Zërat
Xhavit Haliti
Xhavit
Haliti

Ta përdorim votën për fuqizimin e shtetit!

Zërat June 07, 2017 - 15:43

Zgjedhjet e parakohshme në vendin tonë, si në çdo shtet tjetër, janë një ngjarje e pazakontë për ecurinë normale të shtetit, por që, të paktën deri më tani, nuk kanë shkaktuar asnjë reagim demonstrativ, mosaprovues të qytetarëve. Pritja qetësisht e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare nga elektorati është e kuptueshme.

Për gati tre vjet radhazi dy institucionet më kryesore kushtetuese, Kuvendi dhe Qeveria, nuk mundën t’u japin zgjidhje problemeve kryesore të vendit. Por, me të drejtë shtrohet edhe më tutje pyetja: Vota e 11 qershorit a do të mundë të shërbejë për zgjidhjen e shumë çështjeve, që do të ndikonin në forcimin e shtetit ligjor dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve?

Vështirë të jepet një përgjigje e saktë, por po përpiqem të bëj një analizë vetiake me dëshirën që të mundë të shërbejë qoftë si sugjerim për disa nga lexuesit e këtij shkrimi.

Në çdo vend që aspiron dhe pretendon të quhet demokratik zgjedhjet parlamentare bëhen për t’u dhënë zgjidhje problemeve të konstatuara si penguese për progresin e shtetit. E, shteti është tërësia vepruese e institucioneve politike kushtetuese. Ekzistenca, struktura, përbërja dhe veprimtaria e këtyre institucioneve, në kuadër dhe zbatim të kompetencave përkatëse kushtetuese, i japin jetë, autoritet dhe fuqi shtetit.

Këto që po i them dihen nga të gjithë, siç dihen edhe pasojat e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014. Për muaj të tërë shteti ynë për arsye të përligjura apo jo të përligjura nga ligji zgjedhor dhe nga loja interpretuese e votave në favor apo disfavor të partive mbeti pa Qeveri dhe pa Kuvend të krijuar. Edhe kur filloi të funksionojë, Kuvendi u ballafaqua me bojkotin e opozitës dhe gazin lotsjellës në sallën e seancave, të përdorur qëllimshëm për shmangien dhe anulimin paraprakisht të diskutimit dhe vendimmarrjes për çështje që shqetësonin qytetarët dhe shtetin tonë. Demonstrimet qytetare, të frymëzuara dhe të organizuara nga opozita, u shfaqën herë-herë edhe të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore. I përmenda këto, jo për t’i rikujtuar së bashku, por për të dhënë një përfundim. Rrëzimi i Qeverisë dhe shpërndarja e Kuvendit u paratha qysh me rezultatet e votimit të 2014-s dhe me krijimin e koalicioneve mbi bazën e tyre.

Natyrshëm lind pyetja: Nga se dhe si mund të ndryshojnë këto zgjedhje nga paraardhëset dhe si e pse mund t’u shërbejnë më fuqishëm institucioneve kushtetuese dhe për pasojë edhe forcimit të shtetit të Kosovës? Në përgjigje të kësaj pyetjeje do të theksoja se demokracia ndërtohet, funksionon e rigjenerohet përmes votës qytetare. Vota është e vetmja armë në këtë sistem që individi ka të drejtën dhe detyrimin ta përdorë sa herë është e mundshme për interesin e vet, të familjes, të bashkësisë, për të sotmen dhe për të ardhmen personale e të fëmijëve dhe të shtetit. Janë dëshira e synime për çdonjërin, të cilat lidhen drejtpërdrejt dhe realizohen vetëm përmes institucioneve vepruese kushtetuese e shtetërore dhe punës së tyre në shërbim të qytetarëve.

E di që nuk ju bind sepse e keni përdorur kaq herë votën dhe kini mbetur të pakënaqur nga qeverisja, por besoj se këto zgjedhje të jashtëzakonshme janë ndryshe nga paraardhëset dhe përcjellin hapur mesazhe për të reflektuar, si nga elektorati, ashtu dhe nga partitë. 

Elektorati ka pasur rastin të mësojë se përdorimi i votës në funksion të familjes dhe të shoqërisë nuk i shërben krijimit të institucioneve të qëndrueshme të shtetit demokratik.

Se ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk e kemi rehatinë të votojmë në baza krahinore, mbi bazën e lidhjeve historike, patriotike apo tradicionale. Duam të gjithë dhe duhet që së pari të forcojmë shtetin duke u anëtarësuar në OKB, në NATO, në BE. Duam që të gjithë qytetarët të jetojnë e të kontribuojnë për mbarëvajtjen e vendit tonë. Dhe, mendoj se zgjidhja ose mundësia për t’iu afruar këtyre synimeve nuk është e vështirë. Përcaktuese për të sotmen dhe për të ardhmen tonë është shteti. Ndaj votoni për të krijuar institucione të konsoliduara e të besueshme kushtetuese. Votoni për krijimin e një Kuvendi me deputetë të përgatitur e të përgjegjshëm, që ajo ta ketë mundësinë për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës shtet.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK