë lidhëse midis fazës së kaluar të Rilindjes shqiptare, të kuptuar si një shqiptarizëm letraro-romantik, dhe fazës së dytë të kësaj Rilindjeje, të kuptuar si një shqiptarizëm të ri radikalo-demokratik, siç do të shprehej më pas Merxhani. “Dhe formimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare është detyra më thelbësore që mund t’i ngarkohet epokës sonë”.

“Ka çështje, si p.sh. çështja e higjienës publike, e organizimit shkencor të punës, e ekonomisë, e kulturës , e arsimit, e industrisë etj., që gjenden aty të gatshme, rreshtuar si vigaj mbi udhë të përparimit tonë. Por mos të gënjehemi: asnjë çështje nuk kemi për të zhvilluar vërtet, nëse nuk kapemi pas çështjes më të madhe shoqërore kombëtare, që rri në bazë të të gjitha të tjerave, çështjes së edukatës së fortë e të shëndoshë të ndjesisë atdhetare”. Kështu shkruante “Leka” dhe Zef Valentini, në artikullin hapës, drejtuar “breznisë që asht kah rritet” (1929) , për të theksuar diku më poshtë se “… kombet më të përparuar janë njiata në të cilët ndjesia e atdheut është edukuar më gjatë dhe më thellë, në mënyrë që të pranohej me rrugë parimi se zhvillimi kombëtar dhe ndërgjegjja kombëtare ecin krahas”.

“Ideali është ajo jetë që rrojnë shoqëritë në epokat e krizave të tyre të mëdha”, shpallte Merxhani në një tjetër formulë të vet të famshme. Jetët që rrojmë në epokat e tjera janë vetëm jetë individuale”. “Të gjithë idealistët shqiptarë t’ia shtrijnë dorën shoqi-shoqit me fjalën program: të punojmë për kulturën shpirtërore të shqiptarit. Shqiptari tash e mbrapa do të besojë në fuqinë e vetë ideale dhe në komb”, do të përgjigjej Anton Harapi, një “qyshk” tjetër fisnik e idealist i kohës. Ndërsa Zef Valentini, do të shtonte: “T’ia hyjmë zhvillimit të kësaj ideje, në mos daçim që ne, çeta intelektuale e Shqipërisë të dalim fajtorë para faqes së popullit”.

Bruckhard, një idealist i shquar gjerman ka shkruar: “Kultura është ndërgjegjja. Qytetërimi është mendja. Për jetën kombëtare janë të domosdoshme që të dyja. Ndërgjegjja na dëfton “përse”-në, kurse mendja “si”-në. E para na jep idealin, e dyta një mënyrë logjike jete. Por ideali është çdo gjë. Nacionalizma, vetëm me anë të kulturës shpjegohet dhe vetëm me anë të saj shquhet”. Sa e përafërt, sa pasionuese, sa e mbushur me pathos dhe mençuri ngjan kjo frazë kur përbrivihet me një tjetër të shtuar nga Merxhani mbi këtë parim. “Nacionalizmi, që për ne do të thotë fitimi i një ndërgjegjeje kombëtare, është një ide, një lidhje morale, një besë, një fuqi dhe një triumf i njerëzimit!”.

Të gjitha këto parime na e paraqesin qartë kuptimin se Neo-shqiptarizma ishte një lëvizje me tendenca idealiste dhe se në shkrimet e saj, që gjetën një jehonë po kaq idealiste edhe në qarqet e tjera intelektuale shqiptare, sidomos ato të klerikëve të Veriut, me dy revistat e tyre “Leka” dhe ‘Hylli i dritës”, të duket sikur jeton realisht në një qerthull të vërtetë idealesh, që pohojnë fjalë e themele të tilla si besë, nder, moral, fisnikëri.

Megjithatë, ky është vetëm një petk, i cili nuk e mbulon aspak qenien e saj të vërtetë: një lëvizje mendimi që përfaqëson një sistem të thellë, të tërë e të mbaruar të Rilindjes shpirtërore shqiptare. Një lëvizje idesh jo si qëllim përfundimtar, por si një pikënisje dhe si një mjet për të përshkruar, klasifikuar dhe analizuar të gjitha ato probleme që kanë të bëjnë me shqyrtimin e strukturës së veçantë që paraqiste atëherë shoqëria shqiptare, por pa dyshim edhe në ditët tona. Pikërisht kjo pikëpamje, ky mjet që na afron ky sistem, mund të na shënojë edhe fillimin e një perspektive të re, atë shkrirje horizontesh mendorë e ideologjikë që ciklisht Shqipëria iu afron shpesh misioneve dhe qëllimeve të saj të rëndësishme, në kohë të ndryshme.

Edhe sot, si atëherë kur u shkruajtën këto radhë, ne jemi në prag të mbylljes së një periudhe 25 vjeçare të tranzicionit demokratik ose të lirisë së dytë të madhe të shqiptarëve pas një gjysmë shekulli mjerimi e tiranie komuniste. Edhe sot, procesi i mbrujtjes së “kombit shqiptar” duket se s’ka mbaruar, ashtu siç besuan atëherë ata mendimtarë të urtë dhe të sinqertë. Të bashkuara kështu, nga po e njëjta logjikë lidhjeje të brendshme me Rilindjen kombëtare që përfaqësojnë, ato do t’i hapnin udhë edhe zhvillimit të asaj që mund ta quanim epoka e “shqiptarizmës moderne” apo e “vetvetes moderne shqiptare”.

Po cili vallë është parimi bazë që ai e cilëson si nyjën lidhëse midis këtyre dy fazave? “Detyra dhe misioni ynë është të gjejmë një përparim lartonjës dhe adaptonjës, një realitet të ri, që të mundë ta afrojë realitetin “ashtu siç është” me realitetin “ashtu siç ne e kërkojmë”. Pra, duhet të ecim kah sintetizimit . Pikërisht, ky mund të jetë qyshku lidhës për të aktivizuar edhe sot atë lëvizje idesh, atë luftë idealesh e morali, për të cilën ka aq shumë nevojë shoqëria shqiptare e zhytur në një krizë mbi krizë dhe e braktisur në fatin e vet nga premtimet e pa mbajtura të demokracisë dhe lirisë së tranzicionit.

Bashkatdhetari që rron i mënjanuar në këndin e vet dhe i kufizuar brenda qarkut të interesave vetjakë ose të familjes së tij dhe që nuk shfaq asnjë dëshirë për një bashkëpunim shoqëror, nevojitet të “lokalizohet” në tipin e njeriut shqiptar të “epokave historike” dhe jo “qytetëruese”, që nuk i përshtaten Shqipërisë moderne. Ai duhet të zëvendësohet nga “bashkatdhetarët” që ndiejnë thellë se rrojnë brenda një tërësie shoqërore me qëllime dhe ideale të përbashkëta, që i shkojnë për shtat frymës së nacionalizmit sintetik. Po çka do të thotë një bashkatdhetar, në kuptimin modern të shqiptarizmës? Një njeri shoqëror që e shpenzon një pjesë së ditës së vet duke punuar për të tjerët dhe bashkë me të tjerët. Një tipologji e tillë, pavarësisht se ka një etiketim kaq të thjeshtë e të natyrshëm siç është fjala “bashkatdhetar” do të paraqiste një “ideal” për njeriun e sotëm shqiptar. Sot ai s’ka shesh tjetër veprimi përveç fushës së ngushtë të “profesionalitetit”.

Jashtë saj, i ngjan atij njeriu të hapërdarë e të vetmuar, që nuk di se çfarë të bëjë jashtë orëve të punës dhe të zyrës, përveç argëtimit. I kalon orët pa pushim nëpër klube, shëtitje apo lokale, duke fajësuar pa reshtur mbi çështjet politike e akademike që me të nuk kanë asnjë lidhje. I ngjan një individi që nuk rron në Shqipëri, që rron me të përveçse në mendjen dhe fantazinë e vet. Akoma dhe më ashpër flet Anton Harapi për këtë tipologji njerëzish, kur thotë: “Shka t’u bëjsh gjysmakëve, abstensionistëve, indiferentëve shqiptarëve të dekun në shpirt, të cilët a prej frike a prej egoizmit vetiak që të mos i qesin trazim vetes, nuk duan të përzihen, por e kanë venë për nder dhe vlerë që të mos pjesëmarren në asnji mënyrë… këta janë “tradhtarët”, parazitët e Shqipërisë, për ta pasiviteti dhe negativiteti janë ideal…

Si do t’u bëhet? Çonju të “vdekur” se na mbytën të gjallët (shpërthen ai)! Çohu, Vaso Pashë, e qaj, pse nuk paska qenë për t’u qa Shqipëria e atëherëshme, por Shqipëria e sotme! Vallë, kjo britëm dhimbje dhe dëshpërimi e mëmëdhetarit të madh, a s’duhet ta jetojë fort ushtrimën e vet, në këtë moment të historisë sonë post-komuniste, kur gjëndja duket paralelisht e hidhur si atëherë, përsa i përket mos-kokëçarjes dhe shkujdesit gati amoral që shoqëria shqiptare shfaq ndaj rreziqeve të mëdha që droga dhe krimi po i kanosin Shqipërisë?

Edhe shumë vija të tjera paralele mund t’i hiqen aktualitetit të sotëm me atë situatë që përshkruan Valentini, në njerin nga artikujt e tij të shumtë që i kushtonte ndërgjegjes kombëtare dhe edukimit të saj: “Sa e sa herë, duke lexuar shtypin e kohës, e kemi parë ndërgjegjien të lëndume me gojë e të shkelur me këmbë! Sa skandale shpërthyen e sa skandale u shuan në heshtje! Sa shumë “atentate” u kryen për të thyer “veglat” e fuqishme të trajtimit, ruajtjes dhe formimit të ndërgjegjes! Është bërë i gjithë vendi njëlloj me një njeri me “rrënjë të kalbur”, janë ba të gjithë lakmitarë të vegjël, që vjedhin në atë të vetën ose pijnë së paku shampanjën e harresës në tryezën e lakmitarëve të tjerë dhe çokin duart me ato duar të cilave do t’u duhen t’u vejshin prangat. Publiku, ndërkaq, nuk zjarrmon për moral që prishet, pa ja ndjellë gjumin ndërgjegjies. Zgjohet, jo aq kur kujtohet se i është vjedhur themeli i ndërgjegjies së fëmijës së vet, por kur kupton se lakmitarët i kanë vjedhur pare prej xhepit të vet…” Po ne, pyet mendimtari, a do ta lëmë mënjanë këtë ide, a do ta ndalemi e ta rreshtim mundin tonë? Jo. Ne e dimë se ndërgjegja është kasneci që bërtet me “zë qiellor dhe të pavdekshëm” në shpirt të njeriut dhe se fjala e një njeriu me ndërgjegje zgjon zërin e brendshëm të ndërgjegjes edhe te vëllezërit e tjerë, me një jehonë ndoshta të mekur, por besnike. Ndaj, ne s’kemi me u ndal kurrë tuj bërtitë: Ndërgjegjie! Ndërgjegjie!

Është ky një burim britme që na e sjell jehonën e vet gjer në ditët tona, sidomos në këto kohë kur korrupsioni dhe degradimi moral janë gati të identifikueshëm me mentalitetin dhe karakterin mbizotërues shqiptar. Ja, një “përse” tjetër e madhe që e lidh akoma dhe më fort neo-shqiptarizmën e dekadave të para pas-pavarësisë, me trupin e një platforme shoqërore-morale që do t’i nevojitej aq shumë realitetit shqiptar në dekadat e para të postkomunizmit.

Pasioni dhe idealizmi i tyre, i ngritur mbi një seriozitet kompetence dhe sinqeriteti intelektual, përbënte bazën e filozofisë së atij brezi, që mund të thuhet me një vërtetësi tashmë të provuar, se arriti ta mbajë fuqishëm mbi shpatulla trupin e brishtë e të sëmurë shoqëror të Shqipërisë, për ta ringjallur e për ta ngritur më pas në këmbë që të ecte drejt e në rrugën e duhur. Nëse brezi i patriotëve dhe idealistëve që mbrujtën pavarësinë shqiptare do të quhej brezi i Rilindjes (ose i “ringjalljes” apo “rimëkëmbjes”), ky brez i mendimit, ndërgjegjes dhe idealit, nëse do të perifrazonim një term të njohur të historianit italian Xhuzepe Galaso, arriti të përmbushë “ringjalljen” apo “rimëkëmbjen” tout court (në të gjitha drejtimet) të shqiptarëve. “Jemi dishepuj të një brezi që mundohet të dalë nga errësira në dritë”, thoshte poeti gjerman (Gëte) e duket sikur na kish më parasysh”: kështu shkruante Merxhani në fillimet e tij, kur së bashku me filozofët e qerthullit katolik shkodran, i frymëzuar nga ata “dishepujt dëshmorë të shqiptarizmës” që kishin krijuar Shqipërinë, u nis t’i shkruante “ungjillin e modernizmit” të saj, jo vetëm me formulat mbresëlënëse të neo-shqiptarizmës, por edhe me mënyrat, idetë, mjetet dhe programet për realizimin real të një Shqipërie jo më historike, por qytetëronjëse.

Po t’i shfletojmë faqet e këtij ungjilli, do të ndjejmë se ai është vërtet gati “profetik”, gati si i shkruar për zhvillimet dhe problemet e ditëve që po jetojmë, gati si një imperative kategorik i gdhendur në trupin dhe mendjen tonë shoqërore që për fat të keq nuk gjen fije pasqyrimi as në të ashtuquajturën Rilindjen e sotme por as në Republikën e Re. /Mapo.al/

© zëri.info