Zërat
Harold James
Harold
James

Rilindje e Qendrës në Evropë?

Zërat June 17, 2017 - 10:54

Kryeministrja britanike Theresa May, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel janë të ndryshëm në shumë mënyra. May e mori pozicionin papritur kur paraardhësi i saj David Cameron, dha dorëheqjen pas Brexit-it. Macron ka edhe më pak eksperiencë: presidenca, të cilën ai e mori vetëm muajin e shkuar, është pozicioni i tij i parë zyrtar. Ndërkohë, Merkel ka shërbyer si kancelare që nga 2005-a (dhe ka qenë parlamentare që nga 1991-a), duke u bërë kryeqeveritarja më afatgjate në Evropë.

Por këta tre liderë evropianë kanë gjithashtu shumë të përbashkëta. Ata janë realitivisht në një pozicion të fortë në vend. Në fakt, May dhe Merkel shfaqen si të mundshme për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme në vendet e tyre dhe Macron siguroi një fitore decizive në Francë. Më e rëndësishmja, ata po ndërtojnë një lloj politike të re për ta mbushur hendekun e lënë nga mohimi i ndikimit të partive politike tradicionale.

Paradigma e re politike gjendet në një lloj populizmi qendror, që përzien mbështetjen për globalizimin me një dozë të shëndetshme të mbrojtjes sociale dhe një pjesë bujare patriotizmi. Dhe është shumë personale. May është padyshim kryesore në zgjedhjet britanike dhe Partia e saj Konservatore e përçarë tashmë po bashkëpunon. Merkel gjithashtu është bërë figura qendrore në një parti Kristian-Demokratike në ndryshim, së cilës i mungojnë liderët alternativë. Macron krijoi partinë e tij.

Ky revolucion politik në veçanti është lënë mënjanë nga shumë analistë, të cilët janë prirë t’i keqinterpretojnë dobësinë e partive tradicionale, pjesërisht ato të qendrës së majtë, si një kërcënim thelbësor për demokracinë. Ngritja e populizmit të krahut të djathtë dhe atij joliberal në thuajse çdo vend të madh industrial gjatë vitit të shkuar e ka forcuar këtë perceptim.

Por vala populiste e krahut të djathtë mund të jetë tani në rënie, pasi është provuar më pak ngjitëse dhe më e vështirë për t’u ndërkombëtarizuar nga sa pritej prej shumëkujt. Shpjegimi gjendet pjesërisht te eksperienca e Shteteve të Bashkuara që nga zgjedhja e Trumpit si president, një eksperiencë që evropianët nuk duan ta kenë.

Në fakt, nacionalistët mbështetës të Trumpit në Evropë, Geert Wilders në Holandë dhe Marine Le Pen në Francë, tërhoqën shumë më pak vota nga sa mendonte opinioni publik. Kjo sugjeron se evropianët nuk janë të etur të shkojnë në ekstreme politike sado që janë të zemëruar me një model politik në veçanti.

Në gjysmën e dytë të shekullit 20-ë një formë e qëndrueshme u shfaq në shumicën e vendeve të zhvilluara, ku fuqia varionte mes partive të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Partitë mund të dukeshin si rivale të ashpra, por ata i ngjanin njëri-tjetrit për sa kohë nuk shkonin në ekstreme, por luftonin për qendrën politike. Politikat e tyre të taksave, për shembull, përfshinin disa rishpërndarje, por asgjë radikale në këtë drejtim.

Në vitet 1990 megjithatë dinamika u njollos nga ndikimi i globalizimit dhe frika e votuesve për humbje të vendeve të punës nga krahu i lirë i punës jashtë vendit. Në përgjigje të sfidave të ngritura nga hapja më e madhe ekonomike, partitë e qendrës së majtë e lidhën globalizmin me qëndrimet liberale mbi çështjet sociale.

Por kjo formë e përditësuar e demokracisë sociale, e quajtur “Laburistët e Rinj”, në Mbretërinë e Bashkuar pati pak për t’u ofruar votuesve të partive të qendrës së majtë, që filluan të kërkojnë për alternativa, ashtu siç bënë edhe homologët e tyre të qendrës së djathtë. Megjithatë, ata nuk ishin siç duket tashmë qartë domosdoshmërisht në kërkim të një qasjeje radikale. Në fund të fundit kur ofrohet një version i ri politik i moderuar shumë e përqafojnë atë.

Përzierja e re e qendrës politike reflekton ditët përpara hiperglobalizimit. Në fakt, teksa May, Merkel dhe Macron ribëjnë politikën në vendet e tyre respektive, ata të gjithë qëndrojnë fort në traditën kombëtare.

Për shembull, refuzimi i Konservatorëve të May për liberalizëm ekonomik ekstrem si “tregje të lira papengesa” dhe “individualizëm egoist” i ngjan paternalizmit britanik. Premtimi i saj për ta përmirësuar sistemin shëndetësor, për t’i ulur pagesat e larta për ekzekutivët kryesorë dhe për të dhënë më shumë strehim social, ngjajnë shumë të njohura megjithëse të dala mode (veçanërisht kur shihet bashkë me zotimin e saj për ta lënë parlamentin të votojë për të hequr një ndalim dydekadësh për gjuetinë e dhelprave).

Macron përfaqëson një traditë tjetër, të ngulur thellë në një psikikë kombëtare franceze por gjerësisht të humbur te presidentët e fundit. Ai përqendrohet në traditën e Francës si një vend modern dhe dinamik me shkolla inxhinierie të cilësisë së lartë dhe projekte prestigjioze infrastrukture. Presidenti francez i ngjan më shumë Valéry Giscard d’Estaing, i cili u përpoq të shfaqej jo si një Gaullist, por si një modern i cili (literalisht) do ta shpejtonte himnin kombëtar.

Merkel është tradicionale në mënyrën tipike gjermane: ajo qëllimisht vë veprimet pragmatike përpara ideologjisë. Ajo është më shumë si homologu i Giscard mes kancelarëve gjermanë, social demokrati Helmut Schmidt, i cili gjithashtu u nda nga partia e tij dhe e vuri theksin te menaxhimi dhe kompetenca.

Në fakt, premtimi i kompetencave individuale është një element kritik për këtë politikë të re evropiane. May portretizohet si i vetmi person që mund t’i besohet për ta negociuar Brexit-in. Macron është i kualifikuar në mënyrë unike për të punuar me Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian. Merkel është një dorë e sigurt.

Por sfidat me të cilat përballen May, Macron dhe Merkel do të ishin të vështira edhe për liderin më të aftë. Ato fillojnë me negocimet e Brexit-it dhe për Francën dhe Gjermaninë vazhdojnë me reforma të vështira të eurozonës dhe BE-së. Ndërsa Brexit-i mund të jetë një nxitje më e madhe për një bashkëpunim franko-gjerman, nuk do të bëjë asgjë për t’i hequr pengesat e mëdha që ndodhen përballë progresit.

Realiteti është se politika e re që ka përfshirë tre vende kryesore të Evropës mbetet në thelb e brishtë. Asaj i mungon mbështetja institucionale, në formën e një partie të fortë politike, të cilën mund ta ketë të vështirë ta sigurojë, duke qenë e përqendruar te liderët heroikë. Dhe prej kombinimit të agjendave komplekse dhe pritshmërive të larta, këta liderë mund të dështojnë. Qendra politike e Evropës tashmë në një valë të gjerë vetëbesimi mund të mbetet papritur në tako. (Project Syndicate)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK