Zërat
Vlora Gaxherri
Vlora
Gaxherri

Pushimi i përbashkët prindëror, një rol më aktiv për baballarët e rinj

Zërat May 16, 2017 - 12:04

Legjislacioni në fuqi shihet si një faktor që po pengon fuqizimin e rolit të gruas si fuqi punëtore apo pjesëmarrjen e saj në tregun e punës.

Disa nga ligjet aktuale, ndonëse në dukje si favorizuese, në fakt janë në disfavor dhe po ia zvogëlojnë rëndësinë dhe rolin e gruas si qytetare aktive.

Duke përcaktuar detyrimin vetëm për gruan në ditët e javët e para pas lindjes, i njohur me emrin “Pushimi i lehonisë”, legjislacioni krijon situatën në të cilën detyrimi për ta rritur foshnjën është vetëm një detyrim i gruas, ndërsa burri vazhdon angazhimin profesional dhe detyrimet e punës pa shkëputje.

Ajo çfarë shumica pajtohen është që përfundimisht në ligj duhet të ketë pushim të përbashkët prindëror, sepse mungesa e kësaj pike në ligj krijon ndasi të mëdha në rolet gjinore.

I padiskutueshëm është edhe roli i shkollës në forcimin e kësaj kauze që nga vegjëlia, duke i dhënë bazat e para të forta në këtë çështje.

Në Kosovë politikat nacionale duhet ta krijojnë një klimë ku pushimi prindëror të bëhet edhe një e drejtë e prindërve e përkrahur në baza ligjore. Diskutimet për Projektligjin e ri të Punës theksojnë disa ndryshime lidhur me pushimin e lehonisë, por nuk është theksuar ende ndonjë ndryshim rreth pushimit të atësisë ose pushimit prindëror.

E kjo nga ana tjetër krijon padrejtësi ndaj burrave, baballarëve të rinj, pasi ua pamundëson mundësinë të kalojnë më shumë kohë me fëmijën dhe të marrin më shumë përgjegjësi dhe përkujdesje.

Si një pengesë në këtë pikë është pikërisht se po diskutohet veç në forma sipërfaqësore dhe pa hapa konkret. Legjislacioni aktual është diskriminues dhe i paqëndrueshëm. Një pikëpyetje e madhe vihet pikërisht tek pjesa se me çka arsyetohet pushimi i atësisë për dy ditë. Janë dy pika që thellojnë ndarjet e përgjegjësisë në baza gjinore.

E para, diskriminohet gruaja duke ia dhënë të gjithë përgjegjësinë asaj. Dhe e dyta, diskriminimi që babai të mos gëzojë të drejtën të rrijë afër fëmijës. E akoma më të vështirë të drejtën për pushimin e lehonisë apo pushimin e atësisë e kanë sektorët privatë, të cilët janë edhe të privuar ndoshta nga kjo e drejtë elementare njerëzore.

Është e papranueshme ideja që po diskutohet për shkurtimin e këtij pushimi. Mirëpo në vend të një pushimi të gjatë të lehonisë, është e rëndësishme të shtohet pushimi i përbashkët prindëror për nënën dhe babanë që do të vazhdonte menjëherë pas pushimit të lehonisë. Sepse edhe nga aspekti shkencor theksohet domosdoshmëria e pranisë së nënës dhe babait sidomos gjatë vitit të parë të fëmijës.

Në diskutimin e mbajtur në këtë tematikë gjatë javëve të kaluara ajo çfarë të gjithë dakordohen është se ende mungon vetëdijesimi si shoqëri në përgjithësi rreth gatishmërisë për ta marrë këtë përgjegjësi, sepse edhe nuk është bërë asgjë nga institucionet për të pasur qëndrime afirmative nga qytetarët.

Ligji aktual do të duhet ta përfshijë pushimin prindëror si të drejtë të prindërve dhe do të duhej të ishte i patransferueshëm. Gjithashtu është e rëndësishme edhe të kompensohet prindi i cili do të kujdeset për fëmijën e më pas të sigurohet nga shteti infrastruktura publike (p.sh. çerdhet). Të kërkohen pikat e përbashkëta të cilat do ta forconin këtë kauzë dhe të forcohen ato pika në përpjekje për ta ndryshuar realitetin.

Sepse vetëm favorizimi sistematik i praktikave të mira do të kishte efekte të panumërta pozitive në tejkalimin e kësaj gjendjeje në të cilën ndodhemi. Shteti duhet të jetë me i saktë në hartimin e politikave dhe të programeve për pushimin e lehonisë, atësisë dhe pushimit prindëror, e kjo kërkon një qasje shumëdimensionale, shumësektoriale dhe gjithëpërfshirëse. Përmes kampanjave ndërgjegjësuese duhet ndryshuar qasjen për perceptimin e pushimit prindëror si ndarje të përgjegjësisë dhe jo shtim të përgjegjësive. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK