Zërat
Anisa Ismajli
Anisa
Ismajli

Rrëfimi i grave heroina

Zërat May 20, 2017 - 13:10

 -“Jemi më të forta se vetë guri”, thoshin ato.

  Ishte një ditë që nuk do ta harroj kurrë në jetë. Një ditë e “veçantë”, por edhe një ditë shumë stresuese që për një kohë të gjatë nuk do të më hiqet prej mendjes. “O Zot i madh, këto gra sa janë të forta vetëm ato e dinë”, pëshpëritja me veten ndërsa ato rrëfenin:

-“Jeta ime ka marrë fund prej asaj dite…veç për fëmijë vazhdoj me jetu!”

-“Kanë bo me neve çka kanë dashtë (shkije mo…”)

-“Ma mirë t’më kishin vra, bre zot!”

-“ …jam gjallë e për gazep!”

- “S’kishin mëshirë as për fëmijët tanë… gjatë kohës kur… i lejshin me m’kqyrë, ah bre Zot, u dashtë me m’vra…”

-“Kur e kuptova se nuk po më vjen cikli, kam pi kvasac, se thoshin plakat se ato ta mysin  fëmijën, gati kam vdekë edhe unë tani, po ma mirë ish konë”…

Ishte një takim që e kishte organizuar presidentja z. Jahjaga, një grua e cila la gjurmë të thella si presidente, e para në rajon dhe në vendin tonë, një grua e cila e filloi një kauzë jetësore, për të cilën edhe unë si femër, si nënë, e falënderoj nga zemra. Një grua të cilën e donin dhe e respektonin  kudo që ne shkuam dhe vizituam qendrat nëpër rajone të Kosovës.

“Ju kam premtuar se edhe pasi që do ta përfundoj mandatin tim unë do të jem sërish me ju”, iu fliste z. Jahjaga dhe gratë me lot në sy e falënderonin dhe e përqafonin me shumë dashuri, me shumë respekt dhe forcë për ta vazhduar jetën. Jahjaga ishte i vetmi dhe i pari person që në emër të institucioneve foli për to.

 - “Ju kam premtuar se nuk do t’ju harroj”, vazhdonte kjo zonjë të fliste me butësi e me shumë dhimbje, - “Kam premtuar dhe synoj t’i mbaj ato premtime për ju”…

Ishin fjalët që fliste z. Jahjaga, e cila ende e gëzonte epitetin e presidentes atje, te ato gra.

- “Ti je hala presidentja jonë dhe gjithë ki me qenë” - thoshin gratë me lot në sy.

- “Veç mos na harro, se jemi të vetme në këtë botë, askush nuk po na kupton, as ne veten tonë ndonjëherë nuk po e kuptojmë, s’po e dimë se ku jemi”.

- “E pse po diskutohet se a kemi qenë të dhunuara? A për së dyti po dojnë me na vra a? Shumë ofenduese, kësaj i thonë gjallë e për gazep”!

- “S’po na kuptojnë as burrat! Ndoshta nuk kanë faj as ata”, thoshte një grua e strukur me një qosh.

- “Unë nuk i kam treguar burrit tim, nuk po mundem bre! Qysh me e kqyrë në sy dhe me i thanë se më nuk kam nder të familjes, të shtëpisë. Se nuk jam më ajo gruaja që kam qenë përpara, e zonja …jo më”, por lotët që i rrodhën ia ndalën në fyt fjalët.

E ne që i dëgjonim as zë nuk lëshonim, vetëm ndonjë “oh bre!” na tradhtonte kur i dëgjonim ato rrëfime. E si mos të reagonim ne, ishim të shkreta si ato, të pafuqishme për ta bërë edhe gjënë më të vogël për to. E ato gjenin forcën dhe na falënderonin që po hyjmë pak në lëkurën e tyre dhe po i dëgjojmë. O Zot i madh!

Ajo ditë përfundoi me shumë rrëfime, me shumë lot, me shumë dëshirë për përkrahje institucionale, por me pak shpresë se jeta e tyre do të vihej në binarë të rregullt të jetës.

U larguam që të gjitha me lot e me zhgënjim të thellë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK