Zërat

Valëza Zogjani

'Gruaja shtyllë e shoqërisë' - Bllof i fushatave apo në qendër të qeverisjes së ardhshme?

20 qershor 2017 • 12 : 41

Me zgjedhjet e parakohshme vetëm javë më parë, partitë politike në Kosovë kishin rastin të shpalosin vizionin e tyre për shtetin, përfshirë edhe rolin e grave në jetën politike dhe sociale të vendit. Në këso kohrash, nuk është e çuditshme që elektorati i brishtë kosovar të degjojë parreshtur refrenin apatik: “Gruaja është shtyllë e shoqërisë, dhe si e tillë do ketë përfaqësim meritor në qeverisjen e ardhshme.”

Tek mbrojtësit më të zëshëm të vlerave të demokracisë, natyrshëm lind dilema se a janë vërtëtë gratë shtyllë e shoqërisë dhe jetës politike kosovare, apo sërisht përdoren vetëm si bllof i fushatave elektorale.

Fushata e fundit elektorale në Kosovë u sfidua më një kontraditë: teorikisht, sistemet politike demokratike duhet të jenë përfaqësuese, duke i lejuar secilit segment të shoqërisë zë dhe hapësirë të mjaftueshme për të vendosur për çështje që prekin jetën e tyre. Realisht, prezenca e grave në fushatë dhe vetë problemet e çështjet e spikatura tregojnë se sa në fakt do të zënë vend në qeverisjen e ardhshme.

Shikuar më thellë, kjo kontraditë ka edhe më shumë dimensione – të cilat determinojnë edhe pozitën e gruas në qeverisje dhe në shoqëri.

Në përgjithësi, në procese zgjedhore në Kosovë, gratë përbëjnë forcë të padiskutueshme meqë ato bëjnë më shumë se gjysmën e elektoratit. Megjithatë, të pasurit gratë në krye të agjendave qeverisëse jo domosdorisht nënkupton shtyerjen para të problemeve që afektojnë gratë sot, apo trajtim thelbësor të çështjeve që i përkasin problemeve të gjinive.

Me pishtarin e barazisë gjinore lartë në duar, fushata elektorale e zgjedhjeve të parakohshme shërbeu më shumë si burim i stereoptipeve gjinore dhe konstrukteve sociale. Ndër larmi programesh, apelimi kyç për barazi gjinore ishte i përgjithësisht i koncentruar në pushimin e lehonisë – gjë që tutje ushqen inercionin e padëshiruar të pozitës së  paracaktuar të grave si kujdesdhënëse në shoqëri.

Pushimi i stërgjatur e i pamenduar mirë i lehonisë, la krejt prapa probleme ekzistenciale që ende rëndojnë gratë në Kosovë – nisur nga çasja në arsim, aktivizimi në tregun e punës, përfaqësimi në institucione shtetërore, e drejta në pronë, e deri tek abuzimet dhe dhuna në familje. Në një vend ku vetëm 12% e grave janë aktive në tregun e punës dhe dhuna në familje prek shifra alarmante vit pas viti, pushimi i lehonisë nuk do të duhej të përdorej karrem për votë gjinore.

Indikator tjetër serioz i pozitës së gruas në qeverisjen e ardhshme mund të jenë paraqitjet e vetë grave gjatë fushatës.  Sipas raporteve të procesit të fundit elektoral në Kosovë, të nxjerra nga Demokracia në Veprim, pjesëmarrja e grave kandidate për deputete në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës zgjedhore ka qenë mesatarisht 15%.

Për më shumë, në aktivitetet e subjekteve politike, ku pikërisht është folur për barazi gjinore, fjalën e kanë pasur 810 burra dhe vetëm 217 gra. Kjo pasqyron realitetin e një fushate të udhëhequr nga burrat për burrat.

Partitë politike mund të kenë qëndrime të mësuara lidhur me avancimin e pozitës së gruas në shoqëri, mirëpo ekziston hendek i madh mes asaj që shkruhet në planprograme dhe paraqitjeve të tyre në videospote televizive.

Videospotet televizive  të partive kandidate në garë edhe një herë afirmuan sa e vështirë është të tejkalohen mitet maskuline që kultura patriarkale i prodhon, duke e vendosur gruan sërish në rolin tradicional të nënës dhe kujdestares, ndërsa duke mbajtur të palëkundur fronin e burrit lider dhe shtetndërtues.

Diskurset arkaike politike të këtyre videospoteve trashin mizogjeninë dhe vetëm sa forcojnë rolet dhe përgjegjësitë që gratë dhe burrat kanë në shoqëri si rrjedhojë e seksit të tyre biologjik.

Mediat, roli socializues i të cilave është përkthyer në prodhim sensacional gjatë fushatës zgjedhore, në mënyrë strukturore kanë shpërfaqur koncepte e mendësi politike duke luajtur me esencializëm gjinor.

Fokusi i qartë dhe hapësira e madhe për kandidatët burra, seksizmi ndaj kandidateve gra dhe diskutimi i çështjeve gjinore pas thirrjes së përfundimit të emisionit, nuk i shërben socializimit të opinionit me vlera dhe qëndrime premtuese për rolin e grave në qeverisjen e ardhshme. Përkundrazi, hapësira e vobktë e grave kandidate në televizione do të thotë që gjërat do të vazhdojnë të jenë siç janë, për aq sa partitë janë të udhëhequra nga burrat.

Gratë në politikë janë më shumë se fushatat e pamenduara lidhur me problemet e grave. Planprogramet e shkujdesura, fushatat përjashtuese ndaj grave, videospotet seksiste dhe paraqitjet e munguara televizive nuk duhet të i mbajnë gratë larg nga pozitat e merituara në institucione dhe shoqëri.

Megjithatë, partitë politike janë çelës për avancimin e pjesëmarrjes së plotë të grave në procese politike. Si të tilla, hapësira që u ofrohet grave nuk duhet të shfrytëzohet vetëm si numra në emër të barazisë së stisur gjinore. Ato duhet të vlerësohen për rolin e tyre esencial në të gjitha proceset e rëndësishme politike, gjatë dhe pas zgjedhjeve.

© zëri.info