Zërat
Lavdim Hamidi
Lavdim
Hamidi

Çka pritët prej Thaçit dhe Veselit?

Zërat May 11, 2017 - 09:50

Vetëm disa naivë dhe profiterë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mund të kenë besuar në sinqeritetin e kundërshtarëve të dikurshëm politikë, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Fundja këta të dy gjithë karrierën politike e kanë ndërtuar duke mos i respektuar marrëveshjet, apo duke ua bërë “gropën” bashkëpunëtorëve dhe në të njëjtën kohë duke i shfrytëzuar situatat e ndryshme politike për përfitime personale dhe partiake.

Njëjtë vepruan dje edhe me “kurbanin” e fundit, Isa Mustafën.

Edhe nëse bashkëpunëtorët e Mustafës e akuzonin dje PDK-në e Veselit për “tradhti”, mirë u bë që ra kjo Qeveri bashkë me Isa Mustafën, i cili shkoi nga ekzekutivi, ashtu siç erdhi në krye të saj.

Mustafa arriti të bëhej kryeministër i vendit në vitin 2014 vetëm pasi e tradhtoi bllokun opozitarë VLAN, ndonëse katër partitë politike ishin përbetuar se kurrë nuk do të bënin koalicion me Thaçin dhe Veselin.

Dhe si shpërblim një vit para përfundimit të mandatit të Qeverisë u “tradhtua” pikërisht nga PDK-ja nëpërmjet mocionit të votëbesimit të iniciuar nga opozita, atëherë pasi që Thaçin e bëri president, ndërsa Veseli shfaqi ambiciet për t’u bërë kryeministër.

***

Kreu i LDK-së rrezikoi ta ndajë përgjysmë partinë, duke u munduar me “mish e me shpirt” ta bëjë Hashim Thaçin president të Republikës së Kosovës. Madje zgjedhjen e ish-shefit të PDK-së në krye të shtetit e konsideronte si fitore të tij personale!

Ndërsa për deputetët më të zëshëm si: Vjosa Osmanin, Anton Çunin, Shpejtim Bulliqin,..., Mustafa pyeste se ku janë ata ligjvënës që kanë marrë vota në emër të LDK-së dhe që nuk kishin ardhur në Kuvend për ta votuar Thaçin, derisa ironizonte me ta duke thënë se mos janë zënë peng nën çadrat e “Vetëvendosjes”, e cila protestonte në atë kohë në shesh.

Gjithë këto veprime politike nuk kanë si të vlerësohen përpos papjekuri politike të doktorit të ekonomisë, Isa Mustafa, kundrejt politikës “gjarpërore” të Thaçit, apo lojës “pas shpine” të Veselit.

Dështimet kryesore të qeverisë “Mustafa”, që u përmendën dje nga opozita me rastin e paraqitjes së mocionit të votëbesimit, përkatësisht Demarkacionit me Malin e Zi dhe “Zajednicës”, fajet nuk i ka kryeministri i saposhkarkuar, por ish-kryeministri Hashim Thaçi, tashmë president i vendit.

Ndërsa për vetëm gjysmë mandati në krye të Qeverisë Mustafa pranoi ta marrë gjithë këtë barrë politike mbi të dhe mbi partinë e tij, e cila mund t’i kushtojë shumë në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen muajin tjetër.

***

Pas shkarkimit në Kuvend, “dhuratë” kjo nga partia së cilës ia plotësoi të gjitha kërkesat politike, Isa Mustafa do të duhej të lëshonte rrugë për kuadrot tjera partiake të LDK-së, në mënyrë që ta parandalojë shkuarjen e partisë drejt humnerës para zgjedhjeve.

Kjo në fakt do të duhej të ishte kostoja e lidhjes së këtij koalicioni, të cilën duhet ta bartë Mustafa dhe t’u hapë rrugë kuadrove që dëshmuan konsistencë politike në LDK dhe që nuk u besuan premtimeve të PDK-së.

Ndërsa partitë opozitare do të ishte mirë të merrnin mësim nga Isa Mustafa, nëse në fushatë i përmendin “vijat e kuqe” të koalicionit me PDK-në për shkak të keqqeverisjes dhe pas përfundimit të votimeve të mos shkojnë në “prehrin” e Veselit, pasi që goditjen e njëjtë, siç e mori dje Mustafa, mund ta marrin pikërisht nga ai, përkundër joshjeve eventuale afatshkurtra me poste qeveritare.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK