Njė zgjedhje tejet e vėshtirė

0

SHPËRNDARJE

20 June 2017 • 12:28

Kemi hyrë në javën e fundit të fushatës zgjedhore më të veçantë e më të pazakontë të pas komunizmit në Shqipëri.

25 qershori pritet me një interes të shtuar, si në Shqipëri e në mjediset shqiptare jashtë kufijve, po ashtu edhe nga ato qarqe të politikës europiane e botërore që shqetësohen, ndoshta jo pa të drejtë, për rreziqet që mund të burojnë nga Ballkani i trazuar, që sjellin ndër mend kohë të shkuara e të vona, të shoqëruara me ngjarje të hidhura e plot dhimbje. Shqipëria është një pjesë e atij Ballkani, ndoshta ajo më problematikja, mbasi populli i saj, që flet të njëjtën gjuhë  e ka të njëjtët doke e zakone, jeton i ndarë në gjashtë shtete!!!

Ky fakt, normalisht, do të detyronte disi rrahjen e mendimeve të fushatës zgjedhore, të trajtonte si problem për zgjidhje edhe çështjen kombëtare. Por në lumin e turbullt të fjalimeve parazgjedhore nuk ka asnjë gjurmë të saj. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se, pak kohë më parë, drejtues të lartë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, për të trysnuar Brukselin që të shpejtojë procesin prej kërmilli të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, e ngritën zërin e tyre, duke krijuar nga një anë shpresa të vakëta e duke marrë, nga ana tjetër përgjigjet standarde të tabusë së mos ndryshimit të kufijve.

Ato shpresa avulluan si vesa në diell, duke zhgënjyer ndonjë besimtar të paktë të ëndrrës shqiptare. Politika europiane e botërore parapëlqen të mos “shtojë” telashet e veta me një bashkim të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, edhe se sot ajo nderon njëzëri renanin e madh nga Ludvigshafen, arkitektin e bashkimit të Gjermanisë këtu e 27 vjet më parë, ish-kancelarin Helmut Kohl, që ndërroi jetë këto ditë e që u vlerësua nga dy ish-presidentë amerikanë, bashkëkohës politikë të Tij, George Bush (ati) dhe Bill Clinton, si “shtetari më i madh i Europës së mbas luftës”.

I arkivuar problemi kombëtar, fushata parazgjedhore paraqitet në gjithë përmasat e saj të një profili të ulët, në të cilën mbizotërojnë paditë e sharjet mes tre forcave politike kryesore, të cilat garojnë për qeverisjen e Vendit. Kjo fushatë, në krahasim me paraardhëset e saj, përjashtuar atë të “vitit të mbrapshtë” 1997, ka veçantitë e saj mjaft të spikatura.

Së pari, shtrihet në kohën më të gjatë të mundshme, mbasi në fakt filloi më 18 shkurt me mitingun e madh të Opozitës në Tiranë e vazhdoi për pesë muaj, gjatë të cilëve shqiptarët qenë të pranishëm në kapërcimet politike më të papërfytyrueshme, dëshmi e një paqëndrueshmërie parimesh politike, por edhe e një mungese të theksuar të moralit politik.

Shkërmoqja, sa qesharake, po aq edhe e shëmtuar e shumicës pushtetare të katër viteve të fundit, nxori në pah, në gjithë lakuriqësinë e tyre, problemet themelore të përgatitjes, të karakterit, të programeve politike e ekonomike, të moralit vetjak e politik të PS e të LSI si parti e, kryesisht si drejtues kryesorë. Ajo lidhje, që kishte si mision “Rilindjen” e vonë të Shqipërisë dhe fillimin e bisedimeve për hyrjen e saj në BE, nga vetë pohimet publike të përfaqësuesve të saj kryesorë, rezultoi se qe një marrëveshje pushtetare për ndarjen e “tepsisë”, të zonave të ndikimit në fusha të ndryshme të jetës ekonomike dhe administrative të një Vendi të drobitur nga hallet.

Sipas pohimit të Presidentit të sapo zgjedhur dhe ish-Kryetar i Kuvendit, z. Ilir Meta, koha e bashkëqeverisjes së fundit është periudha e lulëzimit dhe shpërthimit të drogës në të gjithë Shqipërinë. është periudha kur Shqipëria u përcaktua si Vendi i dytë për prodhimin e drogës në botë. Ky pohim përkon me paditë që kryetari i PD, Basha i kish shpalosur hapur kohë më parë, por që autorësinë e vërtetë Kreu i Shtetit përpiqet t’ia veshë forcës së tij politike, duke u shprehur se “Basha u kujtua për drogën mbas zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Peshkopisë”. Çuditërisht z. Meta “harron” të shpjegojë arsyet aq të forta të bashkëqeverisjes me kartelin e drogës, kur iu desh të flijojë edhe ministrin e tij të Drejtësisë…

Kryeministri nuk parapëlqen të flasë për problemin e drogës e të personave të inkriminuar në partinë e tij, mbasi ndoshta në marrëveshjen e 18 majit me bashkëbiseduesin e tij, që deri në atë çast e quante si kundërshtarin më të madh të Reformës në Drejtësi, mbasi kishte frikë prej saj, pra ishte i lidhur me paligjshmërinë e korrupsionin, është gjetur një mënyrë e pranueshme për “ta vënë në gjumë” dukurinë e shëmtuar, së paku deri sa të mbarojë fushata, edhe se kronika çdo ditë pasqyron episodet e saj të panumërueshme. Ai kërkon votat për të patur shumicën absolute, kërkesën e parë e të fundit të çfarëdo politikani në çdo Vend të Botës.

Ai përsërit në pafundësi e deri në mërzi tezën se vetëm partia e tij është në gjendje të “bëjë shtet”, mbasi, sipas tij, shteti shqiptar nisi rrugën e tij në qershor të 2013, deri atëherë ishte një “tabula rasa”… Kuptohet se kjo mënyrë mendjemadhe të shprehuri, jo vetëm që nuk i përgjigjet së vërtetës, por pasqyron një vetëkënaqësi skajore e cila nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Aleatët e tij në Qeveri e konsiderojnë sot si një personazh të dorës së dytë, “të paaftë të mbajë timonin”, që shumë-shumë mund të gjejë një vend si pasagjer. Z. Rama, nga ana e tij, i vesh bashkëpunëtores kundërshtare LSI, të gjitha arsyet e mosrealizimeve të qeverisë së tij, duke e paditur atë si një parti afariste që, në mbrojtje të interesave të saj, kushtëzonte çdo hap të veprimtarisë qeveritare me marrëveshje në dobi të saj. Sigurisht në këto akuza  të ndërsjella është një pjesë e mirë e së vërtetës objektive.

Por kryeministri është i vendosur ta “ndryshojë” këtë gjendje, ai premton që me partinë e tij të ndërtojë një shtet ku të funksionojë gjithçka, ku të mbizotërojë mirësjellja në marrëdhëniet me partnerët dhe kundërshtarët, ku administrata shtetërore të mos jetë më funksion i ndryshueshëm sipas përfundimeve zgjedhore të partive, ku të bashkërendohet një politikë e përbashkët synimesh e mjetesh në mbrojtjen e interesave kombëtare në përballje me botën, ku të sundojë meritokracia si kriter bazë i përzgjedhjes së administratës shtetërore, ku… Të gjitha ide të lëvdueshme, të pohuara qindra herë në përvojat e shteteve të zhvilluara, por të evokuara edhe në shumë shkrime të shtypit shqiptar në vite.

Por nëse për një gazetar të thjeshtë do të mjaftonte paraqitja në mënyrë bindëse e tyre, për të qenë në harmoni me ndërgjegjen profesionale dhe atdhetare, për një drejtues shteti ajo paraqitje duhet binjakëzuar me besueshmërinë që frymëzon për sa i përket mundësisë së sendërtimit të tyre. Në këtë drejtim problemi le shumë për të dëshiruar, mbasi të gjithë drejtuesit e partive të mëdha mbajnë mbi supe të gjithë përvojën dështake të kalesës pas komuniste.

Gara e premtimeve, duke e ditur se nesër në pushtet nuk do të mbahen as një e katërta e tyre, është një konstante e politikës në çdo kohë e në çdo vend, por premtimet e bëra në këtë fushatë zgjedhore në Shqipëri i kalojnë caqet e gënjeshtrave të zakonshme të politikës. “Gënjeshtrat janë jeta e burrave të Shtetit”, shkruante dikur  G.L. Graves, një shkrimtar anglez. Por kur  premtimet  marrin formën e gënjeshtrave, të cilat kalojnë kufijtë e logjikës më parake ekonomike, përbëjnë një problem moralo-ligjor që shtrohet me forcë, mbasi mashtrimi për të marrë votën kthehet në një dukuri negative të papranueshme. Për më tepër kur ata mashtrime nuk bëhen nga “virgjëresha” të politikës, por nga aktorë të regjur në drejtimin shtetit.

Kjo vlen edhe për kreun e PD, Basha, që mundohet të bindë shqiptarët se “Republika e re” do të jetë një Eldorado e ëndërruar prej tyre, ku qytetarët do të paguajnë 9% taksa, ku pensionistët do të kenë të siguruar 25.000 lekë në muaj, ku arsimi i lartë do të jetë falas e shërbimi shëndetësor  i garantuar për të gjithë në standardet europiane.

Të gjitha këto janë synime mjaft fisnike e të domosdoshme, por në kushtet e ekonomike të shtetit shqiptar, mbeten vetëm dëshira, që mund të sendërtohen vetëm nëse të tjerët na lejojnë të shesim drogën në tregjet e tyre normalisht. Meqë kjo mundësi përjashtohet apriori për shumë arsye parimore e praktike, për një Vend që ka 647.000 pensionistë në një popullsi më pak se tre milionë banorë, me nivele papunësie shkatërruese e nivele prodhimi të ulëta, të tilla iluzione nuk mund të mbeten veçse ëndrra. Por lideri i PD e përforcon propagandën e tij zgjedhore në fushën ekonomike me njoftimin se programi i tij ka vulën e këshilltarit ekonomik të kancelares Merkel.

Argumenti është sugjestionues, por paraqet dritë hijet e tij, mbasi vetvetiu lind pyetja: Përse qeveria gjermane nuk bën një ulje drastike të taksave nga mbi 40% në 9%, siç mëton drejtuesi kryesor i PD? Përgjigja është e thjeshtë, sepse një veprim i tillë do të çonte në falimentim edhe ekonominë më të fuqishme të kontinentit.

Nëse shqiptarëve iu pëlqen të nanurisen nga premtimet e Ramës, të Metës, të Bashës apo ndjekësve të tyre, të cilët, në këta vite të gjata të kalesës, kanë patur rastin katërcipërisht të maten, nga pozita pushtetare apo opozitare, me të vërtetën dramatike të jetës së Vendit të tyre, duke pjellë më të shumtën dështime, pa marrë mundimin për t’i renditur këtu, mund të shkojnë më 25 qershor e t’i votojnë. 

Më 26 qershor apo në ditët në vijim ata do të jenë të pranishëm në fillimin e shtrimit të sofrave “të marrëveshjeve”, për të formuar të njëjtat qeveri, duke i ngrënë të gjithë paditë e bëra në drejtim të njëri tjetrit. E nëse ndonjë forcë do të mbetet e pakënaqur nga përfundimet e votës së sovranit popull, do të nxjerrë nga arsenali i saj armën e protestës e të mos njohjes së rezultateve…

Kryetari i Shtetit që tani paralajmëron mos dekretimin e Qeverisë, një hap shumë më “i përparuar” nga mos dekretimet e ambasadorëve në Vatikan të markës Nishani. Rreziku i një paralize të jetës politike shqiptare, mbas çadrave të Ramës e të Bashës, mbetet i përhershëm duke e kthyer Shqipërinë, jo vetëm në republikë të drogës, por edhe në atë të bananeve.

Para këtij pështjellimi të pashembullt politik si duhet të votojnë shqiptarët? Sipas bindjes sime modeste, ata duhet të gjejnë forca në vetvete, për të votuar në masë parti krejtësisht të reja si ato të Gjergj Bojaxhiut apo Bilal Kolës, të cilat mund të përfaqësojnë, edhe se në embrion, një alternativë për të ardhmen, përballë monopolit 26-vjeçar të partive të mëdha pas komuniste. Do të ishte fillimi i ndryshimit të vërtetë të politikës shqiptare, ndryshim që do të kërkojë kohën e tij, por që duhet të japë shenjat e para të dukshme më 25 qershor.

Duket si një gjë e pamundur, një përmbysje e raportit të forcave në politikën shqiptare, por është i vetmi mjet për të goditur në themele qeverisjen  e dështuar të njëzet viteve të fundit, së bashku me aktorët e saj të dorës së parë apo të dytë.

Duket si një ndërmarrje marramendëse dhe irreale, por përvoja botërore na jep mjaft shembuj vërtetues, më i fundit ndriçues, fitorja e “Republikës në ecje” e Presidentit francez, Emmanuel Macron. /GazetaShqip/