Zërat
Xhavit Haliti
Xhavit
Haliti

Ballkani Perëndimor, krijesë e politikës

Zërat May 02, 2017 - 11:48

Nuk e di nga është nisur dhe kur është formuluar termi gjeopolitik ”Ballkani Perëndimor”, por jam i sigurt që të drejtën e qytetarisë për t’u njohur e për të qarkulluar në mjedisin politiko-strategjik, gati global, e ka fituar pas takimit të nivelit të lartë të 6 shteteve ballkanike në Berlin, në gushtin e 2014-ës.

Është një emërtim që nuk niset dhe nuk respekton realisht pozicionin gjeografik të shteteve që përfshihen në të. Serbia, Kosova, Maqedonia, madje dhe Bosnja vështirë të konsiderohen “perëndimore” në gadishullin e Ballkanit, krahasuar me Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Prandaj e quaj krijesë të politikës këtë kompozim ndërshtetëror të 6 vendeve të Ballkanit, që u nxit dhe motivohet nga rritja e bashkëpunimit të gjithanshëm mes tyre si një parakusht për përshpejtimin e ritmeve të integrimit evropian të kësaj pjese të gadishullit. Më pak se 3 muaj na ndajnë nga Samiti i Trieshtes, që është i katërti në kuadër të zbatimit të procesit të Berlinit.

Nga objektivat e përcaktuara 3 vjet më parë në kryeqytetin e Gjermanisë, për përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, aktualisht mund ta përmendim si arritje: Nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE të Serbisë dhe Malit të Zi; Republika e Shqipërisë është në prag dhe në pritje të fillimit të bisedimeve për anëtarësim; Republika e Kosovës ka nënshkruar MSA-në dhe është angazhuar seriozisht për mbarëvajtjen e procesit; Bosnja vazhdon të përballet me problemet e saj të përhershme, të brendshme dhe të karakterit gjeopolitik, etnik e fetar; Maqedonia po përjeton ndoshta njërën prej krizave më të vështira pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Samiti i Sarajevës, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Trieshtes, diskutoi për proceset eurointreguese të rajonit. Në deklaratën e përbashkët 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor ranë dakord “për ta intensifikuar bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik mes vendeve të tyre dhe ndërtimin e një tregu të përbashkët, që përfshin qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, lëvizjen e lirë të forcës së kualifikuar të punës dhe një hapësirë dinamike investimesh”. Në Samitin e Sarajevës u sugjerua se fuqizimi i bashkëpunimit në kuadër të Ballkanit Perëndimor, përmes projekteve të ndryshme në ekonomi, transport, energji dhe infrastrukturë, garanton përshpejtimin e proceseve eurointegruese të tyre.

Thuajse pas një muaji nga Samiti i Sarajevës në politikën zyrtare të tri shteteve të rajonit u shfaq, relativisht ashpër, një përplasje verbale për të sotmen dhe të ardhmen e integrimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Zhvillimet më të fundit për këtë çështje dihen nga mbarë opinioni i interesuar. Dihen deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë dhe të presidentit të Kosovës për pasojat e mundshme të vonimit, devijimit e nënçmimit të procedurave integruese të këtyre dy shteteve, të njohur botërisht e të afirmuar tashmë si mbështetësit e politikave euroatlantike në shumicën e popullsisë.

Dihen gjithashtu dhe reagimet e menjëhershme të krerëve të lartë të Beogradit ndaj deklarimeve të Ramës dhe të Thaçit. E rëndësishme mendoj se është vlerësimi dhe menaxhimi me kujdes i situatës politike aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk mendoj se ka vlerë ta bësh ndonjë parashikim të aktualitetit në vendet tona, por më duket me vend ta theksoj se përshpejtimi i eurointegrimit tonë nuk varet aq shumë dhe aq më pak nuk determinohet nga faktorë ekonomikë (krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike), por nga faktorë politikë.

Krizat aktuale në shumicën perëndimore tonën në Maqedoni, Shqipëri dhe në Kosovë dhe më kronikja kriza në Bosnje-Hercegovinë nuk janë ekonomike. Janë kriza politike dhe natyrshëm mund dhe duhen kuruar me mjete politike. Mendoj se ekonomia i shërben afrimit, bashkëpunimit, mirëkuptimit, madje, dhe njëfarë simpatie ndjesore me frymëzimin, nxitjen, mbështetjen dhe me hapjen e rrugës nga politika. Qofsha i gabuar në këtë përfundim, por jam i bindur që BE-ja në Ballkanin Perëndimor, edhe pse e krijoi politikisht për ta integruar te vetja, iu shmang politikës.

U krijua, u sanksionua dhe vazhdon të konsiderohet bashkëveprues një toponimi ballkanik prej 6 shtetesh, ku bën pjesë edhe shteti më i ri i Evropës, që ende nuk njihet si i tillë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kurrsesi nuk mund të mohohet ndikimi i euro-atlantikëve mbi Beogradin zyrtar për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut me shtetin e Kosovës në Bruksel. Është i pajustifikueshëm mosvlerësimi i mbështetjes konsekuente të qeverisë së Gjermanisë, që vazhdon ta kushtëzojë anëtarësimin e Serbisë në BE me njohjen prej saj të Republikës së Kosovës.

Dëshiroj që BE-ja, në Samitin e Trieshtes, të na përcjellë mesazhe nxitëse, shpresë e motivuese, ku politika në sugjerime dhe orientime besoj se do ta bëjë realitet dëshirën e të gjithë shqiptarëve!

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK