Zërat
Prof. dr. Izet Shehu & Ma. Sc. Miftar Mehani
Prof.
dr.
Izet
Shehu
&
Ma.
Sc.
Miftar
Mehani

Avancimi i sistemit të sigurisë në vendet e punës në Republikën e Kosovës

Zërat April 28, 2017 - 20:16

Trajtesë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe të Shëndetit në Punë, 28 Prilli

Të përgjithshme

Në mënyrën më të mirë vendi ynë shënon këtë Ditë Ndërkombëtare të Sigurisë dhe të Shëndetit në punë, 28 prillin. Pa u thelluar në shkaqet e vonesave të deritashme në hallkat e ndryshme të asaj që quhet sistem vendor i SSHP-së, pa mohuar arritjet e deritashme që sado të pakta në numër kanë qenë një bazë mbi të cilën është mbajtur ky sistem, duket kësaj here ka një qasje më gjithëpërfshirëse më të plotë dhe më fundamentale për vënien në binarë të kësaj sfere të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme shoqërore-nisma për kompletimin e infrastrukturës legjislative, gjegjësisht akteve nënligjore, aq të rëndësishme për të gjithë ata që kanë të bëjnë me çështjet e vendeve të punës; punëmarrësit, punëdhënësit dhe organet e pushtetit. Në vendet me një zhvillim të dukshëm i jepet shumë rëndësi partneritetit trepalësh si formë e avancuar e zhvillimit të fushës së sigurisë në punë. Ky trinom i formuar në mes të autoriteteve qeveritare, përfaqësuesve të punëdhënësve dhe përfaqësuesve të punëmarrësve, përmes funksionalitetit të plotë, do të paraqitet si një infrastrukturë që do të vejë në binarë të qëndrueshëm sistemin e SSHP-së tek ne. I ndërthurur në mes të organeve vendimmarrëse autoritative, organeve të cilët do të jenë në zbatim të rregullave dhe përfaqësuesve të punëmarrësve si përfituesit dhe targetuesit e këtij veprimi, është e natyrshme edhe pritja e suksesit në ndërtimin, gjegjësisht avancimin e sistemit të SSHP-së. Ky partneritet mund të shfaqet në shumë nivele të organizimit. Nëse ka një vullnet nga bartësit e funksioneve gjegjëse të pushtetit mund të shfrytëzohen shumë modalitete për arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme që mund të jenë me karakter të përgjithshëm dhe të tilla që kanë për objekt trajtimi një fushë specifike të veprimtarisë ekonomike, bie fjala, shëndetësi, industri, miniera dhe energjetikë e gjetiu.  Ky dialog social nuk do të jetë i varur vetëm nga vullneti i pushtetit, por duhet të vlerësohet drejt edhe nga palët e ndërlidhura dhe të ndërtohet në mënyrë të shëndoshë që të mund të ketë avancim. Sfera e SSHP-së është sistem i përbërë nga disa hallka që duhet të veprojnë në formën e veprimit në lidhshmëri të ndërvarur ashtu që të arrihen objektivat:

krijimi i vendeve të punës me sa më pak rreziqe dhe dëmtues për shëndetin e punëtorëve,
arritjen e një shkalle të lartë të sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve përmes ngritjes së mirëqenies sociale të punëtorëve. 

Formulimi “mirëqenia sociale” në këtë kontest nuk duhet kuptuar vetëm si mungesë e varfërisë, vetëm mungesën e sëmundjeve (profesionale apo sëmundjeve të lidhura me sëmundjet profesionale), është më tepër se kaq, ngërthen në vete gjendjen e qëndrueshme socio-ekonomike të punëtorëve dhe familjeve të tyre, që punëtori përmes  përfitimit nga puna e tij të mund të arrijë jetë cilësore brenda shoqërisë kosovare.

Lexuesi, ai i cili mund të jetë pak më larg fushës së sigurisë në vendet e punës, mund ta shtrojë pyetjen: përse u dashka një bashkëpunim të tillë trepalësh për një fushë, veprimtaria e së cilës rregullohet me ligj dhe me akte tjera nënligjore? Menjëherë duhet thënë që filozofia e të menduarit, ose qasja për krijim të një ambienti të sigurt dhe të shëndetshëm në vendet e punës, kohëve të fundit, nuk konsiderohet vetëm si metodologji e përmbushjes së obligimeve ligjore. Është shumë më humane dhe shumë më sistematike marrja në mënyrë permanente me rreziqet dhe dëmtuesit e ambienteve të punës, që është detyrë e saj. Trajtimi i menjëhershëm i kërcënuesve të sigurisë kërkon një vullnet tjetër më të avancuar sesa vetëm përmbushja e masave mbrojtëse nga punëdhënësit si obligim ligjor. Ilustrim: vizitat e rregullta sistematike mjekësore si obligim ligjor janë në çdo 1 vit për vendet e punës me shkallë të shtuar të rrezikshmërisë, gjegjësisht 3 vjet për punëtorët në vendet e tjera të punës (përcaktim ligjor). Mirëpo, sot jemi dëshmitarë të një mënyre tjetër të të jetuarit dhe si rrjedhojë edhe prevalencës në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit etj. Për shumëkënd trajtimi mjekësor është i nevojshëm të bëhet edhe më shpesh sesa është e paracaktuar. Në anën tjetër, lufta ndaj shkaktarëve të rreziqeve të sigurisë dhe shëndetit në vendet e  punës nuk mund të rrijë në formën stereotipe të marrjes së masave të cilat mund të jenë të pamjaftueshme në sasi apo në formën sesi realizohen, kështu që ne mund të jemi mirë para ligjit me mbulesat formale të marrjes së masave, porse ato vetëm duke qenë adekuate, të mjaftueshme dhe kualitative mund të jenë të efektshme. E kjo mund të arrihet me vullnetin e mirë për ta perceptuar më njerëzisht çështjen e sigurisë në punë, krahas përmbushjeve ligjore të të gjithëve të përfshirë në çështjet  e SSHP-së. Këtu në këtë kuadër bashkëpunimi trepalësh duhet përmendur një marrëveshje të rëndësishme, të cilën duhet shfrytëzuar nga të gjithë si një bazë mbështetëse, e ajo është Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e vitit 2014, e cila sado që për qëllim e ka rregullimin e marrëdhënieve të punës, pra marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës, shumë e rëndësishme për sektorin privat, prapë se prapë zbatimi i saj ndikon në krijimin e kushteve më të volitshme për punë dhe do ta inkurajojë marrjen e masave mbrojtëse dhe të sigurisë, ashtu siç kërkohet edhe në Direktivën Kornizë 81/391 të BE-së.

Çfarë është duke u përmirësuar dhe çfarë ka mbetur për t’u përmirësuar

Aktualisht veprohet në mënyrë praktikë në dy drejtime:

aftësimin dhe certifikimin e të ngarkuarve me punët e  sigurisë dhe të shëndetit në punë dhe
në hartimin e akteve nënligjore që do t’i rregullojnë procedurat e sigurisë dhe të shëndetit në vendet e punës. 

Ka një projekt që është duke u realizuar në kuadër të harmonizimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së në fushën e SSHP-së. Nga ky projekt do të dalin trajnuesit e parë të akredituar për t’i trajnuar të gjithë ata punëtorë të ngarkuar me punët e sigurisë dhe të shëndetit nëpër ndërmarrje anembanë vendit. Të gjithë këta të trajnuar nga ndërmarrjet do ta kalojnë një test përvetësimi të njohurive dhe do të pajisen me certifikata gjegjëse që do t’i lëshojë organi shtetëror. Në pikëpamje të përmbushjes së zbrazësisë për aktet nënligjore të kësaj fushe dhe njëkohësisht harmonizimit të legjislacionit me BE-në, tashmë janë nxjerrë 12 rregullore të veçanta, të cilat do të jenë një ndihmesë e madhe për të gjithë ata që janë të obliguar për marrje të masave të veçanta sipas veprimtarive, por edhe për vetë mbikëqyrësit dhe menaxhmentin. Por, duhet vënë theksin në nevojën e përfshirjes të të gjithë të interesuarve në procesin e hartimit të këtyre dokumenteve, pra të ketë një shqyrtim publik duke u dhënë rast edhe profesionalistëve dhe bartësve të detyrimeve.

Këtë vit është konstituuar Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, organ ky i cili do t’i hartojë politikat dhe strategjitë e zhvillimit në fushën e SSHP-së në vend. Një organ i cili pritet t’i përcaktojë një varg  ecurish, evidencash, praktikash, standarde të aktiviteteve të kësaj sfere. Sa për ilustrim po përmendim disa të dhëna aq të thjeshta e shumë të rëndësishme të cilat e kanë përcjellë fushën SSHP: bie fjala, raportimi i lëndimeve në vendet e punës. Janë raportuar vetëm disa raste që vijnë nga sektori publik dhe ai privat dhe në formën e larmishme, jo sipas një protokolli të caktuar (standardi) që do ta bënte të mundur nxjerrjen e të dhënave statistikore aq të nevojshme për mbështetje të politikave dhe të strategjive. Sektori privat në të shumtën e rasteve i fsheh rastet e lëndimeve, sidomos ato me pasoja të mëdha apo edhe me fatalitet dhe këtë e ka bërë në mënyrë fare të lehtë ngase nuk mund të gjejë një dokument çfarëdo qoftë ai që vërteton praninë e një të aksidentuari në punishten e një punëdhënësi (privat). Ne ende nuk kemi një formular të unifikuar për lëndimet në punë, mandej na mungon një që quhet listë e sëmundjeve profesionale dhe të sëmundjeve që lidhen me punën, mungojnë protokolle e mënyra për mbajtjen e evidencave të fushës së sigurisë, apo një tjetër për përcaktimin kohor të shqyrtimeve dhe matjeve periodike të pajisjeve dhe stabilimenteve që janë burime të dukurive të rrezikshme potenciale, mandej jemi larg një përcaktimi metodologjik dhe procedural të bërjes së vlerësimit të rrezikut në vendet e punës, si një akt dhe dokument bazik i sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës dhe një varg mungesash të tjera që janë të rëndësishme. Po ashtu, çështje që do trajtim ndërdisiplinor është edhe çështja e terminologjisë. Sot ndër këto dokumente të publikuara ka një laramani përdorimi të leksikut për të njëjtat dukuri. Si kush ia merr mendja bën me fjalën rrezik , herë duke e emërtuar dukurinë me karakteristika që kur shfaqet mund të shkaktojë dëme, e herë si proces që ka një gjasë dhe aftësi për të shkaktuar dëme. Dukuria e rrezikshme një fenomen natyror a antropologjik me karakteristika që mund të shkaktojë dëme duhet me patjetër të emërtohet me një fjalë tjetër të dallueshme nga fjala rrezik apo rrisk që del si produkt i gjasës për t’u shquar dhe mundësisë për të bërë dëme. Një dukuri e rrezikshme mund t’i ketë të gjitha karakteristikat e një fenomeni që dëmton, por ai mund të jetë në një stad (sasior, kohor, gjeografik, etj) që kurrë nuk do të zhvillohet në shkallën për të na rrezikuar, pra ka një gjasë “0” dhe si i tillë ai edhe rreziku nuk do të ekzistojë nga ajo dukuri a fenomen. Pra rrezik është gjendje kur një potencial natyror a njerëzor merr gjasën për ta bërë dëmin. Si [untitled.bmp] zgjidhje teknike është përvetësuar fjala rrezik për dukurinë e rrezikshme dhe fjala rrisk për fjalën rrezik. Të gjitha gjuhët e tjera, me nuancat e veta gjuhësore, dallojnë fjalën rrezik, atë gjendjen kur ka gjasa që ndodh dëmi nga dukuria e rrezikshme (dukuria, fenomeni, natyra potenciale e tillë), të cilën e quan hazard (anglofonët), opasnost (gjuhët sllave), etj. Mendojmë që duhet të rishikohen përcaktimet terminologjike të këtyre dy fenomeneve, ngase nuk kemi nevojë që të marrim terma të varianteve të njëjta nga gjuhë të ndryshme dhe duke u ndërruar vetëm trajta gjuhësore e tyre ne t’i “përfitojmë“ dy terme për dy fenomene të dallueshme. Rizik dhe rrisk janë dy huazime të ndryshme për të njëjtën gjë. Le të quhet rrezik gjendja, ajo që do të vlerësohet, pra ajo që ka gjasën dhe dëmin e mundshëm, andaj le të mbetet, mendojmë ne, edhe për faktin se pjesa dërrmuese e literaturës studimore e quajnë kështu, por dukuria e rrezikshme (hazardi) s’ka përse të ngatërrohet me variantet gjuhësore të së parës, pra edhe të mbetet me këtë togfjalësh deri në një përcaktim më përmbajtjesor dhe të nxjerrë nga një shikim ndërdisiplinor.

Punët e sigurisë dhe të shëndetit në duart e profesionistëve

Një çështje nuk duhet lënë anash organet shtetërore që duan ta avancojnë SSHP-në, e që është profesionalizmi i atyre që mveshën me autorizim për të bërë qofshin përcaktime programore strategjike të kësaj fushe në shkallë vendi, qofshin në hartime të rregullave e metodologjive për procedurat e caktuara apo trajnime dhe zhvillime tjera të fushës. Pra, e atyre që janë në pozita për të marrë vendime të rëndësishme në këtë fushë, pavarësisht nga vijnë dhe pavarësisht gradimet shkencore që mund të kenë. Fusha e sigurisë në punë ka kohë që ka edhe objektin studimor edhe metodat gjegjëse që përdor për arritjet e fakteve shkencore. Lexojmë e na servohen para kamerave lloj-lloj “ekspertësh”, që po ua kërkojë kush një dokument a një studim të fushës, ata nuk i gjen kund, fshihen ose i hyjnë internetit dhe me “google translate” mbllaçitin broçkulla. Ose mund të na shërbejë si ilustrim, droja që trajnimet për aftësim e certifikim të të ngarkuarve me punët e SSHP-së të jenë vetë jashtë dijës shkencore për sigurinë në punë. Avancimi i fushës së sigurisë në punë, krahas këtyre ndërmarrjeve, që janë për t’u përshëndetur, duhet të bëhet me një integrim të vullnetit dhe të profesionalizmit.

Vetëm me këtë përkujdesje dhe duke i lënë përcaktimet e politikave dhe programeve në duart e profesionistëve do të mund t’u ikim improvizimeve dhe të krijojmë një binar mbi të cilin do të vihen në lëvizje shumë mekanizma e zgjidhje praktike të fushës së SSHP-së.

Avancimi i  programit të SSHP-së si dhe sistemi për monitorimin, zbulimin, parashikimin dhe parandalimin më me saktësi dhe efektshmërisë së kërcënimeve ekstreme në zhvillimin e proceseve të punës në të gjitha sektorët e punës në Republikën e Kosovës. Me qëllim të sigurimit të kushteve me të mira të punës, parandalimin e lëndimeve në punë dhe dëmtimin e shëndetit të punëtorëve, organizata ndërkombëtare e punës ka obliguar shtetet anëtare që me politikat nacionale për mbrojtjen në punë të krijojë sisteme nga kjo fushë dhe të nënshkruajnë norma të cilat duhet të aplikohen.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo mund të arrihet me angazhimin e burimeve intelektuale-shkencore, operacionale dhe teknike, duke përforcuar sistemet e informimit, lajmërimit dhe paralajmërimit të hershëm të rreziqeve në mënyrë që humbjet e jetës, pronës dhe ambientit të jenë minimale, por edhe kostoja e sanimit të gjendjes të jetë më racionale.                         

Përveç lëndimeve në punë dhe sëmundjeve të njohura profesionale, gjithnjë e më shumë po lajmërohen sëmundje të lidhura me punën, stresi dhe problemet psikologjike, të cilat janë shumë më vështirë të zgjidhen dhe janë prezentë tek te gjitha veprimtaritë dhe llojet e punëve. Prandaj në kushte bashkëkohore vëmendje më e madhe do të duhet t’u kushtohet rreziqeve dhe faktorëve të rrezikut, të cilët janë të lidhur me organizimin e procesit të punës, aftësitë psikofizike të punëtorëve si dhe marrëdhënieve ekonomiko-sociale.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK