Shqetėsimi im ėshtė dhuna dhe jo se kush mban anėn e kujt

0

SHPËRNDARJE

11 May 2017 • 09:50

Tetë pika që, së bashku, krijojnë një panoramë të mirë e të plotë të momentit politik. E përballë kësaj panorame, ajo që unë them është: Të shkojmë në zgjedhje. Ajo që ti thua është: Tym e flakë të bëhet

Replika e Bushatit nuk më pëlqeu. Sepse ishte bërë turravrapthi. Dhe po kështu, turravrapthi, duhet ta ketë lexuar edhe shkrimin tim. Sepse ndryshe nuk shpjegohet që mendja i kish mbetur vetëm te metafora e Bashës-engjëll e që shfaqej i shqetësuar që unë e quaja palë me Bashën. Me këtë shqetësim ai thjesht kruhet atje ku i djeg. Dhe unë nuk e kuptoj pse i djeg, pasi së pari, nuk e thosha që ai ishte palë me Bashën dhe së dyti, nuk do kish ndonjë gjë edhe sikur ta thosha. Sepse të gjithë jemi të anshëm. Nëse dikush më thotë mua se jam i anshëm, në të vërtetë nuk më ka thënë asgjë fyese. Sepse unë jam i anshëm. Madje, më shumë se Bushati. Paanshmërinë duhet ta kërkojmë te një edicion lajmesh (dhe nuk është se mund ta arrijmë, të kuptohemi), por jo te një opinionist. Një opinionist mund të jetë i paanshëm vetëm nëse nuk e hap gojën. Mirëpo kështu veç opinionist nuk është. Në momentin që unë them se çadra në bulevard është një aksion i shëmtuar politik është e qartë se jam duke mbajtur anë. Por të njëjtën gjë bën edhe Bushati në momentin kur thotë se Rama duhet qëruar një orë e më parë, madje me dhunë, nga zyra. Apo Bushati pretendon se këtë e thotë si i paanshëm?

Ne, edhe kur nuk duam të mbajmë anë, jemi duke mbajtur anë prapëseprapë. Për të mos thënë që ka raste kur mënyra më e mirë për të mbajtur anë është të mos mbajturit anë ose thënë ndryshe, është të trajtuarit njësoj të të dyja palëve. Dua të them se, t’i trajtosh njësoj A-në e B-në në një kohë që A-ja është e keqe dhe B-ja është më e keqe, është një favor që i bëhet B-së. Apo jo? Dhe t’i bësh favor B-së do të thotë të jesh në anën e saj. Dhe kjo që sapo thashë ilustron faktin që paanshmëria, edhe sikur të jetë e mundur, nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me objektivitetin. Për mua rrallë ka të bëjë me objektivitetin. Lëre pastaj që në këtë punën tonë objektivitetit nuk i gjendet filli. Ja, fjala vjen, Bushatit i duhet të nxjerrë një listë të pasosur me zullume të Ramës për të justifikuar votën kundër tij; ndërsa mua do të më mjaftonte veç fakti që Basha është zero me xhufkë për t’i vënë kryqin njëherë e mirë. Kush është më objektiv, unë apo Bushati? Bah!

Nuk është ky problemi pra. Shqetësimi im ishte tjetër. Dhe ishte bërë i qartë si në titull, ashtu edhe gjatë shkrimit: Gara politike nuk është luftë. Thënë me fjalë të tjera, unë jam i shqetësuar, jo ngaqë mendoj se Bushati është me Bashën (nuk më prishet gjiza se me kë është; është punë e tij dhe vetëm e tij), por ngaqë ai është duke i hedhur benzinë zjarrit të një konflikti civil në Shqipëri. Unë jam i shqetësuar kur e dëgjoj të thotë se “një pushtet banditesk si ky i Ramës luftohet me dhunë, pasi nuk ka mënyrë tjetër” (marrë nga programi i Ylli Rakipit), se “kryeministri është i papranueshëm si palë në dialog; çdo lloj bisedimi me Ramën në tryezë do të ishte një parodi; nëse Basha e bën këtë gjë, ai duhet të bëjë gati valixhet e të ikë në Holandë”, apo kur iu bën apel berishianëve: “E patë? U tërhoq në Kavajë; kështu do tërhiqet edhe më tutje, sepse është i paburrë; prandaj mos hiqni dorë nga kjo që keni nisur, derisa ta rrëzojmë”, (ky ishte mesazhi i shkrimit të tij pas tërheqjes së kryeministrit në Kavajë).

Dhe Bushati e kishte një përgjigje edhe për këtë shqetësim në replikën e Bushatit. Mirëpo arsyetimi i kishte dalë një si çorbë. Shikoni çfarë thotë: “Meqenëse opozita e Bashës nuk është shkëputur dot nga praktikat më të këqija të berishizmit, se nuk ka ditur të rinovohet, se nuk ka bërë mea colpa për Gërdecin, 21 janarin, Armon, Albpetrolin, vjedhjen e zgjedhjeve në Tiranë…, e meqenëse Rama është në një aleancë të pathyeshme me oligarkët të cilëve iu ka falur koncesione 10-vjeçare dhe leje ndërtimi mbi 20-katëshe, në një kompromis të plotë me narkotrafikantët, atëherë unë jam me idenë që para se të bëjë opozitë false dhe t’i sigurojë kryeministrit sfondin e një farse demokratike, PD-ja do të bënte mirë të mos futej në zgjedhje, se është më mirë një PD e ngujuar në çadër; gjendja aktuale në Shqipëri, ku qeveria ka rrëmbyer pushtete ekstrademokratike dhe ku opozita është moralisht e pabesueshme, e bëjnë të pamundur një garë reale; më mirë të mos kemi zgjedhje fare, se sa të kemi një konkurrim fiktiv…”. E kuptuat ju? Unë jo. Po provoj ta sjell në një formë më të shkurtër: “Meqenëse PD-ja është një parti e ndyrë, e meqenëse PS-ja është po kaq e ndyrë, do ishte më mirë të mos kishim zgjedhje fare; dhe është PD-ja ajo që e ka për detyrë të na e bëjë këtë të mirë”!!!!

Andi, unë mendoj se më e mira fare do ishte që t’i thoshim gjërat ashtu si janë, d.m.th. që: 1. Rama, hiq pak shto pak, është ai që thua ti. 2. Rama, është si është, është i zgjedhur nga një shumicë e madhe shqiptarësh dhe se atë mund ta largojë nga zyra e kryeministrit vetëm një shumicë tjetër shqiptarësh, që nuk është nevoja të jetë po aq e madhe. 3. Opinioni yt, i Bashës, i Berishës, i opozitës, në daç dhe i imi mbi Ramën, mund të jetë më i arsyeshmi e më i drejti në botë, por nuk ka vlerën e fuqinë e shumicës së votave. 4. Basha është pupaci i Berishës (nëse nuk e ke mësuar këtë, kot që rron). 5. Berisha është ai që ti mendon se është (dhe këtu nuk po shtoj tjetër gjë). 6. E gjithë kjo tollovi në politikën shqiptare është e Berishës dhe jo e Bashës. 7. Berishës ia do puna të bëjë këtë që po bën, sepse edhe Rama i duket i pamundshëm në zgjedhje, edhe nuk do që sistemin e drejtësisë, që është i tëri i tiji, t’ia heqin nga duart me anë të reformës që është përgatitur. 8. Edhe sikur të mos ekzistonte kanabizimi i vendit e kriminalizimi i administratës publike, Berisha do të gjente një kauzë tjetër për të justifikuar mos-hyrjen në zgjedhje. Nuk besoj se mund të më hedhësh poshtë ndonjë nga këto tetë pikat që, së bashku, krijojnë një panoramë të mirë e të plotë të momentit politik. E përballë kësaj panorame, ajo që unë them është: Të shkojmë në zgjedhje. Ajo që ti thua është: Tym e flakë të bëhet.

Dhe me këtë besoj se doli e qartë se ku ndahemi ne të dy. Me këtë dua që të merresh. Të tjerat janë dardhë në shënëndre. /Mapo.al