Zërat
Xhenis Sulimani
Xhenis
Sulimani

Institucionet demokratike nuk ndërtohen me mendësi tribaliste

Zërat June 07, 2017 - 11:25

Maqedonia më shumë se një dekadë nuk arriti ta ndërrojë pushtetin me mjete demokratike. Shumë orvatje për ta ndryshuar sistemin dështuan dhe sikur nisi një depresion te populli dhe filloi të krijohet bindja se ish-kryeministri Gruevski është i pamposhtur. Me rritjen e ndikimit rus në Ballkan, sikur pretendohej në Maqedoni të krijohej një Llukashenko i ri.

Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar qytetarët kishin vendosur për votë kundër Nikolla Gruevskit, pa kalkulime. Mirëpo, edhe në këto zgjedhje me diferencë shumë të ngushtë si parti e parë doli VMRO-ja e Gruevskit. Por fatmirësisht kësaj radhe çelësi gjendej në duart e shqiptarëve dhe te shqiptarët ishte fati i asaj që kah do të drejtohet Maqedonia. Do të shkohet me Gruevskin apo me Zoran Zaev që premtonte një Maqedoni europiane, larg ndikimeve ruse.

Lëvizjet e reja, subjektet politike shqiptare në Maqedoni patën rol determinues për ta shkurorëzuar Bashkimin Demokratik për Integrim nga partneriteti me VMRO-në. Në këtë mënyrë VMRO-DPMNE mbeti e vetme dhe si e tillë e pafuqishme për të formuar Qeverinë e re edhe pse doli si parti e parë në zgjedhje. Megjithatë VMRO-DPMNE nuk lëshoi pe dhe vazhdoi obstruksionet në Kuvend, duke mos lënë hapësirë që mandatari i radhës të formojë Qeverinë, gjithë kohës i ndihmuar nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, figurë ky i telekomanduar nga partia e Gruevskit. Kështu zgjati deri më 27 prill, kur ithtarët e partisë ultra nacionaliste terrorizuan deputetët dhe gazetarët, duke i rrahur disa prej tyre në mënyrë kafshërore, duke rrënuar sistemin e sigurisë në vend, duke neutralizuar tempullin e demokracisë- Kuvendin... në këtë mënyrë duke vërtetuar atë sistemi i Gruevskit ka kapur që moti sistemin dhe po e mban të uzurpuar, që është tregues se sistemi tij s’kishte të bëje fare me demokracinë. Filozofi i Karl Popper vlerëson se sistemet demokratike ndryshohen nëpërmes zgjedhjeve, ndërkaq kur sistemet ndërrohen duke derdhur gjak, atëherë s’kemi të bëjmë me demokracinë. Do të thotë se rasti i 27 prillit ishte varrosja e totalitarizmit dhe padyshim se festa më e madhe u takon varrmihësve të gruevizmit.

Kë mund ta quajmë varrmihës të gruevizmit? Të gjithë ata që më shumë se një dekadë kanë kritikuar Nikolla Gruevskin, i kanë dalë ballë të njëjtit dhe strukturave destruktive të tij, përfshirë subjekte politike, përfaqësues të sektorit civil, gazetarë, publicistë e opinionistë të ndryshëm. Tani, teza e parë që parashtrohet është sa do të mund të jenë produktiv këta “varrmihës” për ta kultivuar një kulturë ndryshe politike që i shërben qytetarëve, njëjtë pa dallim. Pika e zezë në këtë storje është padyshim Bashkimi Demokratik për Integrim. BDI në këtë moment është e keqja e domosdoshme. Pse them kështu? Për faktin se kjo parti ishte gjithmonë “bastoni” ku mbahej VMRO gjithmonë kur kjo e fundit ishte në rrezik. Por ja që numrat ishin në anën e saj! Mendoj që, BDI humbi rastin e fundit për të bërë kthesën në të mirë të saj. Ajo në përbërjen e re qeveritare vendosi figura jo adekuat, për të cilët kriterium ishte vetëm pjesëmarrja në konfliktin e 2001-shit, edhe ata që janë emëruar e nuk kanë qenë në luftë, janë emëruar duke qenë të afërt me “komandantët”. Mendësi tipike tribaliste, ku i forti duhet t’i prijë proceseve, pa e testuar atë “forcë”, në është fizike apo racio. Mjafton t’i krahasoni CV-të e ministrave të LSDM dhe të BDI-së dhe gjithçka është e qartë.

Nëse pretendojmë të krijojmë institucione demokratike duhet ta përmirësojmë veten. E si mund ne ta përmirësojmë veten kur dje nuk ishim me varrmihësit e sistemit të Gruevskit? Ku është garanca? Sipas meje, garancë do të ishte nëse BDI do të ofronte kuadro pa mendësi tribaliste e që gjatë dekadës së fundit kishin kritikuar çdo politikë destruktive të Gruevskit. Kujdes! BDI vazhdonte të ishte baston i VMRO-së edhe pas publikimit të “bombave të opozitës”, ndërkaq e njëjta tash është shndërruar në shtafetën e LSDM-së. Kjo parti ka nevojë për reforma urgjente. I duhet një frymë rinore, e pa ndikuar nga muskujt e “komandantëve”,

Lëvizja Besa dhe LR-PDSH në këtë spektër politik janë e mira e shqiptarëve. I dhanë ngjyrim të theksuar spektrit dhe dinamizëm politikbërjes. Njëra vendosi ta ndihmon qeverinë e Zaevit- me të drejtë, sepse ishte momenti për t’i dhënë goditjen e fundit gruevizmit, ndërkaq tjetra vendosi të jetë opozitë dhe t’i mbetet besnike parimeve të saj se nuk bashkëpunojnë me BDI-në. Që të dyja kanë mjaftë leksione për të mësuar që të mos përsërisin gabimet e subjekteve paraprake që kishin shqiptarët.

Summa summarum, të gjithë për dështimet e demokracisë duhet ta kërkojmë përgjegjësinë te vetja. Nuk mund të kritikojmë institucionet demokratike nëse te të njëjtat kemi zgjedhur e deleguar persona që kanë mendësi autoritare të veprimit, mendësi tribaliste ku mbisundon më tepër forcimi i muskujve se funksionimi i trurit.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK