Zërat

Arben Manaj

Zgjedhjet kanë mbaruar më 18 maj, votimi bëhet të dielën

22 qershor 2017 • 14 : 09

Nuk duhet të jesh Anjshtajni të kuptosh se fati i qeverisjes politike të Shqipërisë është vulosur në 5 orëshin e takimit pa dëshmitar, mes Ramës dhe Bashës më 18 Maj. Gjithçka që ka ndodhur prej atëherë e sot, e konfirmon, paradoksalisht se vota e shqiptarëve është e pavlefshme, pasi administratorët e ardhshëm të Shqipërisë janë vetëzgjedhur.

Kështu ka qenë në një farë mënyre që para asaj date, pasi shqiptarëve të 2017-ës, nuk u ofrohet të zgjedhin deputetë të dalë nga procese perëndimore seleksionimi nga bazat e partive politike, si në Britani p.sh, sepse ata janë produkte ose nënprodukte shijesh e preferencash të liderëve.

Dhe nuk do duhet të jesh shkencëtar sërish, që ta kuptosh këtë që them, nëse i kthehesh në retrospektive disa lëvizjeve të atyre që më vonë dolën deputetë, kur angazhoheshin muaj të tërë para daljes së listave zyrtare, nëpër zona të caktuara elektorale.

Dhe nuk po përmend emra, sepse nuk dua të ofendoj inteligjencën e lexuesit.

Marrëveshja Rama-Basha ishte e vonuar në kohë, nisur nga historia e pangopshmërisë së LSI, në tepsi-shtetin shqiptar, e cila vinte duke u shtuar progresivisht nga koha e qeverisjes me PD-në e Berishës, e deri tek ajo me rilindasit e Ramës, ku për hir të së vërtetës këtij të fundit, “i bënte zbor” Ilir Meta, duke e thirrur si “rush”, të raportonte në zyrën e Kryetarit të Parlamentit, thuajse çdo javë, gjë që po për hir të së vërtetës nuk e ka bërë ose s’ka guxuar ta bënte, argumentueshëm, me Berishën kur ishin në koalicion.

Por kjo nuk ishte dhe nuk është arsyeja e vetme përse LSI, do duhet të planifikohej të kalonte në opozitë ose të hiqej qafe.

Arsyeja është ndoshta më e thellë, dhe me një suport të padyshimtë ndërkombëtar, në bazë të një plani tejet të detajuar, ku Rama, Basha dhe ata që ua kanë çuar në tavolinë skenarin, e kanë tejkaluar ”mençurinë dhe nuhatjen” politike të Ilir Metës, bashkë me qetësinë dhe dashurinë e tij parapresidenciale të humbur tashmë, në retorikë allapartiake të llojit më tipik shqiptar e ballkanik.

Arsyeja ndoshta do duhet gjetur ne atë çfarë pritet të ndodhë me Vettingun dhe gjetjen për në Bruksel, si fillim, njësoj si tek tepsia e kokës së Ali Pashait tek Porta e Lartë, e një Sananderi shqiptar, ose të përafërmi të tij, pasi bukfalisht, Sanander nuk besoj se do ketë nga Shqipëria, me atë formë qeverisje që pritet të ketë, pas votimit të 25 qershorit, ku gjithçka është paravendosur që në 18 maj.

Dhe kjo është gjëja më shqetësuese dhe trishtuese, e kësaj mega-marrëveshjeje, që do marrë formën që presin të gjithë të ndodhë pas numërimit të votave, ku shqiptarët nuk kanë shans të bëjnë asnjë surprizë.

Sipas të gjitha gjasave, PS dhe PD do bashkëqeverisin, edhe nëse PS dhe Rama marrin 71 ose mbi këtë numër, por edhe nëse marrin më poshtë kësaj shifre.

Ata do bashkë-qeverisin në emër të një strategjie dhe plani ende ajsberg, për momentin, ku do duhet të flenë në një krevat, edhe pse nuk kanë asnjë tërheqje me njeri-tjetrin.

Do të duhet të bashkëqeverisin për hir të disa reformave tejet të rëndësishme dhe kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe për interesa të tyre meskine partiake, si reforma elektorale, si dy partitë më të mëdha në vend.

Do duhet të bashkë-qeverisin, edhe për korrektimin e disa anomalive demokratike, ku votat e një partie, si LSI-ja konkretisht, “kingmaker-ja” e deritanishme, bënte praktikisht nul, çdo votë të afro 2 milionë votuesve të tjerë shqiptarë!

Për këto arsye dhe me këtë suport të presupozuar ndërkombëtar, Rama dhe Basha u ngujuan për pesë orë në 18 Maj, pasi nuk besoj se kanë folur për të ardhmen e De Biazit apo se si do dilte rezultati i  zgjedhjeve në Britani në 8 qershor!

Pikërisht, gjetja e kësaj gjuhe dhe dakordësia për Shqipërinë politike të pas 25 qershorit, i bën ata aq sportivë në rekuizitë elektorale, deri në hipstera, si  dhe ne diskursin alla xing, në një nga fushatat më të pakuptimta të historisë post-komuniste shqiptare, ku tepsia nga çerek, do ndahet afër gjysmës me njeri-tjetrin, sipas versionit “politeknik” të qeverisë së tanishme, në koalicionin e ri historik mes demokratëve dhe rilindasve.

Rama dhe Basha do jenë në pushtet, pavarësisht sesa numra kanë në parlamentin e ardhshëm dhe kjo shpjegon edhe kërcënimin normal ndaj Metës për shkarkimin hipotetik të Presidentit, në rast të bërjes i vështirë nga Meta pas 25 qershorit.

Ndoshta kjo mund të jetë edhe arsyeja se përse Rama ka rigjetur dashurinë e humbur me Fatos Nanon, që i ka qarë syri tërë jetën për postin e vetëm të paprovuar, që gjithmonë ia ka mohuar Ilir Meta, ende president i zgjedhur, por ende i pabetuar.

Sa për shqiptarët e tjerë, nëse doni pak më shumë eksitim politik në katër vitet e ardhshme, votoni për ndonjë ofertë ndryshe, siç bënë grekët dikur, pasi filmi i të njëjtit metrazh që do shikoni në parlamentin e ardhshëm, thjesht do ketë ca aktorë të rinj, nga ata që mendoheshin se kishin vdekur në seritë e mëparshme.

Këtu përfshihet, edhe gjysma e kombit që jeton jashtë, pa të drejtë vote, ndryshe nga kosovarët, filipinasit, lituanezët e dreq e të bir, ndryshe nga sa u kërkon Rama, çuditërisht, por jo dhe aq, Basha ende nuk e kërkon, që jo të marrin në telefon nga ku jetojnë e bëjnë nga 5 a 10 familjarë të votojnë për Ramën, por t’i marrin në telefon e t’u thonë të mos votojnë për asnjë parti, si për këtë të drejtë të mohuar, por qoftë në shenjë mosrespekti dhe mosmirënjohje edhe për remitancat që ata dërgojnë në atdhe.

Në fund të fundit, të gjithë njësoj janë, si me teritale, si me brekushe, veçse gjithnjë e më të pasur se herën e fundit, kur i votuan shqiptarët.

Gjithsesi, nëse keni ardhur deri këtu me leximin, të nderuar lexues, votues ose jo, zyrtarisht mund të konsideroheni se i keni kushtuar më shumë rëndësi politikës sesa shumica e politikanëve shqiptare nga ç’duket nga këto zgjedhje të paravendosura në 18 Maj. Urime!

Dhe paçi fat!(Gazeta Shqip)

© zëri.info