Zërat
  Prof. dr. Muhamet Sadiku


Prof.
dr.
Muhamet
Sadiku

Çfarë kryeministri apo 'kryeministri' i duhet Kosovës

Zërat May 27, 2017 - 14:44

Është një pyetje tejet strategjike duke pasur parasysh të kaluarën politike dhe ekonomike të Kosovës. Kjo ka rëndësi duke pasur parasysh rrugëtimin e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Që me parë duhet pranuar se Kosova nga viti 2008 ka filluar ta ushtrojë sovranitetin e vet politik dhe ekonomik me asistencë shoqëruese ndërkombëtare. Kosova e përballur me shumë çështje, projekte të filluara dhe të papërfunduara, ka nevojë vërtet për një qeverisje moderne dhe me orientim evropian. Duhet vlerësuar të kaluarën se sa Kosova ishte prodhuese e konkurrencës politike dhe ekonomike. Është parë që në mungesë të një trashëgimie politike (kultura), sa vështirë krijohen institucionet pas përfundimit të zgjedhjeve dhe sa zgjasin. Organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve në vende të zhvilluara krijon stabilitet për zhvillim ekonomik. Ka përvoja ndërkombëtare kur edhe për tri vjet nuk krijohet qeveria e koalicioneve dhe ekonomia dhe sektori privat e bëjnë të veten. Vendet edhe në këto rrethana nuk vendnumërojnë në zhvillim. Para se të jepen vlerësime përfundimtare për cilësinë e zhvillimit politik dhe ekonomik duhet pranuar se Kosova ende ka mbështetje ndërkombëtare, sidomos për disa çështje tejet shtetërore (demokracia, ekonomia e tregut, ushtria, ...). Kështu edhe pas skadimit të pavarësisë së mbikëqyrur, në Kosovë veprojnë disa organizma ndërkombëtare me ndikim në shtetndërtim (UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i) dhe shumë partnerë të zhvillimit ndërkombëtar. Kjo është e kuptueshme duke ditur se shteti i Kosovës është krijuar me kontribut të përbashkët ndërkombëtar dhe kombëtar. Kjo nënkupton se në Kosovë kemi investime të mëdha ndërkombëtare në shumë drejtime. Ky është një realitet që çmohet nga secili qytetar i Kosovës. Prandaj interesimi dhe kujdesi ndërkombëtar për orientimin perëndimor është tejet i natyrshëm. Këtë orientim e dëshmojnë kosovarët çdo ditë dhe në çdo rast. Kosova edhe në të kaluarën e ka refuzuar orientimin lindor. Kuptohet se askush nuk do të lejojë që Kosova të bëhet shtet i dështuar. Ky orientim perëndimor mbetet platformë e sigurt e vizionit euroatlantik të Kosovës. Kërkohet që nëpërmjet qeverisjes moderne të mbështeten projektet e tilla. Kosova edhe në fazën e tanishme të zhvillimit, duhet të llogarisë në krijimin e një qeverisjeje evropiane dhe të bëhet shtet prosperues dhe i shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Kemi parasysh ndikimin e së kaluarës së dhimbshme. Kërkohet që të rriten projektet paqësore dhe prosperuese.

Kosova në mes të gjeneratave

Kosova ende mbetet në mes të gjeneratave të luftës dhe të paqes. Lufta ka lënë kujtime të hidhura për humbjet e mëdha dhe popullata ende jeton nga këto zhvillime. Në anën tjetër Kosova ka krijuar një platformë të zhvillimit e paqes, duke krijuar legjislacionin për funksionimin e një shoqërie, e cila mban elemente të pasluftës (dëmet, humbjet njerëzore, të pagjeturit). Por në anën tjetër bëhen përpjekje që të stimulohet procesi i integrimeve në BE, që duhet të mbështetet në asetet e paqes. Në këtë këndvështrim duhet të shihet edhe kryeministri i ri i Kosovës që duhet të shohë pas dhe përpara. Shikimi pas është i nevojshëm për të krijuar shanse për zbutjen e pasojave të luftës, ndërsa shikimi përpara në favor të zhvillimit, integrimeve dhe zgjidhjes së problemeve ekonomike dhe sociale.. Zakonisht, edhe pse jemi në prag të zgjedhjeve të reja, analizat duhet të mos jenë të ngarkuara me aspekte të lojërave politike. Kosova realisht ka nevojë që ta sforcojë rrugën paqësore të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Kryeministri dhe Raporti i Kai Ades

Duhet pranuar se Kosova në vitin 2004 e kishte fituar një kryeministër i cili i kuptonte nevojat bazike të shoqërisë kosovare. Ende nuk kishim në horizont një pamje për statusin përfundimtar të Kosovës. Kërkohej një akomodim me standardet para statusit. Këtë me mençuri e kuptoi kryeministri i atëhershëm dhe punoi me të madhe në implementimin e standardeve për t’u hapur pas 3 muajve pakoja e statusit politik të Kosovës. Kjo pasoi pas publikimit të Raportit të Kai Ades, si përfaqësues i OKB-së. Kjo paraqet pikë strategjike nga e cila u gjenerua edhe pavarësia e Kosovës. Ishte një periudhë e shkurtër, por në shoqërinë kosovare zbuloi shumë resurse demokratike. Edhe tani është koha e vendimeve afatgjata dhe koherente me fonde. Nga e kaluara kemi shumë probleme të bartura dhe ende të pazgjidhura. Situata sociale mbetet tejet e brishtë dhe kërkon adresim adekuat me politika ekonomike. Jashtë zhvillimit ekonomik mbeten shumë njerëz në formë të varfërisë, papunësisë dhe përjashtimit social. Në fillim të mandatit për hir të matjes së progresit të qeverisjes duhet të bëhen bilancet ekonomike dhe sociale. Sidomos ka nevojë për disenjim të situatës sociale në raport me zhvillimin e sektorit privat dhe reformat strukturore. Kërkohet krijimi i një cikli të ri të zhvillimit ekonomik dhe social. Kjo është e rëndësishme, ngase edhe kryeministri i ri në fund të mandatit do të ketë nevojë që diferencat t’i argumentojë me shënime ekzakte. Kjo paraqet edhe veprimin e parimeve të OECD-së,   llogaridhënies kombëtare për të bërat e gabuara dhe të pabërat. Në mandatin e kaluar kishim shpresa se Kosova po krijonte qeverisje për ndryshime ekonomike dhe sociale. Besonim në profesionistët ekonomikë dhe në vendimmarrje ekonomike. Por, në të vërtetë, ekonomia mbeti anash dhe u humb kohë për ta disiplinuar “kuazishkencëtarët”, e të cilët mendonin me kokën e tyre për më të mirat e mundshme. S’duhet harruar se në çdo rast përveç Kosovës së organizuar nëpër parti politike, ekziston edhe një Kosovë tjetër akademike dhe shkencore e pavarur, puna e së së cilës mund të jetë vendimtare për zhvillimin e duhur të Kosovës. Kryeministri i ri duhet të llogarisë me të madhe në një Kosovë të tillë.

Kryeministri dhe “kryeministri” në kontekstin e  kredibilitetit

Çdo nismë kombëtare, projekt madhor dhe çështje të tjera bazike më parë duhet të diskutohen me qytetarët dhe institucionet shkencore, profesionale. Kemi parasysh anatemimin e shkencëtarëve gjeografë lidhur me shqetësimet e tyre shkencore për disa tema të nxehta shoqërore (demarkacioni). Vetëm kështu kryeministri i ri mund të fitojë kredibilitet shoqëror dhe të ofrojë kohezion politik, ekonomik dhe social. Vetëm nëse tregon afinitet për të punuar me profesionistët e vërtetë. Ndërsa në anën tjetër Kosova mund të ketë edhe “kryeministër” që ka arritur ta lexojë ndonjë abetare të ekonomisë dhe ta ofrojë një “shpresë” domethënëse për Kosovën. Kuptohet “kryeministri” i cili nuk e njeh dhe nuk e kupton rrugëtimin e Kosovës për pavarësi, nuk mund ta kuptojë vizionin e ardhshëm. E sidomos kur nuk i kupton pasojat dhe sakrificat e kësaj lufte. Populli ka nevojë t’ia shpjegojë “kryeministrit” se si është krijuar Kosova e pavarur gjatë luftës dhe paqes dhe nëpër cilat vendime ka kaluar ky proces transformues. Vetëm këta që e njohin këtë proces dhe rrugëtim të pavarësisë mund t’i kuptojnë nevojat afatgjata të vendit dhe realitetin ndërkombëtar si dhe domethënien e ndihmës ndërkombëtare dhe orientimin e saj për të gjithë qytetarët.

Objektivat nga lufta në paqe

Pra e kërkonte momenti që kryeministri të dinte të sillej në luftë dhe tani në paqe. Në të dyja këto zhvillime kishte dhe ka partneritet me ndërkombëtarët. Ky është një drejtim i duhur për vendimmarrje strategjike dhe në favor të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Duhet pranuar se Kosova ende nuk e ka bërë ndërrimin e gjeneratave. Këtë duhet të përpiqet ta bëjë  kryeministri i ri. Këtë e kërkon edhe procesi i integrimeve të cilin duhet merituar me zhvillim cilësor. Një ndërrim i tillë i gjeneratave ishte bërë në rastin e paraanëtarësimit të Kroacisë në BE. Vërtet Kosova ka nevojë për vendime radikale në shumë fusha të zhvillimit: zhvillimet strukturore, arsimi, shëndetësia, zhvillimi privat, investimet e jashtme dhe të tjera. E kaluara i ka grumbulluar shumë probleme bazike, e që kanë mbetur pa reagim institucional. Radha është që t’u dilet në ballë këtyre problemeve me politika ekonomike të reja dhe vendimmarrje që e njeh përgjegjësinë, transparencën, llogaridhënien e të tjera. Kjo do të rezultojë në rritjen e kulturës për demokraci, zhvillim dhe mirëqenie. Me kryeministër dhe qeverisje të re Kosova duhet të dëshmohet sa mund të zhvillohet në kuadër të integrimeve evropiane dhe konkurrencës ndërkombëtare. Kuptohet, kjo mund të arrihet me vendime strategjike në favor të gjithë qytetarëve. Tregohet nevojë e madhe që nëpërmjet qeverisjes, politikave ekonomike dhe faktorëve të zhvillimit të krijohen kanalet e kalimit të rritjes në zhvillim ekonomik. Sido që të jetë kërkohet njohje me proceset moderne dhe sfiduese të botës së zhvilluar.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK