Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Lavdi dëshpërimit!

Zërat June 13, 2017 - 13:10

Nëse deri më tash i kemi thurur lavdi marrëzisë, tash e tutje mund t'i thurim lavdi dëshpërimit.

Mbase kjo është fitorja më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Në fakt, në këto zgjedhje nuk kishte frymë të fitores nga asnjëri krah, nga asnjëra parti, por ishte shumë e dukshme fryma e dëshpërimit, e cila do të duhej të konvertohej në votë dhe si e tillë të futej në një kuti të ndëshkimit.

Dhe kjo kuti ndëshkimi e kishte shenjën LVV. Dhe fryma e ndëshkimit vërtet ishte rritur shumë, madje po të konvertohej e tëra në votë dhe të vendosej në kutinë e LVV-së, ky subjekt politik do të mundë të dilte i pari dhe në këtë mënyrë të konfirmonte ndodhjen e revolucionit të dëshpërimit në këtë vend.

Po kjo nuk ndodhi për shumë arsye, sepse nuk ishin të paktë ndëshkuesit që votuan me mendje dhe në këtë mënyrë bën të pavlefshme votën e tyre. Sipas raportit të KQZ-së, pas numërimit të votave në masën 90 për qind gjenden nëpër kuti votimi jo më pak se 48413 vota të pavlefshme!

Në këtë masë nuk ka ndodhur asnjëherë kjo. Tani dikush mund të thotë se ky është konfirmim i rezultatit të PISA-s, që në një mënyrë dëshmon rritjen e analfabetizmit, por nuk është kështu, sepse gjeneratat e vjetra si përfaqësues të analfabetizmit nuk janë më, ndërsa në vend të tyre kanë ardhur gjeneratat e reja, të cilat mund të karakterizohen me një analfabetizëm funksional, por jo me një analfabetizëm në kuptimin e thjeshtë të fjalës.  

Se qytetarët e përgjegjshëm në masë të konsiderueshme i kishin bërë të pavlefshme votat e tyre, kjo edhe u dëshmua me raste konkrete.

Në fakt kjo shifër e madhe (e paparë ndonjëherë) e atyre që bënë të pavlefshme votën e tyre përbën një dimension tjetër në kuadër të këtyre zgjedhjeve që krijuan një realitet të ri politik në Kosovë. Po në këtë gjendje politizimi, ku ndodhet qytetaria jonë, zor është të pretendosh analiza të shëndosha dhe josubjektive.

Shihni si me kaq lehtësi humbjet konceptohen si fitore dhe madje si të tilla edhe festohen publikisht?! Mbase ky është rreziku më i madh me të cilin përballet shoqëria jonë, sepse e gjithë kjo ndodh në kuadër të logjikës së ndërtimit të pushtetit të gënjeshtërt, i cili brenda kornizave të tij nuk njeh humbjen, përkatësisht nuk e pranon si të tillë, ndërsa me kohë ka ndërtuar mekanizmat e mashtrimit dhe të gënjeshtrës që edhe humbjes më të madhe t'i bëjë një përmendore!

E si mund të kenë kuptim fitoret politiko-partiake ndërsa jetojmë në një kënetishtë, ku nuk ka shpresë se mund të dalë një forcë, madje as ndërkombëtare (në këtë rast as NATO-ja) që të na nxjerrë nga këtu?!  

Sigurisht që LVV-ja ka të drejtë që këtë fitore të madhe të ndëshkimit ta interpretojë si fitore të rritjes së saj, madje kjo politikisht është krejt korrekte, pavarësisht që kutia e LVV-së ishte zgjedhur për ta konvertuar dëshpërimin e jo për ta deleguar vullnetin tek ajo.

Po edhe LVV-ja duhet të jetë e shqetësuar se përse një numër kaq i madh i të dëshpëruarve ka kaluar kutinë e saj dhe e ka dëmtuar votën që të konsiderohet e pavlefshme.

Partitë, përkatësisht dy blloqet e dështimit, nuk kanë përse të merren me këtë, ato tashmë do ta kenë më vështirë se kurrë që këtë shkallë dëshpërimi të qytetarëve ta konvertojnë në optimizëm, siç bën deri më tash. Dhe mirë është që tash e tutje nuk jemi populli më i lumtur në rajon dhe më gjerë.

Tashmë me votë e kemi dëshmuar se jemi popull i dëshpëruar shumë. Dhe kjo gjë duhet të cilësohet si një fitore e madhe, mbase si fitorja më e madhe që doli nga këto zgjedhje.

Po ajo që të gjithëve na shqetëson dhe si e tillë edhe na intereson është çështja se çka do të përfitojmë nga këto zgjedhje? E vetmja gjë që është e sigurt do të fitojmë një shkallë më shumë të rritjes së dëshpërimit dhe asgjë tjetër. Komandantët e luftës, të grupuar kështu me të vetmin qëllim që të mos e lëshojnë shtetin nga kapja, do t’i përdorin të gjitha metodat e mundshme për të ndërtuar një shumicë të nevojshme për qeverisje.

Do të jemi dëshmitarë të pazareve të mëdha dhe të pista, të cilat veç sa do ta konfirmojnë të drejtën tonë të dëshpërimit. Komandantët e luftës, me promotor strukturën e SHIK-ut, edhe kësaj radhe do të bëjnë çmos që të vazhdojnë ecjen me patericat që mbajnë shenjën LDK.

Kështu në një anë do të kemi një qeverisje të pistë, ndërsa në anën tjetër do të kemi një opozitë të pastër, madje fillikat të vetme, kështu siç edhe është LVV-ja, e konceptuar si një sekt politik, plotësisht i dallueshëm nga subjektet tjera. Kështu lufta ndërmjet krahut të luftës (PAN) dhe krahut të të rebeluarëve (LVV) do të vazhdojë edhe më egërsisht, kjo edhe për faktin se në një mënyrë është edhe luftë brenda llojit.   

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK