Zërat
Alban Arifi
Alban
Arifi

Mos manipuloni me vota, dënimet janë të ashpra!

Zërat May 16, 2017 - 16:28

Pas iniciativës së deputetëve të “Nismës për Kosovën”, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe lëvizjes “Vetëvendosje” për mocionin e mosbesimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila iniciativë u përkrah edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, mocioni rezultoi i suksesshëm, ku 78 deputetë votuan për, 34 deputetë kundër, ndërsa 3 deputetë abstenuan, me çka i  dhanë fund qeverisjes së kryeministrit Mustafa.

I gjithë ky proces me akuza dhe kundërakuza që rezultoi me rrëzimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës siç duket e mirëpriti edhe presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaqi, i cili pothuaj ende pa dalë nga salla e Kuvendit deputetët nënshkruan Dekretin për Shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Këtë veprim e bëri në bazë të Nenit 82, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti Thaqi pas mbajtjes së takimit konsultativ me partitë politike, më datë 11 maj 2017, bëri caktimin e datës së zgjedhjeve. Shumica ishin që data e zgjedhjeve të ishte data e 11 qershorit dhe në këtë mënyrë presidenti Thaqi mori vendimin për caktimin dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës për datën 11 qershor 2017. Gjithashtu urdhëroi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Zyrtarët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë deklaruar se janë të gatshëm që do ta kryejnë punën e tyre pa asnjë problem deri te shpallja e rezultateve vendimtare.

Koha shumë e shkurtër e mbajtjes së zgjedhjeve, lufta për të hyrë në lista të deputetëve, shpalosja e programeve partiake, presioni mbi qytetarët për marrjen e votës, premtimet e panumërta nga partitë të cilat mundohen të dalin në sipërfaqe për të marrë pushtetin pritet që në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës shumëkush të bjerë ndesh me Kodin Penal të Kosovës dhe të kryejë vepra penale, e për të cilat parasheh edhe dënime goxha të ashpra.

Disa nga veprat penale që kanë të bëjnë me veprime kundër të drejtave të votimit të parapara me Kodin Penal të Kosovës janë si në vijim:

“Cenimi i të drejtës për të kandiduar” (Neni 210); “Kanosja e kandidatit” (n. 211); “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar” (n. 212); “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” (n. 214); “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” (n. 215); etj,

Dënueshmëria për këto penale varion nga vepra penale e kryer. Si shembull mund ta marrim se për disa vepra parashihet edhe dënimi me gjobë si dënim kryesor, por me alternativë. Vepra penale nga Neni 210 apo 211 i KPK-së e përcakton që kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit e që është dënimi më i ulët për këto vepra penale, kurse në rrethana më të ashpra deri në tre vjet burgim. Pra, është dënim alternativ që mbetet në diskrecionin e gjykatës.

Kurse për veprat tjera parashihet dënimi me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet burgim për veprat penale më të rënda, siç është vepra e “Marrjes dhe dhënies së ryshfetit” nga Neni 215 i KPK-së.

Domosdo, puna më e mirë do të ishte nëse qytetarët e rëndomtë dhe ata që janë të detyruar të kujdesen për ruajtjen e votës të mos bien ndesh me ligjin për shkak të veprimeve të tyre.

Duhet ta dinë të gjithë se pasojat do të jenë individuale për secilin që bën veprime inkriminuese dhe atë bazuar në të kaluarën jo të largët kur qytetarët ballafaqohen me prokuroritë dhe gjykatat, dhe atëherë e kuptojnë se përgjegjësia është individuale. Partitë politike në këto situata nuk marrin asnjë përgjegjësi dhe arsyetohen shumë drejt kur prononcohen se askush nuk shtyn ndokënd të bëjë vepra penale.

(Autori është avokat)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK