Zërat
Vigan Qorolli
Vigan
Qorolli

Çka është DISKRECIONI i Presidentit në mandatimin e Kryeministrit?

Zërat June 16, 2017 - 12:02

Dispozitat kushtetuese janë krejtësisht të qarta, nuk ka dyshim se Presidenti i Republikës i jep mandatin personit i cili dëshmon se ka besimin e shumicës së deputetëve të Parlamentit.

Duke pasur parasysh se numri i përgjithshëm i anëtarëve të Parlamentit të Kosovës është fiksuar në 120, shumica e thjeshtë prej 61 sosh duhet të përmbushet dhe më pas ajo të dëshmohet në bazë të nënshkrimeve. Në këtë mënyrë mandati duhet t’i jepet personit që dëshmon se ka besimin e 61 anëtarëve të parlamentit.

Por, të jemi të qartë se kjo duhet të ndodh vetëm në rastin e dytë, kur edhe shterohet mundësia e fundit e krijimit të qeverisë. Gjykata Kushtetuese në intepretimin e saj në vitin 2014 kishte vendosur që fituesit relativ të zgjedhjeve, pra shumicës së certifikuar nga KQZ (partisë ose koalicionit të parë) t’i takojë për herë të parë e drejta e formimit të qeverisë. ÇKA NDODH PËR HERË TË DYTË: Në rast të dështimit të mandatarit të parë, që rrjedh nga fituesi nominal i zgjedhjeve, atëherë shefit të shtetit i takon sipas Kushtetutës ta mandatojë sipas procedurës së njëjtë – një kandidat tjetër, që mund të jetë prapë nga ky fitues relativ i zgjedhjeve, nga partia e dytë apo edhe nga e treta.

Është DISKRECIONI i shefit të shtetit ai i cili vendos. Diskrecioni nënkupton, që shefi i shtetit në konsultim me të gjitha partitë politike që kanë siguruar ulëse në kuvend nga zgjedhjet e 11 qershorit – sigurohet se kush e ka shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh, e cila garantohet nepërmjet nënshkrimeve të deputetëve të certifikuar nga KQZ dhe të betuar në seancë konstituive. Një deputet nuk mund të nënshkruajë më shumë se njëherë për forcën politike, e cila duhet ta sigurojë presidentin se do ta formojë qeverinë.

Ky është diskrecioni i shefit të shtetit, i cili obligohet me kushtetutë ta ruajë në radhë të parë unitetin e popullit, pastaj sigurimin e mirëfilltë të stabilitetit demokratik të insitucioneve dhe në fund respektimin e vullnetit të sovranit/popullit. Si e përcakton presidenti se kush është personi që gëzon besimin e shumicës së të gjithë deputetëve? Praktikat kushtetuese në botë japin përgjigje të prerë në këtë drejtim. Shefi i shtetit në mënyrë që ta respektojë vullnetin e sovranit të shprehur përmes rezultateve të zgjedhjeve – duhet të kryejë konsultime me të gjithë kryetarët e partive parlamentare dhe tek pastaj të vendos sipas procedurës së lartpërmendur se kujt t’ia jap të drejtën e mandatarit.

Pra mandatari i dytë duhet ta bind presidentin nepërmjet minimum 61 nënshkrimeve se e gëzon përkrahjen e deputetëve respektiv për formimin e qeverisë dhe se vota e tyre është pro në ditën e votimit. Me fjalë të tjera, presidentit duhet që mandatari i dytë për formimin e qeverisë, pas konsultimeve paraprake, t’i shkojë i përgatitur në zyrë dhe t’ia dërgojë minimum 61 nënshkrime si provë se, ai dhe partia e tij kanë një shumicë parlamentare. Ky është diskrecioni mbi bazën e bindjes së pakundërshtueshme dhe të sigurisë së tij politike për formimin e institucioneve, të cilën mandatari ia shpreh Presidentit të Republikës, i cili pastaj duhet ta ushtrojë detyrimin e tij kushtetues për krijimin e qeverisë së re.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK