Fyerja e shtetit, e kreut tė shtetit dhe tė institucioneve shtetėrore – njė vėshtrim krahasues

0

SHPËRNDARJE

01 May 2017 • 15:08

Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë, për të përfshirë në ndryshimet e Kodit Penal të Kosovës dy nene që do të trajtonin ose merrnin në shqyrtim fyerjen e kreut të shtetit, të organeve kushtetuese, si dhe të vet shtetit dhe të simboleve të tij vepër penale, hasi në kundërshtimin e shoqërisë civile, e cila këtë përpjekje e interpretoi si përpjekje për cenimin e lirisë së shprehjes, si masë diktatoriale dhe rivendosjen e një dënimi arkaik, që nuk është në pajtim me zhvillimet moderne evropiane.

Pas disa ditëve të reagimeve të ashpra në publik, kundër këtij propozimi, Ministria e Drejtësisë i tërhoqi këto propozime nga Kodi Penal.

Fatkeqësisht, nuk pati ndonjë debat publik për këtë çështje, dhe u krijua përshtypja se as nuk pati vullnet për një debat të tillë. Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë u paragjykua menjëherë si i papranueshëm, pa lejuar që çështja të trajtohet në debat publik në mënyrë objektive. Qëllimi i këtij vështrimi krahasues nuk është që të ringjallë debatin për këtë çështje, por vetëm të paraqesë disa fakte se si është e rregulluar fyerja e shtetit dhe e zyrtarëve të shtetit në shtetet të cilat sikur Kosova janë zotuar se do të respektojnë lirinë e shprehjes sipas standardeve të përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Liria e shprehjes, është një e drejtë themelore, e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Megjithatë, edhe pse është e drejtë themelore, ajo mund të kufizohet brenda kornizave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara nga Konventa Evropiane. Në anën tjetër të medaljes është e drejta themelore për reputacion, e garantuar me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, që duhet të merret parasysh.

Liri absolute të shprehjes, që fyen reputacionin e tjetërkujt, nuk ka. Duhet të bëhet dallimi midis fyerjes dhe kritikës. Kritika është e nevojshme për një shoqëri demokratike dhe si e tillë mbrohet nga liria e shprehjes. Në një shoqëri demokratike, kritika është parakusht për transparencë dhe luftimin e korrupsionit dhe abuzimin me pushtet. Por, kritika që degjeneron në fyerje dhe cenim të paarsyeshëm të reputacionit të tjetërkujt, nuk mbrohet nga liria e shprehjes. Figurat publike duhet të përballen me nivelin më të lartë të kritikës publike dhe në këtë rast, kufizimet e lirisë së shprehjes duhet të bëhen në mënyrë sa më restriktive. Por, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë sanksione ligjore edhe kur viktimë e fyerjes janë figurat publike.

Sipas Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, preferohet që fyerja të sanksionohet sipas të drejtës civile, d.m.th. kryesisht me dëmshpërblim. Megjithatë, as Komisioni i Venecias nuk e përjashton kategorikisht mundësinë që fyerja të dënohet si vepër penale, me kusht që kjo të jetë proporcionale dhe pa efekt negativ për kritikën publike, brenda kornizave të gazetarisë së përgjegjshme. Kur dihet se në Kosovë procedurat civile janë të tej zgjatura dhe me efekt nuk ofrojnë  mbrojtje juridike për viktimën e fyerjes, do të duhej të shtrohej pyetja se a ka mekanizma të tjerë juridikë, siç janë ato të së drejtës penale, që do të duhej të merreshin në konsideratë. Duke e mbrojtur lirinë e shprehjes, shteti nuk guxon të shkelë detyrimin e vet pozitiv për të mbrojtur të drejtën e tjetërkujt për reputacion, sepse edhe kjo është po ashtu shkelje e të drejtave të njeriut.

Një raport i OSBE-së, i muajit mars 2017, i titulluar “Legjislacioni për ofendim dhe fyerje në rajonin e OSBE – një studim krahasues”, vjen në përfundim që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kurrë nuk e ka përjashtuar shprehimisht mundësinë që një shtet të ketë dispozita penale për fyerjen.

Gjykata Evropiane e ka kritikuar zbatimin e ligjeve të tilla në rastet konkrete dhe sidomos ka vënë në dilemë apo diskutim se a është e përshtatshme dhe proporcionale që fyerja të dënohet me burg. Gjykata Evropiane, po ashtu, ka theksuar se caktimi i një dënimi për fyerje mund të konsiderohet i përshtatshëm vetëm në raste të jashtëzakonshme. Megjithatë, Gjykata Evropiane kurrë nuk është shprehur se një shtet nuk mund të ketë ligje që dënojnë fyerjen, por është shprehur se duhet të jenë të kujdesshëm në zbatimin e tyre.

Sipas raportit të OSBE-së, praktika e shteteve tregon se dënimi për fyerje nuk është metodë arkaike, por shumë reale dhe aktuale. Raporti vjen në përfundim se 42 prej 57 shteteve anëtare të OSBE-së, kanë ligje që dënojnë fyerjen, dhe shumica e tyre e dënojnë fyerjen me burg. Shtetet që e kanë hequr dënimin për fyerje janë një pakicë e vogël edhe brenda vet Bashkimit Evropian (BE). Raporti thekson se shtetet sikur Gjermania, Finlanda dhe Danimarka, të cilat zakonisht shihen si shtete që garantojnë në shkallë shumë të lartë lirinë e shprehjes, jo vetëm që kanë ligje që e dënojnë fyerjen, por edhe i zbatojnë këto. Të vetmet shtete që e kanë hequr dënimin për fyerje, janë shtetet e Evropës jug-lindore që synojnë të anëtarësohen në BE, dhe kjo për shkak të presionit të BE-së, edhe pse vet shumica e shteteve anëtare të BE-së nuk e kanë hequr këtë dënim, përfshirë Slloveninë e cila me dispozita të tilla penale është bërë anëtare e BE-së.

Sipas raportit në fjalë, fyerja e zyrtarëve publikë, është vepër penale në një numër të madh të shteteve anëtare të OSBE-së dhe BE-së. Në 9 shtete të OSBE-së, përfshirë Bullgarinë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën dhe Portugalinë si shtete anëtare të BE-së, fyerja e një zyrtari publik ndëshkohet me dënim më të lartë se sa një fyerje e rëndomtë dhe në Gjermani, Itali, Holandë dhe Portugali dënohet edhe me burg. Fyerja e zyrtarit publik si vepër penale speciale ekziston në 15 shtete anëtare të OSBE-së, përfshirë Belgjikën, Danimarkën, Estoninë, Luksemburgun, Maltën dhe Poloninë si shtete anëtare të BE-së. Në 16 shtete anëtare të OSBE-së, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Qipron, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Luksemburgun, Holandën, Poloninë Portugalinë dhe Spanjën si shtete anëtare të BE-së, fyerja e institucioneve shtetërore, siç janë qeveria, parlamenti, ushtria dhe institucionet e tjera publike, është vepër penale.

Raporti i OSBE-së, konstaton se fyerja e kreut të shtetit (atij vendor, jo kreut të shtetit të huaj) është vepër penale në 24 shtete anëtare të OSBE-së, përfshirë Belgjikën, Danimarkën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Maltën, Holandën, Poloninë, Portugalinë, Slloveninë, Spanjën dhe Suedinë si shtete anëtare të BE-së dhe në të gjitha këto shtete fyerja dënohet me burg. Franca edhe pse e ka hequr veprën penale të fyerjes së presidentit, në të njëjtën kohë e ka përfshirë fyerjen e presidentit në kuadër të veprës penale të fyerjes së zyrtarëve publikë dhe si e tillë dënohet më ashpër se fyerja e rëndomtë. Në Lituani, fyerja e presidentit është kundërvajtje dhe ndëshkohet si e tillë.

Fyerja e shtetit, është vepër penale në 14 shtete të OSBE-së, përfshirë Austrinë, Kroacinë, Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Portugalinë, Slloveninë dhe Spanjën si shtete anëtare të BE-së. Nga shtetet e rajonit, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia e cilësojnë fyerjen e shtetit si vepër penale. Përveç Italisë, Spanjës dhe Maqedonisë, në të gjitha shtetet tjera të cekura më sipër fyerja e shtetit dënohet me burg. Fyerja e simboleve të shtetit që përfshinë flamurin shtetëror, himnin dhe stemën e shtetit- është vepër penale në 36 shtete anëtare të OSBE-së, e cila në shumicën e rasteve ndëshkohet me burg.

Siç e thekson ky raport, vetëm shtetet e Evropës jug-lindore që janë duke bërë përpjekje për të aderuar në BE, janë ato të cilat e kanë hequr dënimin për fyerje si vepër penale, por jo edhe aty kur bëhet fjalë për shtetin dhe simbolet e tij. Gjermania e pati rastin këtë vit të heq fyerjen e presidentit si vepër penale, kur e hoqi fyerjen e kreut të shtetit të huaj si vepër penale me efekt të hyrjes në fuqi në vitin  2018. Megjithatë, Gjermania nuk e ka bërë këtë për presidentin e vet dhe e mbajti si vepër penale. Franca e anashkaloi kritikën duke e dënuar fyerjen e presidentit si fyerje e zyrtarëve publikë që do të thotë se në përmbajtje nuk e ka ndryshuar ligjin.

Ballafaqimi me këto fakte dhe me raportin e drejtë midis lirisë së shprehjes dhe të drejtës për reputacion si të drejta themelore që duhet të balancohen mes vete, do të duhej të ishin në qendër të debatit për nenet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.