Zërat
Artan Murati
Artan
Murati

Roli i medieve në zgjedhje: A ndikojnë në votën e qytetarëve?

Zërat June 06, 2017 - 13:23

Me kalimin e viteve, sikurse vetë procesi zgjedhor në gjithë botën, edhe mediet kanë kaluar nëpër faza të ndryshimit. Trendi i evoluimit të medies dhe rolit të cilin e luan në proceset elektorale është prezent në gjithë botën, duke përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës. Tradicionalisht, secili proces elektoral në vend është përcjellë me vëmendje të madhe mediale. Por, shtrohet pyetja se si kanë evoluar mediet dhe cili është ndikimi i tyre në votën e qytetarëve? Ose, dilemë edhe më e madhe në këtë çështje është ajo nëse mediet duhet të shërbejnë si platformë për edukim e mobilizim të votuesve apo për promovim të politikanëve. Në parim, mediumet klasike janë përbërë nga televizionet, radiot, gazetat dhe forma tjera të përhapura për tash e sa kohë në shoqërinë tonë. Me kalimin e viteve dhe me revolucionin që solli zhvillimi teknologjik koncepti i medieve dhe perceptimi i tyre ka ndryshuar. Gjithçka është e orientuar drejt rrjeteve sociale, platforma ku partitë politike, politikanët, por edhe vetë mediet, janë duke i përdorur në masë të madhe, sidomos në kohë fushate e zgjedhjesh. Sipas një studimi të bërë nga Qendra Kërkimore Pew në janar 2017, 44% e të rriturve amerikanë pohuan se kishin marrë informacion rreth zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA nga mediet sociale.

Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe për të kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në  kanalin e salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet bazuar në editorial mund t’i gjeni në uebfaqen tonë.

Marrja e informacionit nga mediet sociale nuk është domosdoshmërisht problematikë, por lloji i informacionit popullor në këto faqe nuk është saktësisht më i besueshmi. Numri i portaleve të shumta, pa adresë e pa pronar, është duke krijuar një ambient jo shumë të përshtatshëm medial, ku burimi i informacionit shpeshherë është i pabazuar dhe jo i saktë. Fenomeni i “Fake news” pati bujë të madhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, ku miliona linqe me lajme të rreme u postuan online nga disa të rinj “Shtipi i Maqedonisë”. Lajme këto që denigronin një kandidat të caktuar dhe ndikonin direkt në rezultatin e zgjedhjeve. Përveç portaleve pa adresë e pronar, çështje tjetër e cila mund të ndikojë në votën e qytetarëve është edhe vetë mënyra e raportimit. Medie të caktuara shpeshherë dalin edhe me qëndrime editoriale dhe haptazi përkrahin një parti apo kandidat të caktuar. Lexuesve të këtyre medieve u mbetet të vendosin pastaj se a duan t’i lexojnë apo jo. Tek mediet e paanshme raportimi i paanshëm është çelësi i suksesit të tyre. Me raportim të paanshëm dhe me hulumtime të bazuara mund të ndikojnë direkt në përmirësimin e skenës politike, në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në politikë. Me raportimet e tyre mediet mund edhe të shndërrojnë parti e politikanë të caktuar në përbindësh politikë. Rasti konkret dhe i fundit në Republikën e Kosovës është publikimi i përgjimeve telefonike në të ashtuquajturën afera “Pronto”, ku disa nga protagonistët kryesorë të përgjimeve u linçuan politikisht nga masat, por edhe nga vetë partitë politike që ata u përkisnin, duke mos i rikandiduar për pozitën e deputetit.

Pra, a mund të ndikojë media në votën e qytetarëve? Në parim, po. Ndikimin më të madh media e luan në kapjen e inercionit dhe krijimin e masave kritike. Normalisht, pavarësia editoriale dhe zgjedhja çka dhe si të raportojë është kompetencë ekskluzive e medies konkrete. Varësisht nga përmbajtja se çka ofron një media i mbetet edhe lexuesit të gjykojë profesionalizmin dhe paanshmërinë e saj. Debatet televizive si forma më e vjetër dhe më e përhapur e fushatës elektorale po ashtu mund të ndikojnë në votën e qytetarëve. Ajo çfarë flitet në debate mund t’i ndikojë ata që ende nuk kanë vendosur për kë të votojnë e potencialisht t’ua thyejnë mendjen. Media e lirë është parim bazë mbi të cilin frymon demokracia dhe mosgarantimi i tij nënkupton mosgarantim edhe të lirisë për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur.

Informacioni është mjet i fuqishëm për të arritur qëllime të caktuara e poseduesi i tij ka fuqi të papërshkrueshme. Mediet, qoftë në formën klasike apo moderne, janë ato ndër të parët që marrin dhe pastaj transmetojnë informacionin. Ndikimi i medies në votuesin potencial është çdoherë prezent, fillimisht duke edukuar votuesin për zgjedhjet, procesin zgjedhor e politikën në përgjithësi, e kjo kryesisht si rrjedhojë e kampanjave nga shoqëria civile. Së dyti, media ndikon direkt në glorifikimin ose diskreditimin e politikanëve, normalisht çdoherë duke u bazuar në fakte, hulumtim e raportim të mirëfilltë. E fundit, media ndikon direkt në transformimin e subjekteve politike, në rritjen e transparencës e llogaridhënies dhe ndikon direkt në ambientin politik në një shoqëri. Së bashku me shoqërinë civile mediet luajnë rolin e llupës, me anë të së cilave qytetarëve u mundësohet vrojtimi i drejtpërdrejtë i atyre që kërkojnë votë qytetare. Ose, të paktën, kështu duam të besojmë!

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK