Zërat

Sa është kosto e emigrantëve që po lëshojnë Kosovën dhe cila është mundësia parandalimit të emigrimit

11 janar 2015 • 20 : 52

Më aktualja tani në Kosovë është emigrimi ilegal për në shtetet e BE-së. Po more rrugën për te ndonjë kafiteri në cilin do qytet të Kosovës, tema kryesore është, si të gjejmë rrugën për në perëndim. Rininë e Kosovës sikur i ka kapluar një depresion dhe një zhgënjim që në Kosovë nuk ka më perspektivë. Dhe perspektiva e vetme janë rrugët ilegale për në vende të BE-së. Struktura e popullsisë e cila po emigron është kryesisht grup mosha 25-44 që përbën 47.2% të popullsisë emigruese. Derisa, dominon  grup mosha 30-34 vite me 12.7% (ASK, Migrimi Kosovar, 2014). Mirëpo, sa po i kushton Kosovës kjo, dhe sa po i kushto personave që po dalin të kërkojnë një mirëqenie më të mirë?!

Së pari duhet të parashtrojmë një pyetje që si ka mundësi që aq lehtë të kalohet kufiri për në vendet e BE-së, më konkretisht nga Serbia për në Hungari e më pas edhe deri në destinacionet tjera përmes Austrisë në Francë, Gjermani apo Zvicër. Përgjigja e vetme është përfitimi financiar kontrabandistëve nga vendet që po organizojnë këto emigrime ilegale.

Kosto financiare arrin afër 17 milion euro

Duke ju referuar statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2013 ishte gjithsej 20,246 banorë (01 janar-31 dhjetor 2013). Ndërsa, sipas EUROSTAT janë rreth 20,000 azilkërkues nga Kosova. Kur i shtojmë fluksin e madh në 6 mujorin e fundit mund të konkludojmë që numri është i dyfishuar. Të gjithë e dimë që për të marrë rrugën ilegale për në vendet e BE-së nevojitet një shumë e konsiderueshme e parave. Sipas disa burimeve për një person kosto për të arritur në një nga vendet e BE-së mesatarisht është rreth 700 euro. Nëse thirremi vetëm në statistikat zyrtare të EUROSTAT-it dhe ASK-së del që Kosovës jo vetëm që i ka emigruar fuqia punëtore por së bashku me ta edhe diku rreth 14 milion euro (20,000 x 700€). Nëse nga statistikat zyrtare i shtojmë dhe 20% të emigrantëve ilegal si numër të rritur në këtë 6 mujorin e fundit i bije që 24,000 emigrant kanë emigruar dhe kosto arrin shumën prej 16,8 milion euro (24,000 x 700€). Ky vetëm është një kalkulim i thjeshtë, duke mos i përfshirë investimet e tyre që kanë bërë në shkollimin e deritanishëm. Humbjet për Kosovën janë edhe më të mëdha nëse hyjmë në analiza më të thella.  Mendoni, që nëse do e bashkonim këtë shumë prej 16,8 milion euro, përmes aksioneve apo letrave me vlerë për ta shndërruar në investim sa vende të reja të punës do të ishin hapur!

Burimi kryesor i financimit të emigrantëve ilegal është përmes kredive personale në bankat e Kosovës ose përmes të të afërmve që kanë në perëndim. Mirëpo, ka raste edhe kur personat shesin ndonjë gjë me vlerë që kanë. Kjo është edhe një barrë e madhe për Kosovën duke rritur pasigurinë e kthimit të kredive. Ndërsa, me pasigurinë e kthimit të kredive kemi edhe rritjen e kamatave.

Cila është mundësia për parandalimin e emigrantëve?

Sipas vlerësimeve të ASK-së, Kosova në vitin 2014 ka 1,811,372 banorë, ku popullsia në moshë pune[1] është 1,191,630. Nga fuqia punëtore[2] që konsiderohen persona aktivë, e që përbëhen nga mosha mesatare 15-64 vjeç janë 483,193. Kurse, personat joaktivë[3] të moshës 15-64 vjeç, janë 708,436. Nga fuqia punëtore janë të punësuar 338,364 e numrit të përgjithshëm, kurse të rinjtë 35,476 (Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2014). Ky është një tregues që shkalla e papunësisë në Kosovë është e lartë dhe duhet që të krijohen modele të reja dhe forma të reja për nxitjen e rritjes së punësimit, sidomos te të rinjtë. Nga tabela nr. 1 shihet që shkalla e papunësisë në Kosovë është 30%, ndërsa shkalla e papunësisë tek të rinjtë (15-24 vjeç) është edhe më e lartë 55.9%.

Image

Nëse thirremi në këto statistika dhe shohim që në Kosovë nuk ka ndonjë perspektivë të madhe pasi që papunësia është mjaft e lartë. Dhe nëse e shohim që emigrantët tonë që dalin në disa vende të BE-së si për shembull Gjermania, marrin vetëm nga 370 euro në muaj. Që është një shumë e vogël për të mbijetuar. Duhet që Qeveria e Kosovës të hartojë një strategji urgjente që të parandaloj emigrimin e kosovarëve të vet, duke ruajtur resurset njerëzore si një pasuri të madhe që ka Kosova dhe gjithashtu të krijoj mundësi vetëpunësimi.

Hartimi i një strategjie për parandalimin e migracionit përmes bujqësisë

Mundësia më e mirë për të dalë nga kjo gjendje është zhvillimi i bujqësisë apo hartimi i një strategjie për parandalimin e migracionit përmes bujqësisë. Veçoria e Kosovës, si një vend me një pjesë të madhe të popullsisë së re është edhe në sektorin e bujqësisë, ku brezi i moshës 15-29 vjeç përbën pjesën më të madhe të popullsisë bujqësore me 29 %. Personat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 7% të popullsisë. Shumica e pronave bujqësore (56%) kanë 5-8 anëtarë, që tregon se familjet bujqësore në Kosovë janë mjaft të mëdha. Mesatarja e ekonomive bujqësore është 7.3 anëtarë (Plani për Zhvillim Rural dhe Bujqësor 2010-2013). Me potencialin që ka Kosova në sektorin e bujqësisë mundet që përmes subvencioneve në këtë sektor të mbajë shpresat për një jetë mesatare në vendin e tyre dhe mos të bredhin kampeve të Evropës për të marrë një “social” prej 370 eurove. Sektori i bujqësisë ofron një zgjidhje të tillë duke riaktivizuar tokat bujqësore të cilat nuk është duke i punuar askush, dhe përmes aplikimit të tatimit në pronë të klasifikohen pronarët e tokave të cilët punojnë tokat që të lirohen nga tatimi, ndërsa pronarët që nuk punojnë token dhe e mbajnë shterpe tu shtohet norma e tatimit në mënyrë që ose ti japin me qira ose ti punojnë vetë. Kjo do të stimulonte fermerët dhe të gjithë ata që kanë tokë të punueshme që të fillojnë e ta punojnë dhe të krijojnë të ardhura mesatare për familjet e tyre.

[1] Popullsia në moshë pune përfshin personat e moshës 15-64 vjeçarë. Kjo masë është përdorur për të dhënë një vlerësim të numrit të përgjithshëm të punonjësve potencialë brenda një ekonomie.

[2] Fuqia punëtore është e përbërë nga personat e punësuar dhe personat e papunë, sipas përkufizimeve të sakta të paraqitura më poshtë. Personat joaktivë nuk konsiderohen pjesë e fuqisë punëtore. Të papunë: persona të moshës 15-64 vjeç të cilët gjatë javës referente:

• ishin pa punë, d.m.th. nuk ishin të punësuar me pagesë ose të vetëpunësuar, dhe • aktualisht ishin të gatshëm për punë, d.m.th. ishin të gatshëm të fillojnë punë me pagesë ose vetëpunësim brenda dy javësh; dhe • kërkonin punë, d.m.th. kishin ndërmarrë hapa specifikë gjatë katër javëve të fundit në kërkim të punësimit me pagesë ose vetëpunësimit.

[3] Persona joaktivë: persona të moshës 15-64 vjeç të cilët gjatë periudhës referente nuk ishin as të punësuar as të papunë.

Autori është ekspert për fushën e menaxhimit

© zëri.info